Për gazetën “Shëndet+”, Mira Xhixha, alergologe pranë Qendrës së Specialiteteve nr. 3, Tiranë
Gluteni është proteina e cila i jep formën dhe elasticitetin strukturës së drithërave (në gjuhën latine Glu-ngjitës). Gluteni prezantohet si një proteinë komplekse e cila ndodhet në shumë lloje drithërash dhe nënproduktet e tyre, si buka dhe brumërat nga mielli i grurit, thekrës, elbit etj. Produktet të ndryshme ushqimore të kripura apo të ëmbla të përgatitura me miell përmbajnë sasi të mjaftueshme të kësaj proteine për të dhënë shqetësimet shëndetësore të lidhura me alergjinë nga gluteni.
Alergjia dhe intoleranca nga gluteni nuk duhet të ngatërrohet me alergjinë nga glutamatet, të cilat janë substanca aromatizuese që përdoren si aditive në ushqime të ndryshme kryesisht të gatshme dhe gjysmë të gatshme.

Intoleranca nga gluteni dhe alergjia (ndjeshmëria) nga gluteni janë dy terma që shpesh përdoren si sinonime të njëra-tjetrës. Ky përdorim jo i saktë duhet evituar, pasi nuk është e njëjta gjë. Problemet në organizëm që shkaktohen nga alergjia e glutenit nuk ndodhin në shumicën e konsumatorëve, por vetëm një pjesë e vogël e tyre manifestojnë.
Janë grupuar 4 lloje çrregullimesh që vijnë nga konsumimi i glutenit:
1-Sëmundja Celiake (SC),
2-Ndjeshmëria (alergjia ) jo celiake nga gluteni,
3-Ataksia,
4-Dermatiti Herpetiform.
Këto çrregullime kanë mekanizma imunologjik dhe autoimune me specifikat përkatëse.
Manifestimet më të shpeshta janë SC (sëmundja celiake) dhe AG (alergjia nga gluteni). Kohët e fundit rastet paraqiten në rritje si pasojë e ndryshimeve në dietë (zëvendësimi i orizit me tipe të reja dhe të ndryshme miellrash me përmbajtje të lartë gluteni nga produkte brumi me përmbajtje gluteni në sasi të lartë si pasojë e shpejtimit të fermentimit është një tjetër faktor prirës).
SC haset si çrregullim kronik më i shpeshtë me ndërmjetësi imune, i cili do të shfaqet pas konsumimit të ushqimeve me përmbajtje gluteni. Ekziston një prirje gjenetike tek këta individë që nxit qelizat imunitare kundër kësaj proteine dhe kjo kundërpërgjigje apo reaksioni rezulton me pezmatim apo skuqje, enjtje të mukozës së zorrës së hollë, e cila është pjesa e brendshme që bie në kontakt direkt me substatca ushqimore. Vazhdimi i mëtejshëm i ngrënies së glutenit mund të rezultojë në dëmtim më të avancuar të kësaj mukoze deri në reduktim dhe atrofi të plotë të vileve të mukozës së zorrës së hollë. (vilet janë struktura në zorrën e hollë që realizojnë përthithjen e substancave ushqimore në brendësi të organizmit tonë)
SC nuk është vetëm një sëmundje e zorrëve, por përfshin disa organe duke shkaktuar një sërë manifestimesh dhe më e rëndësishme është se shpeshherë mund të jetë e fshehtë (pa shqetësime ) po ashtu edhe e vështirë për t’u diagnostikuar me anë të analizave, të cilat nuk janë gjithmonë të kapshme. Nga ana tjetër shumë pacientë mund të kenë dëmtime minimale në zorrë ose pa dëmtime apo pa atrofi të vileve të zorrës.
Diagnoza në përgjithësi bazohet në kombinimin e historisë familjare , gjenetikës, analizës së gjakut dhe biopsisë së materialit të marrë nga shtresa e brendshme e zorrës së hollë. Kjo sëmundje prek 1-2% të popullatës globale, por, siç theksuam më lart, shumica e rasteve mbeten të panjohuara dhe të patrajtuara.
Pacientët mund të vuajnë shqetësime mjaft të rënda dhe bëhen subjekt i ekzaminimeve të shumta e intensive për shumë vite përpara se të jetë saktësuar diagnoza e tyre. Një SC e patrajtuar do të çojë në mungesë të përthithjes së elementeve ushqimore të rëndësishme për shëndetin tonë, sikurse reduktimi i hekurit me shfaqje të anemisë, reduktim i kalciumit me shfaqje të osteoporozës në kocka, rritje të rrezikut për limfomë në zorrë, reduktim të shprehur të cilësisë së jetesës dhe mortalitetit.
SC me simptoma kronike të zorrës manifestohet me simptoma të tilla, si diarre, kapsllëk, të përziera, fryrje barku, distension në bark, humbje të oreksit, reduktim të rritjes, dhimbje të kockave.
Sëmundja celiake në përgjithësi prek individët e çdo moshe, por shpesh fillon në moshë të vogël dhe të mesme. Simptomat mund të variojnë nga të lehta deri në të rënda. Kjo sëmundje mund të jetë e përhershme, por mund dhe të ndryshojë me kohën gjatë jetës. Simptomat mundet të shfaqen në organe të tjera edhe në mungesë të simptomave në organin e tretjes (stomak dhe zorrët e holla).
Mjekimi i vetëm dhe i përhershëm është dieta pa gluten në mënyrë absolute (ushqime gluten-free).
AG (ndjeshmëria apo alergjia joceliake nga gluteni).
Pacientët me alergji nga gluteni shfaqin simptoma të shumta në zorrët e holla dhe jashtë tyre, të cilat zhduken kur proteina e glutenit largohet nga dieta. Alergjia nga gluteni karakterizohet nga ndërmjetësimi imun dhe ashtu si të gjitha alergjitë e tjera haset me shpesh sesa sëmundja celiake, gati 6-10 herë më shumë.
Simptomat, si: dhimbje barku, të fryra, diarre, të përziera, të vjella, diarre, kapsllëk, aerofagi, refluks gastro-ezofageal, stomatit aftoz. Simptomat jashtë zorrës së hollë mund të jenë i vetmi manifestim i alergjisë nga gluteni, si: dhimbje koke, migrenë, këputje, dhimbje muskujsh dhe kyçesh, mpirje të këmbëve apo të duarve, dermatite atopike, shfaqje të alergjive të tjera nga alergenet e ajrit apo alergji ushqimore nga epiteklet e kafshëve shtëpiake apo nga metalet, gjendje ankthi, depresioni, difiçit të hekurit, të acidit folik ose rinit, çrregullime të tjera neuropsikike, autizëm, skizofreni, çrregullime të vëmendjes dhe hiperaktivitet.
Simptomat si pasojë e keqpërthithjes (reduktimit të përthithjes së lëndëve ushqyese nga zorra e hollë) janë anemia dhe osteoporoza, të dyja të karakterizuara me mungesë të shprehur të energjisë, pra këputje, lodhje, anoreksi etj.
Simptomat në përgjithësi janë të ngjashme me sëmundjen celike që folëm më lart, pavarësisht se në këtë gjendje mund të mos gjejmë dëmtime në mukozën e zorrës së hollë, dëmtime të nervave periferike, atake paniku zbehje të lëkurës, marrje mendsh, deficit të vitaminave, humbje në peshë, dermatite të ngjashme me herpesin (në gjunjë, bërryla, të ndenjura).
Ndryshimet midis këtyre dy gjendjeve
Sëmundja celiake është një gjendje e përcaktuar si sëmundje serioze ku sistemi imunitar sulmon vetveten pas ngrënies së glutenit, duke çuar në dëmtime strukturore të mukozës dhe organizmi nuk mundet të përthithë elementet ushqimore. Është për t’u theksuar që sëmundja celiake nuk është alergji apo intolerancë në mekanizmat ku ky çrregullim zë fill, por është një sëmundje me mekanizma autoimmune.
Ndjeshmëria (alergjia) jo celiake nga gluteni është një reaksion ndaj kësaj proteine që shpërthen nëpërmjet sistemit tonë imunitar dhe zakonisht ndodh brenda disa sekondash apo minutash pas ngrënies. Simptomat janë të ngjashme me celiakinë, por të pashoqëruara me dëmtime indore apo me analiza pozitive për antitrupa përkatës.
Diagnoza
1-Analiza e gjakut e cila është specifike për S. Celiake përfshin antitrupat antigliadin, antitrupat andomisal, antitrupat antitransglutaminaze. (AgA dhe EmA)
2-Biopsia e zorrës së hollë, e cila merret me anë të endoskopisë dhe mund të nevojiten disa kampionë për të siguruar një diagnozë të saktë.
Trajtimi
Trajtimi standard është evitimi komplet i glutenit për gjithë jetën. Vetëm shmangia strikte do të ndihmojë për shërimin e dëmtimeve që kanë ndodhur në zorrë. Shmangia ka vështirësitë e veta pasi shumë produkte ushqimore e kanë glutenin të maskuar në përmbajtjen e tyre.
Edukimi i pacientëve është thelbësor dhe duhet të jenë të ndërgjegjshëm për secilin ushqim që përmban gluten dhe cilat ushqime janë të sigurta pa gluten, gjithashtu duhet të dinë si të ekuilibrojnë dietën duke marrë parasysh kufizimin.
Një udhërrëfyes për ushqimet pa gluten
1-Shmangni ushqimet nga miellrat, çerealet (drithërat).
2-Shmangni tërshërën, salcat e sallatrave të përgatitura, salcën e sojës, akulloren, karamelet, keçapin, mishin në kuti, salçiçet, mustardën etj.
3-Lexoni me kujdes etiketat e çdo ushqimi që blini dhe konsumoni, dhe medikamentet si vitaminat apo dhe produktet kozmetike, të tilla si: buzëkuqi, pasta e dhëmbëve etj.
4-Gjithashtu, qumështi dhe produktet që kanë laktozë, pacientët e patrajtuar shpesh bëhen intolerantë nga laktoza.
5-Drithërat, si misri, meli, orizi, janë të rekomanduar të konsumohen pasi nuk kanë gluten.
6-Patatet, bananet, fasulet nuk kanë gluten.
7- Rekomandohet shtesa me vitamina dhe kripëra minerale për të reduktuar deficitin e shkaktuar nga ky çrregullim. Së fundmi, sëmundja mund të rivendoset nëse shmanget dieta pa gluten.
Pershendetje une jam alergji ne mill dhe duhet te ha vetem gluteni fri aka munsi mem tregu a duhet te ha edhe kta millin apo gjithmon gluteni fri flm per mirkuptim