Gjenevë – Helmimi nga plumbi ka pasoja shumë të rënda shëndetësore, sidomos tek fëmijët. Ekspozimi i fëmijëve ndaj plumbit mendohet se sjell çdo vit 600 000 raste të reja fëmijësh me probleme intelekti. 99% e fëmijëve të ndikuar nga ekspozimi i lartë ndaj plumbit jetojnë në vende me të ardhura të mesme ose të ulëta, deklaron Organizata Botërore e Shëndetësisë me rastin e Javës Ndërkombëtare të Aksionit për Ndërgjegjësimin mbi Helmimin nga Plumbi. OBSH-ja u bën thirrje vendeve të forcojnë masat kombëtare për eliminimin e plumbit nga bojërat.
Plumbi
Bojërat me plumb janë një burim i rëndësishëm i mundshëm helmimi për fëmijët e vegjël. Ato gjenden në shtëpi, mbi lodra, mbi mobilje dhe mbi objekte të tjera. Bojërat në degradim mbi mure, mobilje dhe sipërfaqe të tjera të ambjenteve të brendshme krijojnë pluhur të ndotur me pumb, të cilin fëmijët e vegjël mund ta gëlltisin me lehtësi. Futja në gojë e lodrave të lyera me bojë me plumb, gjithashtu i ekspozon fëmijët ndaj plumbit. Shija e ëmbël e plumbit nxit disa fëmijë të gërryejnë dhe gëlltisin copat e bojës. “Helmimi nga plumbi mbetet një nga shqetësimet më të mëdha mjedisore për shëndetin e fëmijëve në botë, dhe bojërat me plumb janë ndër faktorët kryesorë të helmimit të fëmijëve me plumb,” thotë Dr. Maria NEira, drejtoresha për shëndetin publik dhe mjedisin në OBSH. “Lajmi i mirë është se ekspozimi ndaj bojës me plumb mund të ndalohet plotësisht përmes marrjes së masave kundër prodhimit dhe përdorimit të këtyre bojërave.”
Vdekshmëria
Vlerësohet se helmimi me plumb shkakton 143,000 vdekje në vit dhe bojërat me plumb janë një ndër kontribuesit kryesorë. Përdorimi i tyre krijon probleme shëndetësore edhe shumë vite më vonë. Edhe në vende ku është ndaluar përdorimi i këtyre bojërave prej dekadash, bojërat mbeten si burim helmimi derisa hiqen dhe zëvendësohen. Kostua e zëvendësimit të bojërave me plumb bën që njerëzit që jetojnë në shtëpi të vjetra, të keqmbajtura, të jenë më të rrezikuar, çka bën që komunitetet e varfra të preken më shumë.
Marrja e masave për heqjen e plumbit nga bojërat
OBSH ka identifikuar plumbin si një ndër 10 kimikatet më shqetësuese për shëndetin publik. OBSH kërkon marrjen e masave nga shtetet anëtare për mbrojtjen e shëndetit në punë, të fëmijëve dhe të grave në moshë riprodhuese. Këto masa përfshijnë aprovimin e legjislacionit për eliminimin e përdorimit të bojërave dekorative me plumb, për informimin e publikut mbi rinovimin e shtëpive ku mund të jenë përdorur bojëra me plumb. “Bojëra me plumb në nivele shumë të larta përdoren në shumcën e vendeve në zhvillim, sipas testimeve që janë bërë nga Aleanca Globale për Eliminimin e Bojërave me Plumb. Në shumicën e vendeve ku përdoren bojërat me plumb, ka dhe bojëra pa plumb, çka tregon se ka zëvendësues për bojërat me plumb,” thotë David Piper, zëvendësdrejtor i degës së kimikateve i UNEP DTIE. Java Ndërkombëtare e Aksionit për Ndërgjegjësimin mbi Helmimin nga Plumbi përbën një rast të shkëlqyer për ndërgjegjësimin e përdorimit të madh të bojërave me plumb.
Në botë, 30 vende kanë ndaluar përdorimin e bojës me plumb. Aleanca Globale për Eliminimin e Bojërave me Plumb, e bashkëudhëhequr nga OBSH dhe UNEP, ka objektiv që kjo shifër të arrijë 70 vende deri në 2015. Në nivele të larta të ekspozimit, plumbi dëmton truri dhe sistemin nervor qendror duke shkaktuar koma, konvulsione deri në vdekje. Fëmijët që mbijetojnë, shpesh mbeten me dëmtime në intelekt dhe me probleme në sjellje. Në nivele më të ulëta ekspozimi, të cilat nuk shkaktojnë simptoma të qarta, dhe më parë janë konsideruar si të sigurta, tashmë dihet se plumbi shkakton dëmtime në disa organe të trupit. Plumbi sidomos dëmton zhvillimin e trurit tek fëmijët, duke rezultuar në pakësim të intelektit, shpërqëndrim të vëmendjes, rritje të sjelljeve antisociale, dhe rënie në mësime. Këto pasoja mendohet se janë të pakthyeshme. Tek të rriturit plumbi shton sëmundjet e veshkave dhe tensionin e gjakut.
Java Ndërkombëtare e Aksionit Për Ndërgjegjësimin mbi Helmimin nga Plumbi
Java Ndërkombëtare e Aksionit për Ndërgjegjësimin mbi Helmimin nga Plumbi shtrihet në datat 20-26 Tetor 2013. Tema e këtij viti është: “Fëmijë pa plumb për një të ardhme të shëndetshme” dhe nënvizon rëndësinë e shmangjes së përdorimit të bojërave me plumb dhe përdorimin e alternativave të sigurta, me qëllim që fëmijët të mos dëmtohen.
Përgatiti: Rita Strakosha
