Kryefaqja Shendeti a-z C Alergjia nga gluteni dhe sëmundja celiake

Alergjia nga gluteni dhe sëmundja celiake

0
Shpërndaje

Ada Myrto, mjeke gastrohepatologe

Celiakia ka të bëjë me intolerancën e përhershme ndaj glutenit, e cila është një proteinë që gjendet në disa drithëra. Celiakia është një sëmundje e cila shfaqet kur ekziston predispozita gjenetike dhe konsumimi i drithërave me përmbajtje gluteni. Shfaqja e sëmundjes ka të bëjë me përgjigjen imunitare të organizmit nga ana e qelizave tonë mbrojtëse (limfocitet T dhe antikorpet) ndaj qelizave të zorrës së hollë.

Gluteni është pjesë përbërëse e grurit, thekrës dhe elbit (nuk gjendet te mielli i orizit, tërshërës dhe misrit), ndonëse ekzistojnë persona të diagnostikuar me celiaki që nuk e tolerojnë as tërshërën, sepse tërshëra përmban një proteinë të ngjashme me glutenin e ashtuquajtur avenin, por një arsye tjetër mund të jetë dhe fakti që tërshëra gjatë prodhimit mund të kontaminohet me drithëra të tjerë.

Gluteni përbëhet nga një element përbërës i ashtuquajtur gliadinë dhe është përkatësisht kjo e fundit përgjegjëse për përgjigjen imunitare të organizmit. Kjo proteinë kur merret me ushqimet duhet të degradohet, por tek personat e predispozuar ky degradim nuk ndodh dhe për pasojë kjo proteinë arrin të futet në qelizat e zorrës së hollë, duke bërë që sistemi imunitar t’i njohë si të huaj dhe të aktivizohet mbrojtja imunitare (fillimisht limfocitet T dhe më pas antikorpet) anti-gliadinë, anti-endomiozinë, anti-transglutaminazë. Këto antikorpe dëmtojnë më tej qelizat e zorrës së hollë. Shpesh pacientët me celiaki janë dhe intolerant dhe ndaj laktozës (enzimë që gjendet te qumështi dhe nënproduktet e tij).

Sëmundja e celiakisë trashëgohet në familje. Ata që kanë histori familjare me celiaki kanë përafërsisht 10% më shumë shanse që të shfaqin sëmundjen. Është më e predispozuar gjinia femërore.

Shfaqja e sëmundjes është parë që ndodh në një pjesë të popullatës që kanë mutacione për një grup gjenesh të caktuara. Këto lloj mutacionesh janë shumë të shpeshta dhe 1/3 e popullatës i ka, ndaj mendohet që ekzistojnë dhe faktorë mjedisorë që ndikojnë në sëmundje, për shembull infeksioni me rotavirus gjatë fëmijërisë së hershme, sëmundjet gjatë shtatzënisë, një stres fizik apo mendor, një ndërhyrje kirurgjikale.

Mendohet gjithashtu që futja e drithërave në dietën e foshnjave para moshës 3 muajsh, veçanërisht nëse fëmija nuk ushqehet me qumështin e nënës predispozon, ndaj rekomandohet futja e këtyre ushqimeve pas moshës 6 muaj.

Fakti që sëmundja e celiakisë po shtohet shumë mendohet se ka të bëjë me shtimin e llojit të drithërave dhe përpunimit të tyre.

Simptomat

Janë vërejtur më shumë se 300 simptoma te pacientët me celiaki. Shfaqja e tyre ndryshon nga një pacient te tjetri. Një pacient mund të ketë dhimbje barku dhe diarre, ndërsa dikush tjetër mund të ankojë irritabilitet, ankth, depresion. Disa pacientë mund ta shfaqin sëmundjen në fëmijëri, të tjerë në moshë të rritur, ndërsa disa të tjerë mund të mos kenë asnjë ankesë. Këto diferenca bëjnë që diagnoza e sëmundjes së celiakisë të jetë shumë e vështirë, duke bërë që 80% e pacientëve me celiaki të mos diagnostikohen apo t’u vendoset një diagnozë e gabuar. Po të mos trajtohet kjo sëmundje, mund të çojë në shfaqjen e ndërlikimeve dhe sëmundje të tjera autoimune, sikurse dermatitis herpetiform, sëmundjet e tiroides, prapambetje në zhvillimin fizik dhe mendor, osteoporozë, si dhe disa forma sëmundjesh malinje sikurse limfoma e zorrës. Nuk dihet pse disa pacientë nuk kanë simptoma, por edhe tek ata që nuk shfaqin simptoma janë vërejtur ndryshime të mukozës së zorrës.

Simptomat më të shpeshta janë: anemia, ankthi, gurgullima të zorrëve, konstipacioni (vështirësia për të defekuar), prapambetje në zhvillim te fëmijët, depresioni, diarreja, ngjyrosje e dhëmbëve me ngjyrë të verdhë dhe njolla kafe, lodhje, dobësi trupore, dhimbje koke, migrenë, pamundësi për të ngelur shtatzënë, irritabilitet nervor, kruajtje të lëkurës, dhimbje të artikulacioneve, afte në gojë, rënie në peshë, osteoporozë, mpirje të gjymtyrëve.

Diagnoza

Analizat e gjakut janë hapi i parë në vendosjen e diagnozës së celiakisë. Analizat laboratorike të kërkuara janë: Antitrupat  anti-transglutaminaze IgA,IgG bashkë me IgA totale, antitrupa anti-endomiozine IgA EMA, (antitrupa anti-gliadina IgA, këto përdoren tashmë vetëm për fëmijët e vegjël nën 18 muajsh dhe janë abandonuar te të rriturit). Tani janë futur në përdorim antitrupat ndaj peptidit të deamidizuar të gliadinës. Në vërtetësinë e analizave laboratorike duhet pasur parasysh që të mos ndryshojë dieta e pacientit para marrjes së analizës. Edhe në qoftë se përgjigjet e analizave janë negative, ekziston ende mundësia që pacienti mund të ketë celiaki. Atëherë mund t’i drejtohemi endoskopisë ose analizave gjenetike. Ekzaminimet laboratorike duhen ndjekur një herë në gjashtë muaj pas vendosjes së diagnozës deri një herë në vit, duke qenë se pacienti me celiaki ka mungesa në ushqyerje.

Endoskopia njihet si procedura standarde dhe më e saktë për diagnostikimin e celiakisë. Nëpërmjet marrjes së biopsive nga zorra e hollë ( përkatësisht duodeni dhe bulbi I duodenit 4-6 biopsi). Nëse në biopsi vërehet inflamacion apo dëmtim i mukozës së zorrës, kjo e gjë e konfirmon diagnozën.

Testet gjenetike

Që të shfaqet sëmundja e celiakisë, pacienti duhet të jetë mbartës i gjeneve HLA-DQ2  dhe HLA DQ8. Pa këto gjene është e pamundur që pacienti të shfaqë sëmundjen. Prania vetëm e gjeneve nuk mjafton por duhet të jenë të pranishëm edhe faktorët nxitës ambientalë. Analiza gjenetike e përjashton sëmundjen/ nuk e diagnostikon atë. Analiza gjenetike është e rëndësishme për familjarët e pacientit.

Diferenca midis celiakisë, ndjeshmërisë ndaj glutenit dhe alergjisë ndaj grurit.

Sensibiliteti nga gluteni nuk është celiaki.

Nëse analizat dhe ekzaminimet për celiaki dalin negative, por duket se simptomat e sëmundjes vazhdojnë të lidhen me glutenin, kjo gjë mund të ketë lidhje me ndjeshmërinë ndaj glutenit, por që nuk përkufizohet si sëmundje e celiakisë.

Ndjeshmëria ndaj glutenit është një çrregullim ku pacienti ka intolerancë ndaj glutenit por pacienti nuk ka antitrupa dhe në biopsinë e zorrës së hollë nuk vërehen ndryshime si ato që shihen në sëmundjen e celiakisë. Duhet të bëhet diagnozë diferenciale midis sëmundjes së celiakisë, alergjisë nga gruri dhe ndjeshmërisë ndaj glutenit. Ndjeshmëria ndaj glutenit nuk është e njëjta gjë sikurse celiakia (intoleranca ndaj glutenit), simptomat që shfaq janë të ngjashme me të.

Simptomat kryesore janë: prani e shtuar e gazrave në zorrë, dhimbje abdominale, gurgullima, diarre, konstipacion, të përziera, dhimbje koke, pacienti vërehet si i përgjumur, dhimbje të artikulacioneve, lodhje, mpirje të gjymtyrëve.

Alergjia nga gruri ndodh kur sistemi imun ka mbindjeshmëri ndaj një elementi (domethënë përgjigje të ekzagjeruar të organizmit ndaj një faktori alergjik që në këtë rast është gruri). Në përgjithësi ka më shumë probabilitet të ketë alergji një pacient që vjen nga familje me probleme alergjike.

Simptomat në këtë rast janë: urtikarie, të përziera, krampe, të vjella ose diarre, rinirit, teshtitje, dhimbje koke, astmë dhe mund të arrije deri në shok anafilaktik.

Mjekimi

Në sëmundjen e celiakisë zgjidhja e vetme do të jetë dieta strikte pa gluten, duke qenë se edhe sasi të vogla gluteni mund ta dëmtojnë mukozën e zorrës së hollë.

 

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here