Kryefaqja Lajm kryesor Babeta Rexhepi, infermierja që po shënon emrin e saj në letërsi

Babeta Rexhepi, infermierja që po shënon emrin e saj në letërsi

0
Shpërndaje

Bisedoi: Blertina Koka

Ajo është ndër të paktat infermiere në Shqipëri shpresëplotë që ky profesion një ditë do të marrë vlerësimin e merituar. E vendosur për të përmirësuar figurën e infermierit në Shqipëri, punon me shumë pasion për t’ia arritur.

E pranon që është pak idealiste dhe beson tek ëndrrat e mëdha, megjithatë, shpirti i artistit ia lejon një gjë të tillë.

Them shpirt artisti se, përveç se një infermiere e përkushtuar, ajo ka pasion edhe të shkruarin.

Autore e vëllimit me poezi “Fjalët e Librit”, i cili në panairin e sivjetshëm u radhit si më i shituri në shtëpinë botuese ku u botua libri, fituese e çmimit të parë me prozën “Selma” në Festivalin Letrar për të Rinj (edicioni i 3-të), fituese e çmimit të dytë për interpretim në një konkurs organizuar në Shkodër, e përfshirë në antologji të ndryshme vendase dhe botërore, Babeta Rexhepi po shënon emrin e saj edhe në letërsi.

Shpirtëmadhësia dhe humaniteti janë sipas saj ata që bëjnë bashkë botën e letërsisë me atë të mjekësisë.

Kush është Babeta Rexhepi?

Në profesion: Prej 10 vitesh ushtron profesionin e infermierisë (mami-infermiere), e specializuar për të shërbyer në frontin e parë të shërbimit shëndetësor për pacientin e sëmurë. Në maj të vitit 2017 ajo mori një certifikatë nderi nga “Urdhri i Infermierit të Shqipërisë” si “Infermierja më e Përkushtuar e Vitit”.

Në jetë, Babeta Rexhepi është një njeri i thjesht që Zoti i ka dhënë fatin të ketë një familje të jashtëzakonshme, që e ka mbështetur në çdo ëndërr të saj.

Në një intervistë për gazetën “Shëndet+”, Babeta rrëfen për dy pasionet e saj të mëdha (infermierinë dhe të shkruarin), vendosmërinë për të rritur figurën e infermierit në Shqipëri, sfidat me të cilat përballen më shumë infermierët, arsyeja përse shumë prej tyre po migrojnë jashtë atdheut etj.

Babeta, si infermiere. Më fol pak për të. Përse zgjodhët pikërisht këtë profesion?

Është një fenomen kontradiktor në jetën e të riut kur i duhet të zgjedh një profesion. Nga njëra anë është shumë i ri për të marrë vendimet e duhura dhe nga ana tjetër ka një limit kohor për t’u menduar. Unë personalisht zgjodha infermierinë sepse më pëlqen të ndihmoj dhe përkujdesem për të tjerët. Gjithmonë më ka bërë të ndihem mirë fakti se mund të ndikoja pozitivisht në jetën e dikujt.

Sot mund të them e lumtur se infermieria arriti të më plotësojë në këtë aspekt.

Çfarë e bën të veçantë profesionin e infermierit?

Infermieria është një profesion i larmishëm. Ti je profesionisti shëndetësor më në kontakt me pacientin; ti kuron plagët e tij, i krijon suport psikologjik duke i kuruar kështu dhe shpirtin, e dëgjon si mik i mirë për çdo shqetësim që ka dhe e informon si edukues për çdo informacion që ai ka nevojë të dijë mbi sëmundjen e tij. Ka njerëz që mendojnë se infermieria është vetëm bërja e një gjilpëre, por në fakt infermieria është shumë më tepër. Ajo është një art më vete.

E jo kushdo është në gjendje të jetë një infermier i mirë.

Së fundmi keni marrë një certifikatë nderi nga “Urdhri i Infermierit të Shqipërisë” si “Infermierja më e Përkushtuar e Vitit”. Çfarë ndjesie të jep ky titull?

Unë e ushtroj infermierinë prej 10 vitesh. Kam ushtruar shërbimin tim si në sektorin publik edhe privat. Kam referuar si lektore në konferenca të ndryshme, në vende të ndryshme të Shqipërisë. Kam punuar vullnetarisht në edukimin e të rinjve dhe grupmoshave në risk mbi stilin e duhur të jetesës. Kam shkruar dhe vazhdoj të shkruaj sistematikisht në kuadër të ngritjes së figurës infermierore. Pra, mendoj se kam punuar seriozisht në këtë drejtimi. Por dhënia e këtij vlerësimi më nxit të punoj më shumë dhe të bëj gjëra edhe më të bukura në drejtim të infermierisë.

Keni menduar ndonjëherë: Çfarë m’u desh kjo punë?

Jo, nuk e kam menduar asnjëherë kaq të zymtë profesionin tim. Pavarësisht plogështisë që na pushton gjithë qenieve njerëzore në momente të caktuara, gjithmonë kur kam parë një pacient të bëhej më mirë në saj të shërbimit tim, i kam thënë vetes: Unë kam lindur për të qenë infermiere!

Ka diçka që jua prish ditën e punës?
Asgjë nuk ma prish më shumë ditën se sa kur gjërat nuk shkojnë mirë me pacientët. Në punën tonë ne ndeshemi dhe me vdekjen, dhe pavarësisht se ne bëjmë të pamundurën tonë për të mos e humbur një pacient, gjërat ndonjëherë nuk shkojnë ashtu siç duhet.

Në momentet e vështira, sa e rëndësishme është për ju mbështetja e dikujt? Këshilloheni?

Sigurisht që po. Unë jam kjo infermiere që ti sheh sot falë atyre mësuesve që ditën të transmetonin bukur dijet e tyre tek nxënësi dhe falë atyre infermierëve që më kanë mbështetur dhe ndihmuar në fillimet e mia. Asgjë nuk arrihet vetëm, jemi qenie sociale dhe kemi nevojë për tjetrin si në momentet tona të vështira edhe në ato të gëzuara.

Përveç se një infermiere shumë e përkushtuar, identifikoheni edhe si poete, ku keni fituar një çmim të parë në prozë, si dhe keni botuar vëllimin me poezi “Fjalët e Librit”. Çfarë e lidh një infermiere me botën e letërsisë?

Shpirtmadhësia, një infermier shkel në jetën e shumë personave dhe nëse  ka arritur që nëpërmjet punës së tij të depërtojë dhe në zemrën e tyre, ai ka bërë një punë të mrekullueshme, ka ndikuar në përmirësimin e botës duke e bërë atë një vend më të mirë për t’u jetuar. Të njëjtën gjë bën dhe artisti.

Poetin dhe infermierin i lidh zemërgjerësia dhe humaniteti. Shumë subjekte të shkrimeve të mia janë frymëzuar nga pacientët e mi.

Më fol pak për vëllimin me poezi “Fjalët e Librit”. Sa prej këtyre fjalëve i kushtohen profesionit të infermieres dhe marrëdhënies me pacientin?

Vëllimi me poezi i kushtohet kujtdo. Aty çdo poezi konkludon me një mesazh të caktuar dhe kushdo infermier, si qenie humane dhe me emocione dhe ndjenja të ndryshme, mund ta gjejë veten.

Ndërkohë, po shkruani edhe një libër për infermierët. Mund të na zbuloni disa detaje rreth tij?

Të shkruarit është një pasion i hershëm për mua, kam nisur të shkruaj që në moshën 11-vjeçare dhe në bibliotekën time flenë qindra shkrime të pabotuara. Është e vërtetë që në plan kam botimin e një libri të dytë. Por, meqë ka kohë deri në publikimin e tij, më mirë t’ia lëmë gjithçka kohës.

A e pengon apo e ndihmon Babetën krijimtaria letrare në kryerjen e detyrave të përditshme?

Për të qenë e sinqertë, çdo angazhim kërkon kohë dhe energji, për më tepër që përveç punës dhe shkrimit, unë duhet t’i përkushtohem edhe dy fëmijëve të mi dhe familjes. Megjithatë, vlerësimet me çmime të ndryshme në shkrim dhe realizimet pozitive të shumë projekteve infermierore lënë të kuptosh se deri tani po ja dalim mirë.

Ju menaxhoni grupin shumë të ndjekur në Facebook “Infermierët meritojnë vlerësim”. Pse ky emër? Mendoni se infermierët nuk vlerësohen aq sa duhet?

Është një pyetje që më është bërë shpesh. Arsyeja që e quajta kështu është për të qendërzuar rolin e infermierit në shoqëri, në status dhe gjer tek instancat më të larta. Infermieri është zemra e një spitali dhe, ndonëse roli i tij duket pak si në hije, për shkak se njerëzit e shohin thjesht si një zbatues urdhrash të mjekëve, në fakt puna e tij është shumë më e gjerë dhe e rëndësishme. Një përkujdesje shumë cilësore nga ana e infermierit mund të kursejë shumë para për medikamente në xhepin e pacientit. Gjithashtu, infermierët në Shqipëri punojnë në kushte të vështira, paga të ulëta dhe pa asnjë mundësi për rritje në karrierë. Pra, infermierët meritojnë vlerësim në shumë aspekte.

Cili ka qenë synimi i hapjes së këtij grupi?

Duke parë zhvillimin që ka marrë teknologjia dhe kryesisht rritjen e numrit të përdoruesve në rrjetet sociale si Facebook, më lindi ideja të krijoja një pikë kontakti me gjithë kolegët infermierë nëpër Shqipëri dhe shkëmbimin e mendimeve opinioneve rreth këtij profesioni. Pati një interesim të jashtëzakonshëm, nuk e kisha menduar që për më pak se dy vite të shkonim te rreth 5 mijë ndjekës, që për më tepër janë edhe aktiv.

Jam munduar kryesisht të inspiroj infermierët për ta dashur dhe vlerësuar punën e tyre, sepse një infermier që e do punën e tij është më i lumtur. Por edhe kam ndarë me to informacione mjekësore, specifika të punës, si dhe statuse argëtuese dhe relaksuese. Pak a shumë si një familje e vogël.

Cilat janë problematikat që shtrojnë më shumë infermierët në grupin që ju menaxhoni?

Kryesisht është paga e ulët dhe kushtet e vështira të punës, po flasim për gjithë infermierët e Shqipërisë. Ka infermiere në zonat e thella të Shqipërisë që punojnë në ambulanca dhe spitale në kushte hijeno-sanitare të ulëta, pa ngrohje pa kushtet minimale të punës. Më pas ankesat janë të shumta, si: pakënaqësia ndaj pacientit, frika e humbjes së vendit të punës, trajtimi i keq nga ana e mjekut, mungesa e etikës, pamundësia për të pasur një jetë të rregullt sociale për shkak të ndryshimit të cikleve të gjumit prej turneve, rendimenti i lartë i punës etj.

Si e shpjegoni fenomenin e largimit të shumë infermierëve jashtë Shqipërisë?

Shkaku është i lidhur me pakënaqësinë dhe zymtësinë që na përshkruhet e ardhmja. Ikja në një vend më të zhvilluar se ky i yni duket joshëse dhe shpresëdhënëse për të gjithë. Gjë për të cilën nuk mund të them se e mbështes, përkundrazi.

Që do të thotë se ju do ta refuzonit një ofertë pune jashtë Shqipërisë, nëse do t’ju jepej mundësia?

Nuk e di çfarë më ka rezervuar e ardhmja dhe si do sillesha në një situatë të tillë pa i ditur rrethanat në të cilat do më ofrohej. Por ajo që mendoj në këto momente është të jem një ndikim pozitiv në infermierinë shqiptare, të kontribuoj dhe mbështes këdo që shfaqet si një model pozitiv dhe ta bëjmë Shqipërinë tonë një vend për t’u krenuar dhe jo për të ikur një orë e më parë.

Jam pak idealiste, besoj tek ëndrrat e mëdha.

Për infermierët që ndihen si të “zënë ngushtë” në këtë profesion, çfarë këshille, fjalë frymëzimi do t’ju jepje? 

Si fillim do iu thosha që infermieria për nga vetë misioni që ka është për t’u ndjerë krenar dhe jo i dështuar. Pavarësisht prej rrethanave jo favorizuese, klimës mbytëse, ju duhet të doni së pari mirëqenien tuaj, të kujdeseni për të dhe ta drejtoni jetën tuaj si ëndërroni ju. Ju jeni çelësi i lumturisë apo i dëshpërimit tuaj. Zgjidhja është në dorën tuaj.

Ndërkohë, jeni përzgjedhur për t’u intervistuar edhe nga një blog amerikan si “infermiere lider në Shqipëri”. Me tregoni pak për këtë. Si ju kontaktuan?

Ishte e rastësishme. Kisha krijuar prej kohësh kontakte virtuale me blogeren dhe një ditë në një bisedë të shkurtër vendosëm të bënim dhe këtë intervistë.

Çfarë e bën Babetën një “infermiere lider”?

Dëshira për të ngritur infermierët në një nivel të tillë, ku të ndihen të aftë të ndiejnë lumturi në profesion dhe jetë. Por sidomos brenda tyre.

Sa u përket infermierëve të rinj me të cilët keni kontakte, sa të interesuar i shikoni për të investuar në formimin dhe rritjen profesionale?

Besoj se nuk ka infermier që nuk do të donte të ishte më i plotësuar apo ta shihte veten më lartë në profesionin e tij, problemi është tek mundësitë e pakta që iu parashtrohen.

Një mesazh për infermierët e rinj, të cilët e vlerësojnë këtë punë si ndër më fisniket e profesioneve?

I uroj infermierëve të rinj të marrin sa më shumë kënaqësi në punën e tyre. Mos të lodhen kurrë së punuari me empati, vullnet dhe etikë. Çdo jetë meriton të trajtohet me dinjitet dhe përkujdesje. Ju është besuar jeta e shumë njerëzve, meritojeni këtë post dhe krijoni një impakt pozitiv në secilën jetë ku do ndalni, qoftë edhe për një çast./ Shendeti.com.al

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here