Infeksionet bakterial janë ndër shkaqet kryesore të shfaqjes së artriti infeksioz. Mikrobet patogjenë, nëpërmjet gjakut dhe sistemit limfatik zhvendosen në kyçe dhe ndikojnë në shfaqjen e sëmundjes. Kontingjent i më i predispozuar për t’u prekur nga kjo sëmundje janë fëmijët dhe ata që preken shpesh nga anginat (bajame). jekja reumatologe Teuta Orgocka, shpjegon se si shfaqet dhe si mund të parandalohet kjo sëmundje:
Doktoreshë, çfarë është artriti infeksioz?
Artriti infeksioz është inflamacion i kyçeve, i shkaktuar nga faktorë të ndryshëm, ku më të shpeshtë janë infeksionet virale dhe bakterial, kryesisht me origjinë nga fyti: streptoksike, stafilokoksike, gjendjet gripale, por dhe traumat, turbekulozi, etj.
Çfarë kyçesh prek më tepër?
Ky tip artriti për vetë natyrën e shkaktarëve, mund të prek njëlloj të gjitha artikulacionet e trupit.
Kush janë të më predispozuar të preken nga ky lloj artriti?
Meqënëse në shumicën e rasteve, shkak për shfaqjen e këtij tip artriti bëhen infeksionet mikrobiale dhe ata viralë, kontingjent risku për t’u prekur, bëhen personat që kalojnë shpesh angina dhe ata që kanë rezistencë të ulët imunitare. Natyrisht dhe ata që pësojnë trauma dhe që vuajnë nga turbekulozi. Përsa i përket grupmoshave, më të riskuar janë moshat e vogla, por nuk përjashton dhe të rriturit.
Ju thatë se një nga shkaktarët e shfaqjes së sëmundjes, janë bajamet apo si njihen tonsilitet…
Po. Ndër shkaktarët më të shpeshtë janë tonsilitet kronike. Prania e mikrobit, zakonisht streptokokut dhe stafilokokut, në organizëm bën që personat që vuajnë shpesh nga bajamet të jenë kontingjent risku për shfaqjen e artritit infekcioz. Kjo ndodh për faktin e thjeshtë që mikrobi kur gjen terren zhvendoset në artikulacione duke krijuar inflamacion të tyre.
Çfarë komplikacionesh mund të shfaqen nëse sëmundja nuk trajtohet si duhet?
Nëse nuk trajtohet në kohë, mund të ndodh që infeksioni që ndodhet në kyç, nëpërmjet gjakut dhe sistemit limfatik, të zhvendoset në zemër dhe të shfaq komplikacione të rënda, që shpesh çon deri në invalidizim të pacientit.
Nëse diagnostikohet në kohë, shërohet plotësisht?
Po. Artritet infekcioz të thjeshtë nëse trajtohen në kohë, kurohen mjaft mirë dhe janë plotësisht të shërueshmë. Ndërsa rastet që shfaqin komplikacione, kërkojnë trajtim më të gjatë dhe sipas pasojave që shfaqin.
Ka periudha të caktuara të vitit, që shënojnë shtim të rasteve me këtë lloj artriti?
Jo. Gati të gjitha periudhat e viti, për vetë veçoritë klimaterike që shfaqin, mund të ndikojnë në favorizimin e shfaqjes së rasteve të artriteve infeksioz.
Si mjekohet kjo sëmundje?
Në përgjithësi për trajtimin e këtij lloj artriti përdoren antibiotikë me doza sulmi. Mjekimi me to zgjat për 10 ditë dhe si shoqërues rekomandohen antiinflamator.
Njëkohësisht të sëmurit i rekomandohet të qëndrojë shtrirë, në ambiente të ngrohta dhe të shmang korrentët e ajrit.
A mund të parandalohet kjo sëmundje?
Duke qenë një sëmundje që ka si origjinë një sërë faktorësh, dhe profilaksia do të përfshijë një sërë masash të përgjithshme.
Kështu këshillohet të tregohet kujdes për tu mbrojtur nga tonsilitet (bajamet) dhe infeksionet e tjerë më natyrë virale. Kjo bëhet duke forcuar sistemin imunitar, shmangien e korrekteve të ajrit, kujdes në veshje, etj. Një rekomandim të veçantë që u jepet këtyre personave është bërja e kulturës së fytit, e cila do të ndihmojë në eliminimin e mikrobeve patogjenë, që janë dhe origjinë e kësaj sëmundjeje.
shenjat
Si shfaqet sëmundja?
Fillimisht pacienti shfaq temperaturë të lartë të përgjithshme, që mund të shkojë deri në 40 gradë. Ai ankon ënjtje, skuqje, temperaturë të kyçit, gjë që flet për praninë e infeksionit, deri në pamundësi për të lëvizur kyçin dhe dhimbje të forta.



