Pranvera Kola
Grada doktor në specialitetin përkatës, përvoja 5-vjeçare e punës në fushën e mësimdhënies, si dhe eksperienca mbi 10-vjeçare e punës në shërbimin klinik spitalor, janë tre kriteret bazë që duhet të përmbushin (ndërmjet shumë të tjerash) të gjithë kandidatët që kërkojnë të jenë në krye të një shërbimi në qendrat spitalore universitare.
Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e ditës së djeshme, kriteret e reja që do të ndiqen për përzgjedhjen e përgjegjësit të shërbimeve në të gjitha qendrat spitalore në vend. Në listën e kritereve të vendosura theks i veçantë vihet edhe tek detyrimi që kandidati që aplikon për një vend të tillë pune nuk duhet të jetë i përfshirë në asnjë angazhim politik, e nëse kjo gjë ndodh duhet të lërë detyrën. Përgjegjësi do të përzgjidhet më anë të konkurrimit me dosje, dhe në rastet kur për një shërbim do të ketë vetëm një kandidaturë të paraqitur, atëherë gara e konkurrimit do të rikthehet nga e para. Sipas vendimit shërbimi në Qendrën Spitalore Universitare drejtohet nga përgjegjësi i shërbimit, i cili përzgjidhet në bazë konkurrimi, vetëm në rastet kur përmbush të gjitha kriteret që janë të detajuara bashkangjitur shkrimit.
Konkurrimi me anë të dosjes
Sipas vendimit të qeverisë, qendra spitalore universitare, përpara fillimit të procesit të përzgjedhjes së përgjegjësit të shërbimit bën publikimin për vendin vakant në faqen zyrtare të internetit. E vetëm më pas do të mund të çelë procedurat e konkurrimit për përzgjedhjen e drejtuesit të ri. Konkretisht përzgjedhja e përgjegjësit të ri të shërbimit për vendin vakant, zhvillohet duke u bazuar në konkurrimin me dosje. Krahas kualifikimeve profesionale, aplikuesi duhet të dorëzojë në dosjen e konkurrimit edhe një plan strategjik në lidhje me zhvillimin e shërbimit përkatës që kërkon të drejtojë. Konkretisht në dosjen e aplikuesit duhet të jenë të përfshira: “Kërkesa për aplikim, letra e angazhimit, CV-ja e kandidatit, dokumenti që provon gradën shkencore të fituar, dokumenti që provon eksperiencën në punë, ku të vendoset shkalla e njohjes së një gjuhe të huaj të një vendi evropian, materialet që provojnë publikimin e pesë botimeve shkencore jashtë vendit, brenda fushës së shërbimit që do të mbulojë kandidati, mundësisht në revista me faktor impakti, dokumente që tregojnë angazhimin e tij në projekte ndërkombëtare, që kanë sjellë përfitime në specialitetin e shërbimit përkatës dhe një strategji zhvillimi të shërbimit për një periudhë 5-vjeçare”.
Vlerësimi i dosjeve të konkurrimit
Për vlerësimin e kandidatëve që konkurrojnë për përgjegjës shërbimi ngrihet një komision “ad hoc” me pesë anëtarë, personalitete të vendit, e të huaj, të njohur për kontributin akademik dhe shkencor në fushën e mjekësisë, dhe veçanërisht të shërbimit përkatës, ose në fushat e klasifikuara nga këshilli i profesorëve të fakultetit si të afërta me të (shërbimin). Kriteret e vlerësimit, afatet e procedurave të përzgjedhjes së kandidatëve, dokumentacioni dhe përbërja e komisionit propozohen nga këshilli i profesorëve të fakultetit dhe miratohen nga bordi i Qendrës Spitalore Universitare. Vendimi ngarkon rektorin e Universitetit të Mjekësisë që të shpallë, brenda 10 ditëve nga data e miratimit nga bordi, përbërjen e komisionit “ad hoc” i cili do të kalojë në sitë të gjitha dosjet e aplikanteve. Ky komision, pas vlerësimit të dosjes së kandidatëve, kryen një intervistë me gojë, dhe në bazë të pikëve të siguruara nga secili kandidat bën renditjen e tyre, duke përzgjedhur dy nga kandidaturat më të mira dhe ia përcjell bordit të Qendrës Spitalore Universitare për të përzgjedhur njërën prej tyre. Kandidaturën e përzgjedhur bordi ia paraqet për emërim drejtorit të Përgjithshëm të Qendrës Spitalore Universitare. Pas aprovimit nga drejtoria aplikuesi i përzgjedhur ka të drejtë që të vijojë punë në shërbimin përkatës.
Rihapja e garës për konkurrim
Në rastet kur paraqitet një kandidaturë e vetme, e vlefshme, komisioni “ad hoc” rihap procesin e konkurrimit, sipas të njëjtave rregullave. Në rast se edhe në përpjekjen e dytë paraqitet një kandidaturë e vetme, e vlefshme, komisioni “ad hoc” ia paraqet atë për miratim bordit të Qendrës Spitalore Universitare. Bordi, pas miratimit, ia dërgon për emërim drejtorit të Përgjithshëm të Qendrës Spitalore Universitare. 7. Përgjegjësi i shërbimit drejton shërbimin për 3 vjet. Ai ka të drejtë të rikandidojë për një mandat tjetër.
Kriteret që duhet të përmbushë përgjegjësi i shërbimit:
Të ketë kontribut të veçantë në fushën e shërbimit për të cilën kandidon.
Të ketë, të paktën, gradën shkencore “Doktor” në fushën përkatëse.
Të ketë eksperiencë në fushën e mësimdhënies, jo më pak se 5 vjet, dhe eksperiencë në punë klinike, pa ndërprerje, jo më pak se 10 vjet.
Të ketë kryer kërkime dhe botime shkencore, brenda dhe jashtë vendit.
Të jetë mbi moshën 40 vjeç dhe brenda moshës që lejon mosndërprerjen e mandatit për arsye të daljes në pension pleqërie.
Të ketë nënshkruar letrën e angazhimit në detyrë.
Të mos ketë masa disiplinore në fuqi dhe të mos jetë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Përgjegjësi i shërbimit largohet nga detyra kur:
Jep vetë dorëheqjen për arsye të ndryshme
Dënohet me vendim të formës së prerë, në rastet e kryerjes së një vepre penale.
Deklarohet i paaftë për punë nga komisioni kompetent mjekësor, sipas ligjit.
Nuk realizon treguesit e performancës së kërkuar për shërbimin që përfaqëson.
Gjendet në një situatë të konfliktit të interesit.
Përfshihet në organet drejtuese të një partie politike.
Në çdo rast tjetër të parashikuar nga ligji.


