Bulqizë, mbetjet spitalore pushtojnë rrugët (Video)

Mbetjet spitalore të hedhura vend e pa vend favorizojnë terrenin për përhapjen e sëmundjeve infektive.  Pjesa më e madhe e tyre trajtohet si mbetje urbane, digjen ose hidhen në koshat e plehrave. Shumë nga subjektet që prodhojnë mbetjet spitalore (spitalet dhe klinikat dentare) nuk zbatojnë detyrimin ligjor për trajtimin e tyre.

Një media lokale në Bulqizë ka denoncuar me video hedhjen e mbetjeve spitalore në hyrje të qytetit.

“Nga një ndalesë rastësore në afërsi të qytetit, vumë re mbetje spitalore. Shishe plastike të mbushura me mbeturina të ndryshme të përdorimit në spitale, i gjen lehtë në këtë zonë. Përmbajtja e tyre është vërtetë e frikshme, duke qenë se ato janë edhe të hapura”, raporton Tv. Bulqiza.

Sipas saj,  drejtues të spitalit të Bulqizës kanë mohuar se mbetjet janë hedhur nga personeli i spitalit.

Drejtori i këtij spitali fajëson ambulancat dhe qendrat shëndetësore të shpërndara në njësitë e Bulqizës, ku sipas tij, më pas i hedhin në këto ambiente të hapura. Ndërkaq, mbetjet spitalore të Bulqizës, sipas drejtuesve të spitalit transportohen në Lezhë ku dhe asgjësohen.

Prezenca e këtyre mbetjeve në ambient të hapur, është një rrezik i madh qoftë për fëmijët që lozin apo kërkojnë krom aty pranë, qoftë edhe për bagëtinë që kullotin në atë zonë.

Çfarë shkaktojnë mbetjet spitalore të hedhura vend e pa vend?!

Referuar raportit të “Rrjetit të Vigjilencës”, OBSH vlerëson se në vitin 2000, injeksionet me shiringa të kontaminuara shkaktuan 21 milion të infektuar me virusin e hepatitit B (HBV), 2 milion infeksione të virusit të hepatitit C dhe 260 000 të infektuar me HIV në mbarë botën. Shumë prej këtyre infeksioneve ishin të shmangshme nëse shiringat do të ishin asgjësuar në mënyrë të sigurt.

Gjithashtu, mbeturinat infektive dhe anatomike përfaqësojnë shumicën e mbeturinave të rrezikshme deri në 15% të totalit të mbetjeve nga aktivitetet e kujdesit shëndetësor. Shiringat dhe aget përfaqësojnë rreth 1% të totalit të mbetjeve, por ato janë një burim kryesor i transmetimit të sëmundjes nëse nuk menaxhohen si duhet. Substancat kimike dhe farmaceutike përbëjnë rreth 3% të mbetjeve nga aktivitetet e kujdesit shëndetësor dhe 1% e përbëjnë substancat radioaktive të totalit të mbetjeve të kujdesit shëndetësor./ https://shendeti.com.al/

Postime të ngjashme

3 gjëra që i ndodhin trupit tuaj nëse hiqni dorë nga sheqeri
Jo vetëm estetikë: Çfarë fshihet pas rinoplastikës? Intervistë me Dr. Klaudia Stajka
A ka një lidhje mes menopauzës dhe kancerit të gjirit ose mitrës? Ja çfarë thotë mjekja
Nutricionistja: Kujdes nga dietat detox! Ulin masën muskulore, nuk largojnë dhjamin
Dietat drastike – Nutricionistja Silvia Guxho: Ja çfarë ndodh në trupin tonë!
Sa duhet të qëndrojnë fëmijët para ekranit? Ja çfarë thotë mjeku
Kur shumë pastërti dëmton? Ja çfarë duhet të dinë prindërit
A e rrit gjumi fëmijën? Nga gjatësia tek imuniteti, përgjigjet mjekja pediatre (VIDEO)