Arben Beqiri, gastro-hepatolog
Pankreasi është një organ gjendror, 18 – 25 cm i gjatë, me konsistencë të butë sfungjerore, pjesë e sistemit tretës, i cili ndodhet në kavitetin abdominal i vendosur pas stomakut. Ai përbëhet nga koka, trupi dhe bishti. Koka e pankreasit përbën pjesën më të madhe të tij dhe është i lidhur me pjesën e parë të zorrës së hollë
(duodenin) ku dhe derdhen lëngjet e prodhuara prej tij. Aty është vendi ku praktikisht ushqimi i përzier me lëngjet e stomakut kalon për në zorrën e hollë duke u përzier edhe me enzimat apo lëngjet tretëse të prodhuara nga pankreasi.
Trupi dhe bishti i pankrasit janë pjesë më të ngushta të cilat zgjaten deri në afërsi të shpretkës.
Ai ka dy detyra madhore në trupin e njeriut: prodhimin e lëngjeve tretëse (enzimave) të cilat ndihmojnë në tretjen dhe shpërbërjen e ushqimeve, si dhe prodhimin e hormoneve (duke përfshirë edhe insulinën), tepër të rëndësishme për funksionin që kanë në rregullimin e sheqerit në trup.
Disa fakte kyçe mbi pankreasin
- Pankreasi ndodhet në abdomen dhe është një organ gjendror.
- Është një organ tepër i rëndësishëm i sistemit tretës duke prodhuar enzima dhe hormone që ndihmojnë në procesin e tretjes së ushqimeve dhe kontrollin e nivelit të sheqerit në trup.
- Është një organ i vendosur prapa stomakut me gjatësi rreth 18cm – 25 cm.
Pankreasi i shëndetshëm prodhon sasinë e duhur të enzimave që nevojiten për tretjen e ushqimit që në konsumojmë gjatë ditës (rreth 1 L /ditë).- Pjesa endokrine e pankreasit prodhon hormone të cilat kalojnë direkt në qarkullimin e gjakut.
- Insulina është një hormon i prodhuar nga pankreasi në përgjigje të rritjes së nivelit të sheqerit në gjak.
- Inflamacioni akut apo kronik i pankreasit do të quhet pankreatit.
- Kanceri mund të zhvillohet e të prekë pankreasin.
- Për të pasur një pankreas të shëndetshëm, duhet të kemi një regjim ushqimor të balancuar, si dhe të shmangim duhanpirjen dhe alkoolin e tepruar.
Cilat janë problematikat e lidhura me pankreasin?
Pankreasi, si çdo organ tjetër, ka mundësinë të keqfunksionojë. Kështu për shembull, një pankreas që nuk arrin të prodhojë sasinë e nevojshme të lëngjeve pankreatike, shkakton diarre e rënie në peshë si pasojë e mostretjes së mirë të ushqimeve. Po ashtu, nëse qelizat endokrine përgjegjëse për prodhimin e insulinës nuk prodhojnë sasinë e nevojshme të saj, do të kemi një rrezik të rritur për shfaqjen e diabetit si pasojë e rritjes së nivelit të sheqerit në gjak.
Pankreatiti
Pankreatiti është një patologji e karakterizuar nga inflamacioni akut apo kronik i pankreasit. Shkaqet e këtij inflamacioni mund të jenë mekanike nga gurët e tëmthit apo tumoret, të cilat bllokojnë kanalin kryesor të pankreasit, duke penguar derdhjen e lëngjeve të pankreasit për në pjesën e parë të zorrës së hollë (duodenit) e duke shkaktuar kështu grumbullimin e këtyre lëngjeve në pankreas, të cilat çojnë në vetëshkatërrimin e pankreasit.
Pankreatiti gjithashtu mund të shkaktohet nga abuzimi me alkoolin, steroidet, trauma apo droga. Kjo është një patologji që meriton vëmendje të menjëhershme mjekësore.
Nëse episodet e inflamacionit akut të pankreasit përsëriten, atëherë do të kemi të bëjmë me një pankreatit kronik.
Ndër simptomat e pankreatitit mund të përmendim: dhimbja e fortë e stomakut, ndjenjën e të vjellit, të vjella, temperaturë, dhimbje në shpinë e dhimbje muskujsh.
Trajtimi i tij konsiston në ndërprerjen e të ushqyerit nga goja, duke kaluar në të ushqyer në rrugë venoze, përdorimin e analgjezikëve, si dhe, në raste të veçanta të komplikuara, mund të nevojitet edhe trajtimi kirurgjikal.
