Studimi më i fundit: Baballarët mund të trashëgojnë rrezikun për kancer të vezores tek të bijat

Përshtati në shqip: Blertina Koka

Shkencëtarët amerikanë besojnë se kanë identifikuar një mutacion të ri gjenetik që mund të rrisë rrezikun për kancerin e vezores, dhe ky mund të trashëgohet nga babai tek e bija.

Mutacioni gjenetik trashëgohet nëpërmjet kromozomit X dhe është i pavarur nga gjenet e tjera të njohura për të cilat gratë mund të testohen tashmë.

Megjithatë ekspertët theksojnë se duhet të bëhen më shumë kërkime shkencore për të konfirmuar identitetin dhe funksionin e këtij gjeni.

Rezultatet e këtij studimi janë publikuar tek revista PLoS Genetics.

Rreziku familjar

Aktualisht, gratë me një histori familjare të kancerit mund të testohen për gjenin BRCA, i cili rrit rrezikun që një grua të zhvillojë kancer të gjirit dhe atë të vezores.

Angelina Jolie për shembull e ka trashëguar gjenin BRCA1 nga nëna e saj – ajo i është nënshtruar një operacioni parandalues pasi mjekët zbuluan se rreziku për zhvillimin e kancerit të gjirit ishte 87% i lartë, ndërsa ai i kancerit të vezores ishte 50%.

Megjithatë shkencëtarët besojnë se mund të ketë edhe raste të tjera, sporadike, të trashëgimit të kancerit të vezores nëpërmjet kromozomit X nga babai tek vajza.

Dr. Kevin Eng dhe kolegët e tij tek Instituti i Kancerit Roswell Park dyshojnë tek një gjen, i quajtur MAGEC3, i gjetur tek kromozomi X tek baballarët.

Shkencëtarët shpresojnë që në të ardhmen ky zbulim i ri të mund të ndihmojë gratë me një histori familjare të kancerit të vezores të kuptojnë më mirë rrezikun e zhvillimit të kësaj sëmundjeje. Kjo është sidomos e rëndësishme sepse kanceri i vezores shpesh diagnostikohet në fazat e fundit, kur është shumë i vështirë për t’u trajtuar.

Burimi: BBC / Shendeti.com.al

Postime të ngjashme

Studimi: Si po përhapen në TikTok informacione të rreme rreth kremrave të diellit
Cila është koha më e mirë për të marrë vitaminën D? Ekspertët japin përgjigje
Mes protestave: Akila, gazetarja me inteligjencë artificiale, do të flasë me një milion shqiptarë
Kujdes! Mos i kombinoni këto pije me ilaçet e tensionit
Tre perime që ndihmojnë lëkurën të shkëlqejë dhe të duket më e shëndetshme gjatë verës
9 ushqime të shëndetshme që shuajnë urinë
Koha më e mirë për të marrë suplemente magnezi, sipas ekspertëve
Ndahet nga jeta doktori i njohur pediatër Edi Tushe