A do shkatërrohen llixhat e Bënjës dhe kanioni i Langaricës?

langaricaKanioni i Langaricës vërtet mund të njihet nga pak njerëz, por është një nga kanionet më të thella që mund të ekzistojnë në Shqipëri, madje më i thellë edhe se të famshmet kanionet e Skraparit

Alisa Peçi

Kanionet e Langaricës janë perla të çmuara natyrore për të cilat duhet të ndihen të privilegjuar që i kanë në gjirin e tyre, jo vetëm banorët e Komunës së Petranit të qytetit të Përmetit, por të gjithë shqiptarët. Këto kanione, të cilat janë monumente natyrore mjaft të bukura, si dhe monumentet kulturore që ndodhen aty, ndër të cilat Ura e Kadiut, përbëjnë një pasuri të madhe për zhvillimin e turizmit për zonën.

Kohët e fundit, këto pasuri natyrore dhe kulturore po rrezikohen nga hidrocentralet, ku një prej tyre po ndërtohet mu në hyrje të kanionit. Në lidhje me HEC-et  që kanë filluar të ndërtohen në lumin e Langaricës, që është një degë e rëndësishme e Vjosës, prof. Dr. Molnar Kolaneci, ekspert i ujërave sipërfaqësore shpreh shqetësimin pikërisht për HEC-in që po ndërtohet në hyrje të kanionit të Langaricës.

langarica 2“Nga ana mjedisore të lësh të gjithë atë kanion pa ujë të mjaftueshëm, është jo normale. Kanioni i Langaricës vërtet mund të njihet nga pak njerëz, por është një nga kanionet më të thella që mund të ekzistojnë në Shqipëri, madje më i thellë edhe se të famshmet kanionet e Skraparit. Ai është një nga pikat më të spikatura përsa i përket bukurive natyrore”, shprehet eksperti i ujërave z. Kolaneci.

Sa hidrocentrale mund të jenë me përafërsi në këtë zonë?

Në këtë zonë kemi të bëjmë me një kaskadë të tërë HEC-esh. Janë mbi 5 HEC-e, se janë ndërtuar në të gjithë degët.

Cilat janë impaktet që do të kenë këto HEC-e?

Impaktin e kanë gjithandej, si të gjithë HEC-et, që bëjnë një deformim të sjelljes natyrale të rrjedhave ujore. Impakti më i madh i takon zonës së Langaricës dhe sidomos kanionit të  Langaricës. Jam habitur kur kam mësuar se do të ndërtohej në hyrje të kanionit një hidrocentral. Nga ana mjedisore të lësh të gjithë atë kanion pa ujë  të mjaftueshëm, është jo normale.

kanioni langaricePo në turizëm çfarë ndikimi do të ketë HEC-i në hyrje të kanionit?

Aty në mënyrë krejt spontane vijnë grupe turistësh që stacionohen në dalje të këtij kanioni, nëpërmjet transmetimit të informacionit tek njëri – tjetri.  Gjithashtu disa publikime në lidhje me turizmin e kanë bërë këtë zonë mjaft atraktive. Turistët janë kryesisht të huaj, të cilët qëndrojnë në çadra. Aty bëhet një plazh i vërtetë, jo vetëm për freskinë që të ofron natyra dhe uji, por edhe për disa efekte speciale që kanë disa burime termale në dalje të kanionit të Langaricës. Nga ana inxhinerike është shumë e bukur, merr ujë në një lartësi të caktuar, aty ka pjerrësi të madhe, si zgjidhje inxhinerike është e mirë, e fut në tunele në njëfarë mënyre e eliminon impaktin në mjedis, nuk ndërton kanale  por nga ana tjetër dëmton vetë kanionin, vetë lumin. Ndaj ndikimi në turizëm do të jetë i pashmangshëm.

ujerat termale te benjesA do të preken nga HEC-et ujërat termale të Bënjës, të famshme për vetitë e tyre kuruese?

Ujërat termale të Bënjës njihen për bukuritë e tyre dhe për vlerat kurative. Ato kurojnë sëmundjet e reumatizmës, lëkurës dhe stomakut. Nga një konsultim që kam pasur me një ekspert të ujërave nëntokësore, marrja e ujit nuk do të ndikojë tek ujërat termale të Bënjës, pasi këto burime janë nëntokësore, temperatura e së cilës është kostante 27-30 gradë, si dimër si verë. Megjithatë, ndikimi ende nuk është përcaktuar.

A ka pasur presion qytetar për të mos lejuar ndërtimin e HEC-it në hyrje të kanionit?

Koncesioni mund të jetë dhënë nga të parët, rreth viteve 2007-2008 kur akoma kur nuk kishte filluar ndjeshmëria ndaj prekjes së mjedisit nga HEC-et. Vendimet e para nuk kanë qenë shumë të bazuara. Rregulloret e vendimeve kanë ardhur duke evoluar. Projektet e para kanë kaluar me një vlerësim sipërfaqësor, të përciptë për mbrojtjen e mjedisit duke mos parashikuar ujin ekologjik dhe Langarica këtë fat pati fatkeqësisht. Ne nuk jemi të ndërgjegjësuar si popull, konsultimi me publikun është në nivel minimal. Mesa duket, prandaj dhe investitorët vijnë në Shqipëri.

benje langarica uraA mund të ndalohet ndërtimi i HEC-it në hyrje të Kanionit të Langaricës?

Të gjitha rrjedhat ujore janë prekur në letra, anulimi i tyre kam frikë se nuk mund të realizohet. Edhe në lidhje me ndalimin e ndërtimit të HEC-it në hyrje të kanionit, druaj se nuk mund të bëhet më gjë, pasi janë hedhur gjithë ato para. Ndërtimi i tij tashmë ka filluar. Megjithatë, asgjë nuk është e pamundur.

*** Këto informacione mbështeten nga programi SENiORA-a drejtuar nga REC, rrjeti ECIM, grupim i shoqatave mjedisore, duke vijuar denoncimin e masakrave mjedisore

Postime të ngjashme

EUAR- veprim dhe reflektim për të njohur mjedisin
Ndryshimi i klimës mund të çojë në probleme të frymëmarrjes, rinitit alergjik dhe kollë kronike
Ndotja e ajrit po shkakton depresion, thotë një studim i ri
Koplik/ Mbetje të rrezikshme spitalore, mbuloheshin me dhe
Gati 50 milionë profesionistë shëndetësorë bëjnë thirrje për ajër të pastër për një shëndet më të mirë
Pesticidet po rrezikojnë bimët e kafshët
Mbetjet mjekësore: ana e errët e kujdesit shëndetësor
Për herë të parë në video bimët që “flasin” me njëra-tjetrën