Kryefaqja Aktualitet Arben Baboci, kirurgu i zemrës së fëmijëve

Arben Baboci, kirurgu i zemrës së fëmijëve

0
Shpërndaje

Bisedoi: Denisa Canameti

Shërbimi i kardiokirurgjisë në QSUT është një nga shërbimet më komplekse, e njëkohësisht një nga shërbimet me një ekip të jashtëzakonshëm, e në shumë elementë të vet, e pakonkurrueshme nga asnjë shërbim privat në vend.

Arben Baboci i ka kushtuar të gjithë jetën e tij profesionale këtij shërbimi, duke qenë një nga emrat që ka kontribuar potencialisht në zhvillimin e tij. Ka refuzuar çdo ofertë për të shërbyer jashtë vendit, dhe çdo ofertë nga spitalet private brenda vendit, duke përqendruar çdo energji në rastet tejet të vështira që ky shërbim trajton. Në një intervistë ekskluzive për “Shëndet plus”, kardiokirurgu Baboci flet për vitet e gjata në QSUT, kompleksitetin e punës si kardiokirurg, rëndësinë e funksionimit në ekip dhe pak për jetën e tij personale.

Doktor, sa vite keni në sistemin shëndetësor, që nga koha e specializimit e deri tani?

Unë jam diplomuar në vitin 1980 dhe direkt fillova punë në kirurgji. Në atë kohë ishte në një repart kirurgjia e përgjithshme me kirurgjinë vaskulare edhe kardiokirurgjia. Isha i emëruar në kardiokirurgji. Por, njëkohësisht bëra dhe kirurgjinë e përgjithshme.

E gjithë karriera juaj është përqendruar në QSUT?

Po në QSUT dhe në Fakultetin e Mjekësisë. Pas 2 vjetësh që fillova punën, fillova punë dhe si pedagog në Fakultetin e Mjekësisë. Në ato vite ishte vetëm kirurgjia e përgjithshme si lënde e vetme, nuk kishte dal akoma si lëndë më vetë kardiokirurgjia. Nuk kishte një shkollë specializimi, ishte shpejt. Në atë kohë u formua ekipi i plotë i kardiokirurgjisë. Profesor Petrit Gaçja e themeloi bashkë me  ndihmën e Veli Zogut dhe Ali Alushanit. Pas tyre erdhi një grup kirurg, anestezist reanimator, kardiolog, që plotësuan ekipin dhe që filloi me përmasa më të mëdha, puna me volum dhe gamë më të gjerë në kardiokirurgji.

Si ka qenë procesi i zhvillimit të shërbimit të kardiokirurgjisë?

Gjithmonë e mendoj këtë gjë dhe ua them edhe studentëve që ka filluar shumë shpejt kardiokirurgjia në Shqipëri. Përdorimi i makinës zemër – mushkri artificial që hapi erën e madhe të kardiokirurgjisë për të korrigjuar të gjithë defektet e zemrës, për herë të parë u fillua në 1955 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë, në vitin 1971 u bë në Shqipëri. 15 vjet më pas. Pak a shumë këto afate kanë qenë edhe për shumë procedura të kardiokirurgjisë.  Ka qenë pa diskutim, vullneti dhe vizioni i profesor Gaçes në radhë të parë dhe i bashkëpunëtorëve të tij që u bë e mundur kjo gjë.

Kardiokirurgjia është një specialitet shumë i ndërlikuar, shumë kompleks, është një sfidë që i bëhet natyrës dhe për këtë fakt bëhet shumë komplekse kjo lloj kirurgjie dhe kërkon jo vetëm organizim të shkëlqyer po kërkon infrastrukturë shumë të mirë, aparatura shumë të mira, kërkon njerëz shumë të kualifikuar dhe pastaj të gjitha repartet mbështetëse dhe bashkëpunuese

Ju jeni fokusuar te kardiokirurgjia pedriatrike, sfidë akoma më e madhe kur bëhet fjalë për fëmijë…

Kur bëra specializimin e kardiokirurgjisë, këtu operohej pak. Kështu që,  mua mu dha mundësia të shkoja në Paris të bëja specializim të gjatë atje. Në atë qendër ekselence shumë të mirë dominonte kirurgjia pediatrike e zemrës dhe që në fillim më hyri në zemër, më pëlqente shumë kjo lloj kirurgjie. Sepse është një kirurgji jo standarde, është një kirurgji që ndeshesh me kapriçot e natyrës.  Të rikrijosh  me sa të mundësh një zemër normale nga një zemër e dëmtuar. Bëheshin atë kohë një pjesë e operacioneve në fëmijë të rritur, kur dihet që kjo lloj kirurgjie duhet kryer në shumicën dërrmuese të fëmijëve brenda vitit të parë të jetës, madje që ditët e para, javët e para të jetës. Edhe infrastruktura, edhe njerëzit nuk ishin përgatitur akoma për këtë gjë. Në vitin 2000 unë realizova një projekt, ideova dhe realizova, me koleg dhe miq Italian të Kryqit të Kuq të Qendrës Kombëtare të kërkimit në Piza një projekt.  Kardiokirurgjia këtu, struktura, spitali jonë, u ristrukturua (sallat, reaminacioni) dhe ishte e vetmja strukturë në Shqipëri, e para kirurgjikale që plotësonte normat e komunitetit Evropian në atë kohë. Kjo bëri të mundur që mund të hyjë dhe në mosha më të vogla. Sigurisht që kërkonte dhe një bashkëpunim dhe asistencë sepse nuk mjafton vetëm kirurgu që ta di atë gjë por e gjithë ekipi. Kështu që me një projekt tjetër i përbashkët me mjek shumë të shquar Italian, realizuam një sërë misionesh në Shqipëri. Ata vinin si ekip tre herë në vit, rrinin nga 1 javë të zgjidhnim raste dhe punonim bashkarisht (ne punonim ata na ndihmonin) në mënyrë që i gjithë ekipi të sinkronizohej, të specializohej, për të bërë të mundur këtë lloj gjëje. Unë fillova me këto lloj  raste që në vitin 2000-2001, raste që ishin 6-7 muajsh por nuk ishin kaq të rregullta. Gradualisht pas vitit 2004-2005 u punua fort dhe u arrit që brenda një 10- vjeçari të zgjidheshin shumica dërrmuese e problemeve dhe ne sot rrallë operojmë fëmijë të rritur. Shumica e rasteve që operojmë sot është brenda vitit të parë të jetës. Sepse një numër i madh i këtyre sëmundjeve kanë një histori natyrore shumë të keqe, dhe nëse nuk i operon shpejt këta fëmijë i humbasim. Por nga ana tjetër përfitimi që kanë për të ardhmen është jashtëzakonisht i madh, kur i operon në këtë faze, pa pësuar zemra, mushkëritë dhe organet e tjera dëmtime nga pasojat që shkakton ky keqformim i zemrës dhe kjo sëmundje. Kështu që shumica e tyre bëhen fëmijë normal.

Doktor, sa fëmijë operoni në muaj? Sa fëmijë shpëtoni  përmes kësaj ndërhyrje?

Po mund të themi që statistikisht Shqipëria për aq lindje sa ka në vit, ka qenë rreth 30,000 lindje para një viti apo para dy vjetësh, nuk e di aktualisht sa janë, janë  rreth 250 fëmijë apo më pak fëmijë që lindin në vit me patologji të tilla. Jo të gjithë kanë nevojë për kirurgji nga këta, ka nga ata që zgjidhen në rrugë të tjera por rreth 150, 170 kanë nevojë për t’u operuar.

A ka raste doktor që krahas profesionalizmit tuaj, iu është dashur të merrni me vete në sallë edhe një besim apo lutje shumë të madhe… Pra, a keni kryer ndërhyrje vërtet të vështira dhe të rralla?

Këtu janë bërë pothuajse të gjitha ndërhyrjet për keqformimet e lindura të zemrës edhe ato më komplekse. Mund të ketë ndonjë patologji që është shumë e rrallë dhe që kërkon disa gjëra mbështetëse, plus që nuk i ke për një vend të vogël si ne, por janë të rralla. Shumica dërrmuese e sëmundjeve të lindura të zemrës këtu operon me shumë sukses. Sigurisht që dhe vështirësia nuk varet vetëm nga kompleksiteti i keqformimit të zemrës që është një faktor shumë i rëndësishëm por varet sigurisht dhe nga gjendja e organizmit të fëmijës. Sepse është një organizëm i vogël dhe i papjekur tamam që duhet të përballoj një trauma, një ndërhyrje të madhe. Por, kemi pasur rezultate dhe shumë të mira.

Ju folët për eksperiencën jashtë dhe për punën në ekip. Sa e rëndësishme është puna në ekip që të funksionoje e tëra. A kemi ne aktualisht një ekip që funksionon mirë dhe që garantojnë funksionimin e këtij shërbimi?

Në çdo fushë të veprimtarisë njerëzore suksesi është puna në ekip, në skuadër. Kjo i zgjidh të gjitha problemet. Por, në kirurgjinë e zemrës kjo është e padiskutueshme, e panegociueshme ta quajmë. Kjo është kaq e vërtetë saqë unë gjithmonë them, NE këtë rast e operuam kështu, këtë rastin tjetër NE e operuam ashtu. Pra, jemi NE! Ka gjithmonë nga një kirurg që operon por asnjëherë nuk është e mundur që kjo punë të bëhej nga një njeri, nga dy njerëz, nga tre njerëz. Dhe jo vetëm që është një ekip i tërë që fillon nga kardiologët, që nga neurologët që japin diagnozën, kardiologët që më pas e verifikojnë këtë gjë, por janë dhe anestezistët- reanimator që kanë  një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në këtë lloj kirurgjie. Pra, kërkon jo vetëm një punë në ekip, me harmoni,  por kërkon dhe një punë shumë të kujdesshme që nuk të fal kur çrregullohen hallkat e funksionimit të ekipit. Nuk mund të ekzistojë kirurgjia e zemrës pa pasur një ekip vërtetë të përgatitur mirë dhe që të funksionojë. Ne e kemi këtë ekip. Nuk kemi akoma një qendër, mbase dhe volumi nuk është shumë i madh, por do ishte mire një qendër që do të ishte e dedikuar. Kjo nuk do të thotë të ngresh një spital të ri brenda strukturave, është më tepër problem organizimi që i mbledh këta njerëz bashkë. Pra, është ajo hallka e organizimit të punës që është shumë e rëndësishme në këtë gjë.

Doktor, sistemi shëndetësor shqiptar themi që është një sistem në përmirësim ndërkohë që ju keni eksperienca jashtë dhe keni parë një mjekësi të zhvilluar, krahasimisht. Nuk e keni menduar që të qëndroni atje, pasi çdo mjek apo çdokush në profesionin e vet, për t’u ndjerë profesionist joshet ndoshta nga një ofertë e mirë? Keni pasur oferta?

Oferta kam pasur të them të vërtetën, që kur isha herën e parë, në fillim të viteve ’80 kur kam qenë në Paris.  Oferta për të punuar me ta është një gjë jashtëzakonisht e mire. Por, në atë kohë nuk bëhej fjalë  për shumë arsye. Në radhë të parë pjesa politike e problemit, që po të rrije atje sigurisht që pasojat për ata që kishin mbetur këtu ishin shumë të rënda dhe nuk bëhej fjalë , as nuk e mendoja kurrë. Më pëlqeu, më përkëdheli në sedër kjo ftesa, por asnjëherë e mendova. Mundësitë më të mëdha pastaj ishin në fillim të viteve ’90 që rruga ishte e hapur. Nuk u josha të rrija (në Itali)  për një sërë arsyesh të rëndësishme. Ku në radhë ta parë doja, e kisha sfidë të jetës sime që ta bëja këtë lloj kirurgjie të fëmijëve në Shqipëri. Pastaj dhe arsye të tjera familjare; ishim bërë me fëmijë, ishin më të ndërlikuara gjërat por kështu ka qenë.

Ndërkohë, po oferta nga spitalet private doktor, keni pasur?  Kam informacione që ju nuk keni pranuar asnjëherë të punoni në privat, pse?

Unë nuk kam punuar asnjëherë në spitalet private. Kam qenë për të dhënë një mendje, për të ndjekur ndonjë rast, thjesht në ndihmë të një kolegu  (jo me pagesë) dhe kaq. Por nuk ka asgjë të keqe që të punosh në privat, në periudhën e kohës që ke jashtë detyrimeve të publikut. Por, një nga arsyet ka qënë se asnjë spital privat nuk merr përsipër as deri më sot të bëjë kirurgji të fëmijëve.  Vetëm shteti e bën kardiokirurgjinë pediatrike, vetëm këtu bëhet, në QSUT. Kërkon tjetër gjë komplet. Është kirurgjia e të rriturve. Fëmija nuk është një burrë i vogël, është një organizëm komplet tjetër, do njerëzit në rradhë të parë shumë të përgatitur, do pajisje, organizim, ka kosto të lartë. Kështu funksionon dhe në botë, shumë pak janë qendrat private, strukturat private që operojnë fëmijë. Janë strukturat publike, universitare që merren me fëmijët.

Doktor ju keni një punë shumë sfiduese, shumë stres se normalisht të gjitha këto që thoni përjetohen, puna me fëmijët, shkalla e vështirësisë… Po familja juaj, sa në borxh ju jeni për kohën?

Familja ka qenë mbështetje, që nga prindërit e mi.  Prindërit e mi nuk kanë qenë mjek, por im atë e ka dashur gjithmonë që unë të bëhesha mjek  dhe më kanë mbështetur gjithmonë. Pastaj, ime shoqe ka qenë shumë e mirëkuptueshme te kjo pjesë, mbase duke qenë dhe vetë e fushës. Nuk është mjeke por stomatologe,  por si e fushës i kuptonte më mirë gjerat. Jam përpjekur që të paktën ti mbaj larg shqetësimeve të mia, mos t’i ndaja, mos t’i induktoja në familje këto gjëra. Gjithmonë në familje kam qenë I qetë. Pse duhet t’i fusja në ankth, në shqetësim nga njëra anë.  Nga ana tjetër pastaj me fëmijët nuk i kam munguar kurrë për sa i përket kohës që duhet të shpenzoja me ta. Edhe për kohë të lirë por edhe kur kanë pasur nevojë për mësimet. Unë kam dy vajza që janë bërë të dyja stomatologe , kanë marrë zanatin e nënës së tyre dhe unë jam i kënaqur për këtë.

Ju jeni dhe pedagog, prej sa vitesh ?

Jam prej 35 vitesh pedagog.

Fillimisht kirurgji të përgjithshme, pastaj nga ’93 është krijuar shërbimi I kardiokirurgjisë dhe kaluam në lëndën e kardiokirurgjisë.

Po sistemi arsimor doktor si ka ndryshuar, si ka evoluar, a është e vërtetë që nuk është më ai interesi apo ambicia që ka pasur brezi juaj ?

Pjesa e arsimimit shëndetësor është shumë i rëndësishëm se këta njerëz janë që do ta vazhdojnë të furnizojnë atë armatë mjekësh që është gjithandej në vend. Kam thënë gjithmonë që ka pasur dhe ka student që janë të përkushtuar siç dhe ka pasur dhe ka student që nuk janë të përkushtuar, jo të gjithë kanë qenë të shkëlqyer. Dhe sot mund të them që ka plot student që janë shumë të mirë dhe të përkushtuar.

Një fakt i thjesht për të vlerësuar dhe shkollën tonë:  Puna e parë është që mjekësia merr studentët më të mirë që vinë nga shkollat e mesme. Por, kanë ikur plot dhe në Gjermani apo jo? Nga këta mjek të rinj që sapo kanë mbaruar, nuk është kthyer asnjë. Të gjithë po punojnë si mjek andej. Ky është një tregues i shkollës sonë.  Pedagogët në përgjithësi janë të përkushtuar, shumica dërrmuese e tyre dhe përpiqen të bëjnë punën e tyre me pasion. Sigurisht ka diferenca, njerëz jemi. Por unë them që Fakulteti i Mjekësisë është një shkollë e mirë që ka vende plot për ta forcuar dhe përmirësuar.

Doktor, si do ta përkufizonit sistemin shëndetësor në Shqipëri ?

Duhet të jemi realist kur flasim. Unë jam marrë goxha me sistemin shëndetësor, kam studiuar, kam shkruar, për sistemet e ndryshme shëndetësore  në vende të ndryshme edhe e di sesi funksionon kjo gjë. Në radhë të parë është shumë e vështirë që të kesh një sistem shëndetësor 100% efiçentë dhe t’i plotësojë të gjitha, pa pasur një mbështetje financiare të mjaftueshme. Shteti nuk prodhon para, shteti menaxhon  para. Ose do t’i marrë nga sigurimet shëndetësore ose do përdorë taksat për të hedhur një pjesë të tyren në sistemin shëndetësor (ai që quhet mbulimi universal), pra nga diku këto para do t’i marrë. Në radhë të parë duhet të kontribuojmë ne vetë. Po të shohësh sa njerëz kanë sigurim shëndetësor dhe po të shohësh veturat. Ka më shumë autovetura them unë, nuk e di statistikisht, sesa njerëz që kanë siguruar shëndetin. Makinat i kanë të siguruara sepse nuk i lejon njeri të qarkullojnë pa pasur makinën e siguruar, te shëndeti rezultojnë të pa siguruar. Po nuk u kontribuua në këtë gjë, nuk mund të mbahet buxheti me kontribute të pagave të ulëta. Dhe këtu duhet të punohet me sensibilizimin e të gjithëve, kjo do të rregullonte dhe pagat, dhe të mos mungojë asnjë medikament nga më të çuditshmit deri tek më i thjeshti, të mos mungojë asnjë aparaturë etj.

Po marrëdhënia me pacientët apo me familjarët, si ka qenë?

Kjo është një pjesë shumë e rëndësishme e punës së mjekut. Mjeku duhet të jetë dhe pak psikolog dhe duhet të jetë dhe një njeri që e mendon sikur e ka dhe vetë atë hall kur bisedon me familjarët. Të vihet në pozitat e tyre që të ketë një komunikim normal. Duhet të ketë durim sepse jo të gjithë e kuptojnë problemin ose jo të gjithë e kuptojnë shpejtë. Mund të harxhosh kohë dhe frymë, dhe mërzitesh se thua po harxhoj kaq shumë kohë, por duhet të kesh durim.

Po të marrësh dhe të bësh një anketë për familjarët që largohen nga spitali, po flas për pacientët tanë në kardiokirurgji  pjesa dërrmuese e tyre janë të kënaqur, shprehin kënaqësinë. Sigurisht që dëgjon lloj lloj gjërash, sepse këtu kanë ndërhyrë shumë faktor, nuk është vetëm sesa kanë bërë mjekët por sa ka bërë dhe media dhe politika në vite. Por, them se ai që e provon një shërbim shëndetësor të kujdesshëm siç është këtu te ne, shumica dërrmuese e këtyre njerëzve do të shprehen me goxha mirënjohje për atë punë që është bërë aty. Pastaj, krijohet ndonjëherë konflikt sepse vjen ndonjëri, se dhe listë pritje do të ketë se ka në të gjithë botë edhe këtu do të ketë, dhe fillojnë të flasin. Por, se kanë provuar , nuk e kanë kaluar eksperiencën. Kur e kalojnë shumica prej tyre janë të kënaqur sepse ne kemi një grup mjekësh të përkushtuar, të aftë, të edukuar dhe rrallë ndodh ndonjë konflikt.

Doktor, ju i keni dhënë sistemit shëndetësor një emër, pasi ju jeni një ndër emrat më të nderuar në sistemin shëndetësor shqiptar. Po sistemi shëndetësor, a ju ka kënaqur, a jua ka dhënë atë statusin apo shpërblimin e merituar?

Shpërblimin në radhë të parë ti e pret nga njerëzit, që është mirënjohja. Kur njerëzit janë mirënjohës, kur njerëzit të kujtojnë për atë që ke bërë për ta ky është një shpërblim shumë i madh, është një kënaqësi  shumë e madhe shpirtëror, jashtëzakonisht e rëndësishme. Ka shumë njerëz që mbarojnë atë hall që kanë dhe normalisht i merr rrjedha e jetës së tyre, por një mjeku i pëlqen që për Vitin e Ri ,për shembull, t’i vijë një mesazh në telefon ku ta urojnë Gëzuar, ta kujtojnë, të kenë mirënjohje për atë që ke bërë.

Pastaj, pjesa e sistemit, institucionale, unë i kam marrë frytet e karrierës sime dhe jam i kënaqur për atë ecuri dhe për atë kontribut që kam dhënë. Pjesa materiale nuk diskutohet sepse këto janë mundësitë dhe gjithmonë njeriu thotë që është e pamjaftueshme dhe mirë është që mjeku dhe personeli mjekësor të shpërblehet ashtu siç duhet.

Po politika, a ju ka joshur ndonjëherë?

Jo! Politika nuk më ka joshur kurrë. Ne shqiptarët do flasim pak për politikë, do merremi pak me politikë nëpër tavolina. Por për të qenë pjesë e saj nuk kam qenë kurrë. Kam pasur oferta që në fillim, por kurrë nuk kam dashur të merrem me politikë, sepse e para do të detyrohesha të largohesha nga profesioni, siç janë larguar shumë nga kolegët tanë që kanë qenë mjek të shkëlqyer, dhe ky është një handikap për profesionin. Dhe tjetra, më është dukur që në politikë duhet të hysh në rresht. Në rresht më pëlqen të hy në profesion, nuk më pëlqen të hy në rresht në gjëra të tjera përveç profesionit. Dua të jem i lirë!/Shendeti.com.al

 

 

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here