Kur reaksionet alergjike janë të lehta si për shembull kruajtje trupi, teshtima, apo edhe edema të lehta të buzëve, të syve atëherë kemi kohë të paraqitemi edhe te mjeku i familjes për vizitë.
Gjithsesi, në kushte shtëpiake mund të përdoren tableta antihistaminike si për shembull incidali, flonidani, duke gëlltitur me ujë vetëm një tabletë për të mos u rënduar gjendja. Pas këshillimit me mjekun e familjes dhe atë specialist vazhdohet terapia e duhur. Por, ka mjaft raste alergjish kur simptomatologjia klinike përparon shpejt dhe nevojitet ndihmë e menjëhershme, të paktën injektimi i një ampule ultrakorten dhe adrenaline në qendrën shëndetësore më të afërt për të shpëtuar jetën.
Nëse merret në kohën e duhur, adrenalina mund të parandalojë shfaqjen e shokut anafilaktik. Ajo ul edemën dhe përmirëson shenjat e qarkullimit te gjakut.
Ndërsa përsa i përket imunoterapisë, desensibilizimit (që synon humbjen e ndjeshmërisë ndaj proteinave alergjike), jo të gjithë njerëzit që trajtohen përgjigjen pozitivisht. Prandaj çdo pacient trajtohet me individualizëm dhe vetëm nga mjeku specialist alergolog. Kryesore është shmangia sa më shumë të jetë e mundur e faktorëve alergjike.


