Blertina Koka
Një shprehje thotë: “Një mollë e kalbur prish gjithë shportën”. Po nëse vetë shporta është e kalbur?
Studime të ndryshme dhe teste laboratorike kanë treguar se sjelljet jo etike të një individi ndikojnë tek gjithë shoqëria e tij. Por akoma më e vështirë është të studiohet ndikimi i kësaj lloj sjelljeje në nivel shoqëror. Pikërisht këtë kanë dashur të studiojnë ekonomistët e sjelljes Simon Gächter (Universiteti Notingam në Britani) dhe Jonathan Schulz (Universiteti i Jeilit) me studimin e tyre të publikuar në mars 2016 tek revista Nature.
Ky studim sugjeron se korrupsioni nuk dëmton vetëm mirëqenien e një kombi, por modelon edhe sjelljet morale të qytetarëve të tij. Rezultatet kanë sugjerime për ndërhyrjet që synojnë luftimin e korrupsionit.
Hulumtuesit shkencorë zhvilluan një matës të korrupsionit duke përdorur 3 parametra të përdorur gjerësisht, që përfshijnë nivelet e mashtrimit politik, evazionin fiskal dhe korrupsionin në një shtet.
“Donim të kishim një indeks vërtet të gjerë, duke përfshirë disa aspekte të ndryshme të shkeljes së rregullave”, thotë Schulz. Ata më pas kryen një eksperiment, ku u përfshinë më shumë se 2500 pjesëmarrës nga 23 kombe të ndryshme. Pjesëmarrësve iu kërkua që të hidhnin zarat dy herë dhe të tregonin numrin vetëm për hedhjen e parë. Si shpërblim ata morën një shumë parash në bazë të numrit që do të raportonin (këtu përjashtohej vetëm numri 6). Asnjë nuk e shihte zarin, kështu që pjesëmarrësit ishin të lirë të gënjenin për rezultatin.
Nëse të gjithë pjesëmarrësit do të tregoheshin plotësisht të ndershëm për numrin që u kishte rënë, atëherë mesatarja e numrave do të ishte 2.5 pikë, ndërsa nëse të gjithë do të tregoheshin të pandershëm, atëherë mesatarja do të ishte 5 pikë. Pjesëmarrësit nga kombe që njihen për përhapjen e gjerë të shkeljes së rregullave, si Gjeorgjia, Tanzania, Guatemala dhe Kenia, ishin të prirur të jepnin një shifër më të lartë se ata që jetonin në shtete me shkallë më të ulët të shkeljes së rregullave, si Austria, Anglia, Holanda, Suedia dhe Gjermania. Me pak fjalë, sa më i korruptuar të ishte shteti nga i cili vinin, aq më i lartë ishte numri i pjesëmarrësve të tij që gënjyen për numrin që u ra. Këto vlera u përllogaritën duke përdorur të dhëna nga viti 2003, ndërsa eksperimentet u kryen mes viteve 2011-2014, ku mesatarja e moshës së pjesëmarrësve ishte 21 vjeç – shumë të rinj për të ndikuar personalisht në vlerat e korrupsionit në shtetin nga vinin, por të rritur mjaftueshëm për të qenë të ndikuar nga normat sociale të shtetit nga vinin, që do të thotë se nivelet e korrupsionit të një vendi ndikonin në pandershmërinë e pjesëmarrësve, dhe jo e kundërta.
“Këta shkencëtarë lidhën një test të thjeshtë mashtrimi me sjelljen në botën reale”, thotë shkencëtari i sjelljes Amos Schurr nga Universiteti i Negevit në Izrael, i cili nuk u përfshi në studim. “Kjo është një gjë që nuk është realizuar asnjëherë më parë”.
Inkurajues është fakti që shkencëtarët zbuluan se kishte një kufi në pandershmërinë e njerëzve, edhe nëse vinin nga vende tepër të korruptuara. U vu re se njerëzit ishin të prirur për të dhënë numrin më të lartë që u kishte rënë nga dy zarat, dhe jo numrin më të lartë të mundshëm për t’u deklaruar.
“Në gjithë botën, njerëzit në përgjithësi janë të ndershëm”, thotë Schulz. Ata priren të veprojnë sipas një “pandershmërie të justifikuar”, por kufiri i asaj që justifikohet varion sipas nivelit të korrupsionit në vendin nga vijnë.
Teoritë ekonomike klasike thonë se njerëzit veprojnë për të rritur përfitimet e tyre, por studimi që pa se ata nuk gënjenin plotësisht përshtatet me teoritë se njerëzit kanë një prirje psikologjike për ta parë veten si të ndershëm.
“Janë forcat konkurruese: stimujt financiarë dhe stimujt psikologjikë për të mbajtur një vetëvështrim të ndershëm, të cilët prishin balancën”, shpjegon Schulz. “Është më e lehtë të mbash imaxhin e një njeriu të ndershëm edhe nëse bëhesh më i korruptuar, nëse sheh shumë korrupsion rreth vetes”.
Rezultatet lënë të kuptojmë se shtetet shumë të korruptuara e kanë më të vështirë të ndryshojnë sepse qytetarët e tyre janë formuar me norma që e lejojnë pandershmërinë. Megjithatë, ka një mënyrë për ta ndryshuar këtë. Në vend që të përpiqemi që të luftojmë korrupsionin duke vënë në shënjestër institucionet, duhet të përpiqemi të nxisim të rinjtë që të futen në rrugë të drejtë.
“Ndryshimi i institucioneve formale do të jetë i vështirë, megjithatë institucionet mbështeten tek njerëzit”, thotë Schulz. “Do të duhet kohë për t’u arritur një gjë e tillë, megjithatë mendoj se është një hap që duhet ndërmarrë”./ Shendeti.com.al

