Kryefaqja Box 5 Ankthi, ja kur na e shkatërron jetën

Ankthi, ja kur na e shkatërron jetën

0
Shpërndaje

Denisa Canameti, gazeta Shëndet + dhe Shëndeti Online

Të gjithë njerëzit provojnë në jetë ankth përpara apo pas situatave të caktuara dhe konsiderohet si një mënyrë pozitive për t’u mbrojtur. Por në raste të caktuara, ankthi zgjat dhe bëhet pengesë për funksionimin dhe mirëqenien psikofizike të individit. Femrat janë dy deri në tre herë më shumë gjasa të vuajnë nga çrregullimi i ankthit të përgjithësuar më shumë se meshkujt.

Valentina Qemali, psikiatre në Poliklinikën e Specialiteteve nr.3, Tiranë, shpjegon gjendjen e ankthit për lexuesit e gazetës “Shëndet+”.

AnkthiDoktoreshë, çfarë është ankthi?

Ankthi është një ndjenjë e përgjithshme, e vakët frike shpesh ndaj një rreziku të papërcaktuar ose të panjohur, jo real, të  padukshëm. Ankthi normal zgjat pak dhe ndodh në disa situata të veçanta. Ndërsa, nga ana tjetër, ankthi mund të bëhet kronik, me shqetësim të ekzagjeruar, të pakontrolluar, pa ndonjë shkak të dukshëm. Ai mund të bëhet aq i theksuar, sa të krijojë vështirësi në punë, familje e shoqëri.
Dallimi kryesor me ankthin normal qëndron në burimin, kohëzgjatjen dhe intensitetin e përjetimit. Ankthi sjell tek ne mesazhe të së shkuarës, të kyçura në nënvetëdijen tonë. Në shumë raste mund të shoqërojë sëmundje psikiatrike apo neurologjike.

Megjithatë, truri nuk është i vetmi burim ankthi. Shkak mund të jenë edhe disa sëmundje endokrine e metabolike, sëmundje të zemrës e mushkërive apo përdorimi dhe lënia e disa medikamenteve, kafeinës, alkoolit e drogës.

Të gjithë e kemi provuar ndjenjën e ankthit. Rrahje të forta e të shpeshta të zemrës para një provimi, para një situate të rëndësishme, gjatë një takimi te ri, para një vendimi të rëndësishëm etj.  Është normale të shqetësohesh vazhdimisht e të jesh I tensionuar, nervoz ose i frikësuar në pak kohë përballë një presioni ose situate stresuese si puna, familja, shkolla, martesa, divorci, sëmundjet. Ankthi konsiderohet sëmundje kur ai prish funksionimin apo cilësinë e jetës kthehet në një problem që duhet marrë seriozisht.
Vitet e fundit ka pas një rritje të numrit të personave që vuajnë nga ankthi. Më të prekura janë adoleshentet, gratë në premenopauzë, profesionistët me  shumë ngarkesë, moshat e treta kryesisht ata që jetojnë vetëm. Më të prekura janë femra tek të cilat simptomat e ankthit janë më të shprehura.

Cilat janë simptomat?

Shenjat apo simptomat ndryshojnë nga personi në person dhe varen nga niveli dhe çrregullimi i

ankthit që kanë. Personat nën ankth vuajnë ndjenjën e mbytjes në fyt, lëmsh në stomak, mpirje të gjymtyrëve, mpirje në kokë, frikën nga vdekja, frika se po çmenden, nervozizëm, pagjumësi, dhimbje koke, dridhje, tension muskular etj.

Ata e kanë të vështirë të përqendrohen, mund të jenë të irrituar apo nervozë, mendojnë më të keqen, shohin për shenja rreziku, bëjnë lidhje të gabuara të gjërave, ekzagjerojnë pasojat e një fakti, si dhe japin përfundime pa prova.

Ka raste kur nuk dalin pa shoqërinë e të afërmve si siguri për të mos pësuar atake paniku, të cilat i përjetojne si atake kardiake. Vetë ankthi mund të shfaqet me simptoma kardiake, duke shkaktuar të rrahura të shpeshta të zemrës, dhimbje gjoksi.  Ankthi mund të shfaqet dhe me tharje goje, vështirësi në gëlltitje, ndjenjën e lëmshit në fyt, dhimbje stomaku, diarre, vështirësi në frymëmarrje, ndjenja e mbytjes, frymëmarrje të shpeshtë (që shoqërohet me zbehje, mpirje, ngërçe të duarve e këmbëve), marrje mendsh, dhimbje koke, lodhje, pagjumësi.
Të sëmurët i ngatërrojnë ato me sëmundje fizike, e pranojnë sëmundjen me vështirësi, prandaj drejtohen për vizitë në shumë mjekë.

Çfarë ndërlikimesh sjell?
Ankthi i pakontrolluar mund të shpërthejë apo përkeqësojë sëmundjet shkaktare apo sëmundjet bashkëshoqëruese.
Ankthi i pamjekuar mund të precipitojë në çrregullime të humorit dhe probleme të të menduarit, çka e bën individin të kufizohet nga një sërë aktivitetesh, prish cilësinë e jetës deri në izolim social.
Dallohen disa lloj çrregullimesh ankthi, ku mund të përmendim ataqet e panikut, të cilat përshkruhen si episode të menjëhershme, intensive e të shkurtra frikë e terrori, që shfaqen me ose pa situata specifike nxitëse. Shpesh njerëzit kanë ndjenjën se janë duke vdekur, fobitë shfaqen si reagime frike intensive që shpërthehen nga situata apo objekte të veçanta, si lartësitë, mjediset e mbyllura, avionët, merimangat, gjarpërinjtë etj.
Ankthi social shfaqet në formën e frikës nga një situatë e sikletshme e mundshme në shoqëri. Të tilla situata janë diskutime në grupe të vogla, takime, festa e sporte.
Çrregullimi i ankthit të përgjithshëm karakterizohet nga një ndjenjë e vazhdueshme ankthi.
Çrregullimet obsesionale-kompulsive paraqiten me mendime ose veprime të padëshiruara, të përsëritura e të panevojshme.
Sindromi i stresit post-traumatik është një ankth i shkaktuar nga një ngjarje stresuese, si: luftërat, aksidentet automobilistike, katastrofat natyrore. Kjo traumë ripërjetohet herë pas here në formën e kujtimeve dhe ëndrrave të frikshme.

Cilët janë faktorët e riskut?

Ka një sërë faktorësh risku që ndërveprojnë midis tyre në lindjen e çrregullimeve të ankthit. Këtu mund të përmendim problemet ekonomike, konfliktet familjare, sëmundjet kronike, abuzimi me alkoolin, traumat në fëmijëri, divorci i prindërve, divorci i partnerëve, humbja e personave të dashur, aksidentet automobilistike, prindër shumë kritikë, personat me mungesë besimi në vetvete, të mbingarkuar dhe një rol shumë të rëndësishëm luan trashëgimia.

Trajtimi i ankthit
Trajtimi i ankthit varet nga forma dhe intensiteti i tij. Shumica e çrregullimeve të ankthit trajtohen me psikoterapi, mjekim medikamentoz ose një kombinim i të dyjave.
Në varësi të llojit të çrregullimit të ankthit mund të përdoren medikamente të tilla si: anksiolitiket, antidepresivët dhe disa betabllokues. Koha e trajtimit 3-6 muaj është në varësi të gjendjes dhe shkallës së rëndimit të simptomave. Duhet të shmangni vetëmjekimin apo mjekimin nga profesionistë që nuk e njohin këtë sëmundje, pasi përdorimi i mjekimit pa kriter mund të bëhet shkak për varësi. Fillimi dhe ndërprerja e mjekimit bëhet gjithmonë nga mjeku psikiatër. Efekti i tyre është më i mirë nëse shoqërohet me psikoterapi.
Psikoterapia përqendrohet në mendimet dhe sjelljen. Ajo ndihmon në identifikimin dhe shmangien e mendimeve negative dhe joreale që ushqejnë ankthin dhe zëvendësimin e tyre me mendime pozitive. Një përbërëse e rëndësishme e terapisë njohëse është terapia e ekspozimit. Ajo vë të sëmurët përballë frikërave në një ambient të sigurt. Falë ekspozimeve të përsëritura, rrit besimin në vetvete për të kontrolluar më mirë ankthin. Kohëzgjatja e kësaj terapie është 12-20 javë.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here