Alergjia nga dielli, format me të cilat ajo paraqitet

Mira Xhixha

Mira Xhixha, alergologe

Alergjia nga dielli është një reaksion i sistemit imunitar ndaj rrezeve të diellit, e cila shpesh mundet  të manifestohet me skuqje dhe kruajtje të zonës përkatëse, e lokalizuar në qafë dhe në dekolte në formën e një  V -je, dhe në shpinën e duarve, në sipërfaqen e jashtme të parakrahëve dhe të gjymtyrëve të poshtme.

Në raste më të rralla, reaksioni mund të na paraqitet në formën e edemave apo dhe flluskave të vogla, që mund t’i gjejmë edhe në lëkurën e mbuluar nga rrobat. Alergjitë nga dielli mund të shpërthejnë nga ndryshimet që shoqërojnë ekspozimin me rrezatimin diellor. Mekanizmi me të cilën këto reaksione ndodhin është pothuajse i njëjtë me reaksionet e tjera alergjike, sistemi ynë imunitar do të konstatojë disa komponentë “të huaj “ në lëkurën e ekspozuar dhe do të aktivizojë një alarm dhe sulm kundër tyre. Ashtu sikurse dhe në llojet e tjera të alergjive, do të konkludojmë me shfaqje të sëmundjeve alergjike, me vendosje në lëkurë në formë lokale apo dhe në gjithë lëkurën e organizmit tonë.

Alergjia nga dielli prek vetëm personat me ndjeshmëri ndaj rrezeve të diellit, dhe në disa raste mund të shfaqet menjëherë pas ekspozimit në diell apo pak minuta më pas. Në një pjesë të rasteve, është evidentuar që kjo lloj alergjie ka predispozitë gjenetike, por jo në të gjitha rastet.

Disa nga format me të cilat paraqitet alergjia nga dielli.

1-Eritema shumë formëshe –është një skuqje që shoqërohet me të kruara pas ekspozimit nga dielli, dhe zë vendin e dytë si problem i lëkurës i lidhur me ndjeshmërinë solare (diellore), që mjekët shohin në praktikën e tyre të përditshme, pas asaj që e quajmë djegie të zakonshme nga dielli. Kjo lloj forme alergjie është konstatuar në 10-15% të popullatës në vendet e zhvilluara, duke prekur të gjitha racat dhe përkatësitë etnike. Gratë janë më të prekura sesa burrat nga kjo lloj alergjie,dhe shfaqet  zakonisht në moshë të re. Rashi apo skuqja shoqërohet me të kruara dhe vendoset brenda 2 orëve nga rrezatimi. Mund të shoqërohet edhe me ethe, dhimbje koke, të përziera dhe të vjella, dhe në raste më të rralla, skuqja mundet të avancojë në flluskaalergjia-nga-dielli

Kjo lloj alergjie është më e rrallë në dimër, por është e përhapur në muajt e pranverës dhe të verës. Në shumë raste, ky manifestim përsëritet çdo pranverë, menjëherë pas ekspozimit në diell. Pas kalimit të pranverës në verë, mundet që me vazhdimin e ekspozimit , personi të bëhet më pak i ndjeshëm ndaj rrezeve të diellit, dhe ky manifestim mund të zhduket totalisht apo të kalojë në një gradë më të lehtë. Megjithatë, efekti i uljes së kësaj ndjeshmërie, i cili do të shkojë deri në përfundim të verës, do të pasohet me rishfaqje me të njëjtin intensitet në pranverën e ardhshme.

2-Eritema e trashëguar– është një manifestim sikurse rasti më lart, por simptomat dhe shqetësimet janë më të theksuara dhe shpesh fillon gjatë fëmijërisë apo në adoleshencë (pra pak më shpejt se sa në formën e parë).Dhe në anamnezë konstatojmë që edhe breza  të tjerë të së njëjtës familje kanë shfaqur këtë alergji. Simptomat janë të ngjashme me eritemën e shpjeguar më lart, por zakonisht është e përqendruar në lëkurën e fytyrës, sidomos përreth buzëve.

Eritema  fotoalergjike- Është një formë e alergjisë diellore, një reaksion i lëkurës që shpërthen nga efekti i rrezeve në bashkëveprim me një kimikat që ka qenë aplikuar në lëkurë (më shpesh në përbërësin e kremrave të ndryshëm, produkteve kozmetike dhe pomadave me antibiotikë apo kortizonikë, ose pas marrjes  nga goja të një medikamenti. Medikamentet e zakonshme, që merren për trajtimin dhe kontrollin e sëmundjeve të ndryshme, mund të jenë shkaku i shfaqjes së reaksioneve fotoalergjike.  Medikamentet që janë konstatuar me shpesh janë: antibiotikët si tetraciklina dhe baktrina, medikamentet që trajtojnë sëmundjet mendore, ato të veshkave, të hipertensionit dhe për insuficiencën e zemrës, dhe gjithashtu kontraceptivët që përdoren nga gratë për parandalimin e shtatzënisë. Janë konstatuar edhe disa raste të fotoalergjisë nga medikamentet antiimflamatore, të cilat përdoren për dhimbjen dhe sëmundjet reumatizmale, si ibubrufeni, naprokseni, etj.  Kjo lloj alergjie zakonisht shfaqet me të kruara, skuqje apo flluska, ku në disa raste e gjejmë edhe në lëkurën e mbuluar nga rrobat, pasi reksionet fotoalergjike janë me shfaqje të vonuar dhe mund të fillojnë pas një apo dy ditësh nga ekspozimi diellor.

3-Urtikaria nga dielli- Është një manifestim i rrallë dhe prek më tepër gratë. Simptomat janë ato të urtikaries, me ënjtje të bardha të rrethuara me skuqje në gjithë sipërfaqen e lëkurës, e cila ka pamjen e një harte dhe shoqërohet me kruajtje të theksuar. Këto elemente shfaqen në lëkurën e ekspozuar, dhe shpejt përfshijnë gjithë sipërfaqen e lëkurës.

Individët që mund të kenë shqetësimet e mësipërme apo të ngjashme me to, së pari duhet të dallojmë nëse këto probleme mund të jenë shkaktuar nga alergjia ndaj diellit dhe të bëjnë lidhjen :

  • Nëse kjo skuqje dhe kruajtje ndodh vetëm kur ekspozohen me rrezet e diellit.
  • Nëse shqetësimet fillojnë brenda 2 orëve të para nga veprimi i diellit.
  • Nëse simptomat u shfaqen në ditët e para të pranverës dhe gradualisht fillojnë të bëhen më të lehta (madje mundet edhe të zhduken) me kalimin e ditëve apo të javëve.

Në qoftë se do të kemi përgjigje pozitive për të gjitha këto pyetje, atëherë jemi të sigurt që kemi një alergji apo ndjeshmëri të lartë nga rrezet e diellit, e cila mund të jetë një alergji e një natyre të lehtë. Në qoftë se shqetësimet nuk janë vetëm skuqje dhe kruajtje, apo edhe elemente të tjerë që i kemi përmendur më sipër, si fryrje (edema), flluska apo dhe zona të vogla të kuqe (hemorragjike) nën lëkurë, atëherë është e domosdoshme konsulta me mjekun alergolog, për të saktësuar diagnozën në bazë të historisë së sëmundjes, asaj familjare dhe në bazë të ekzaminimeve (analizave) që duhet të kryeni, të cilat janë kompetencë vetëm e mjekut të specializuar për alergjinë.

Këto analiza përfshijnë ato që duhen për të përjashtuar probleme apo diagnoza të tjera, të cilat mund të shfaqen për herë të parë me një mbindjeshmëri nga dielli, gjithashtu dhe analizën specifike të llojit të alergjisë. Pas konfirmimit të diagnozës, mjeku do t’ju kërkojë informacion në lidhje me medikamente që përdorni, apo kremra dhe preparate që keni në përdorim. Sipas rastit, mjeku do t’ju sugjerojë ndryshimin e mjekimit apo ndalimin e përdorimit, për të parë nëse shqetësimet në lidhje me alergjinë nga dielli do të zhduken apo jo.

Postime të ngjashme

Mjeku Sotiraq Lako: Preparatet me bazë hekuri për mjekimin e anemisë
Përfitimet e lëngut të Aloe Verës për shëndetin: Çfarë thotë shkenca
Testi i thjeshtë që zbulon në pak minuta nëse një fëmijë ka autizëm
Era e trupit, kur sinjalizon probleme shëndetësore
Anemia, rrezik i fshehtë për shëndetin! Simptomat që nuk duhet t’i injoroni
Paralajmërim për ata që vuajnë nga astma: Përdorimi i inhalatorëve në kohë të caktuara të ditës mund të rrisë rrezikun e sulmit
Artriti: Shenjat dhe simptomat e zakonshme
Ja pijet dhe ushqimet më të mira që mund t’i konsumoni çdo ditë në verë