Në kuadër të projekteve me Asistencë Teknike për Forcimin e Kapacitetit të Ministrisë së Mjedisit në Shqipëri për Hartimin dhe Zbatimin e Legjislacionit Kombëtar Mjedisor (SELEA) dhe Konsolidimi i Kapaciteteve Ligjzbatuese në Shqipëri (PAMECA IV), Ministria e Mjedisit dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri organizuan Konferencën Ndërkombëtare “Parandalimi i Krimit Mjedisor në Shqipëri”.
E pranishme në këtë konferencë zv.Ministrja e Mjedisit Djana Bejko iu referua ndryshimeve që Ministria e Mjedisit i ka propozuar Ministrisë së Drejtësisë, në ligjin aktual lidhur me krimin ndaj mjedisit.
“Shkeljet e ligjit të mjedisit dhe efektet e tyre përbëjnë një kërcënim serioz për shëndetin publik dhe mjedisin, ekonominë e vendit dhe qytetarët. Për këtë arsye duhet reaguar në mënyrat, me mjetet, dhe masat e duhura. Inspektoriati i Mjedisit i ka kërkuar Ministrisë së Drejtësisë të nisë procedurat ligjore që të amendohet Kreu i 4 i Ligjit të vitit 1995, mbi “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë. Ky amendim i Kreut të 4 të Kodit Penal “Vepra penale kundër mjedisit” dhe pasurimi i tij me vepra të reja është një domosdoshmëri dhe në zbatim të Konventave Ndërkombëtare si “CITES”, “BASEL”, “MARPOL”, në të cilat Republika e Shqipërisë është pale”- ka thënë zv.ministrja Bejko.
Ndryshimet në ligj do të ndihmojnë për problematikat e hasura nga ana e Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit në zbatim të kompetencave ligjore – nga mungesa e një ndarje të qartë të shkeljeve administrative nga ato penale, – si dhe nga vakuumi ligjor lidhur me veprat penale mjedisore, duke i konsideruar ato nga ana e Prokurorisë dhe Gjykatave kompetente si kundravajtje administrative.konf mjedisore (1)
Më tej në fjalën e saj zv.Ministrja e Mjedisit tha se “për këtë arsye kërkojmë mbështetjen dhe bashkëpunimin e Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Brendshme, dhe Prokurorisë.
“Një hap konkret do ishte bashkëpunimi midis Inspektoriatit të Mjedisit dhe Oficerëve të Policisë Gjyqësore, – bashkëpunim që përfshin dhënien e ekspertizës për elementët që nevojiten në marrjen e provave apo për elementët e ngritjes së një kallëzimi penal, pasi vihet re se çështjet pushohen nga gjykata” – theksoi ndër të tjera zv.ministrja e Mjedisit, Djana Bejko.

