Mirela Hitaj
Mjeke alergologe
Virozat, ndryshimi i presionit të ajrit, ditët me shi, janë disa nga shkaktarët që ndikojnë në acarimin e astmës. Mjekja alergologe, Mirela Hitaj, jep disa këshilla se si mund të shmangen rishfaqja e krizave të astmës gjatë stinës së dimrit:
Doktoreshë, pse periudha e dimrit është mjaft problematike për të sëmurët me astmë?
Dihet që periudha e vjeshtës së vonë dhe dimri, janë mjaft problematike për personat që vuajnë nga astma. Arsyet pse kemi një acarim apo rishfaqje të simptomave janë disa. Kështu së pari dihet që gjatë kësaj periudhe të vitit ka një nivel të lartë lagështie, gjë që ndikon në shumimin dhe zhvillimin e akarieneve (pluhurave të shtëpisë), që njihen si një shkaktarët e shpërthimit të astmës dhe shfaqjes së krizave të kësaj sëmundjeje. Arsye tjetër që ndikon në shfaqjen e këtyre problemeve është prania e virozave që qarkullojnë në këtë peridhë. Dihet që pas një viroze, ekziston rreziku i shpëthimit të një krize atsme. Po ashtu bronkopneumonitë, që janë më të shpeshta gjatë kësaj periudhe, ndikojnë në shfaqjen dhe riakutizimin e simptomave të astmës bronkiale. Po ashtu vetë ndryshimi i presionit atmosferik dhe lagështia, ndikojnë në shfaqjen e problemeve.
Rekomandohet kryerja e vaksinës antigrip te këta persona?
Po. Këta persona janë kontigjenti që u rekomandohet më tepër kryerja e vaksinës anti-grip, pasi janë më të predispozuar të preken nga gripi apo virozat, por dhe nga ndërlikimet që mund të shfaqen si p.sh bronkopneumonitë. Veçse duhet treguar kujdes sepse duhet që para se të kryhet vaksina, të bëhet një konsultë me mjekun specialsit, pasi duhet që personi që do të vaksinohet duhet të jetë i shëndetshëm (nuk duhet të ketë asnjë shqetësim, virozë, temperaturë,etj) sepse mund të bëhet shkak për shpërthimin e një sëmundjeje tjetër.
Çfarë u këshillohet këtyre personave gjatë stinës së dimrit, në mënyrë që të shmangin krizat e astmës?
Së pari rekomandohet që çdo rast gripi, viroze apo bronkopneumonie duhet të drejtohen te mjeku alergolog, sepse mund të shihet mundësia e shtimit të dozës së mjekimit. Kjo do të thotë që përveç mjekiti me antibiotikë, antimykolitikë, mund të shihet mundësia të shtohen antiinflamatorë steriodë si p.sh kortizoni. Gjithësesi këtë duhet ta përcaktojë vetëm mjeku alergolog,i cili përcakton dhe dozën dhe skemën e mjekimit.
Po ashtu rekomandohet që në rastin e riniteve nga pluhurat, duhet të drejtoheni te mjeku specialist, sepse shpesh mund të mjekohen te mjekë të tjerë pa e ditur se janë alergjikë. Por kjo mund të ndikojë në acarimin e gjendjes. Po ashtu rekomandhohet shmangia e daljeve herët në mëngejs, apo vonë në darkë, sidomos në ditët kur është shumë ftohtë, sepse vetëm thithja e ajrit të ftohtë, ndikon në shpërthimin e një krize astme. Po ashtu rekomandohet mbarojtja maksimale ndaj virozave, që përfshin si shmangien e kontakteve me të sëmurë, ashtu dhe ndjekjen e një rregjimi ushqimor që ndikon në forcimimin e sistemit imunitar. Përveç këtyre rekomandohet shmangia në maksimum i ambjenteve të mbipopulluara dhe me tym duhani.
Shkaqet e acarimit të astmës në dimër
-lagështia e ajrit
-ndryshimi i presionit atmosferik
-i ftohti
-virozat dhe gripërat
– bronkopneumonitë
-etj
këshilla
-qëndroni në vende të ajrosura mirë
-eliminoni ambientet e paajrosura mirë dhe me mykra
-bëni vaksinën anti-gripë, vetëm nën rekomandimin e mjekut specialist
-shmangni daljen në ditët e ftohta, sidomos në mëngjes herët dhe në darkë vonë
-shmangni qëndrimin në ambjente të mbipopulluara dhe me tym duhani
-zbatoni me përpikmëri rekomandimet e mjekut alergolog



