Për Gazeta Shëndeti, Ervin Jonuzi, kirurg ortoped
Deformimi i këmbëve është një problem që haset shumë shpesh te njerëzit. Duke filluar nga moshat e mesme, sidomos seksi femër, mund të dëshmojnë për këtë gjë. Sa herë e kemi ndjerë dhimbjen acaruese në pjesë të ndryshme të shputës pas ecjes me këpucë me taka? Sa herë dhimbjet në gishtin e madh të këmbës kane qenë problemi i pagjumësisë? Sa e sa herë, mbasi dhimbja ka kaluar, i kemi bërë pyetje vetes “A t’i vesh apo jo me këto këpucë”?
Në pamje të parë problemi duket shume sipërfaqësor. Arsyetimet që njerëzit i japin vetes janë nga më të ndryshmet. Më duket se eca shumë gjatë ditës dhe më dhëmbin këmbët. Ato këpucët më duket se i kam blerë të vogla. I kam ngjarë prindërve, të njëjtën problem kishin edhe ata.
“Reumatizma” më duket se është shkaku – kujtoj kohët kur kam punuar në vende me lagështirë dhe këmbët më kanë ndenjur të njomura gjithë kohën. Njeriu është qenie që gjen mënyra nga më të ndryshme për t’u adoptuar. Dikush vendos pambuk në vendin që ndjen dhimbje. Dikush përdor krem duke i bërë masazh vendit që e acaron. Ata që kanë arritur fazën që gishtat janë shtrembëruar përdorin metoda nga më të ndryshmet me fasho për t’i drejtuar disi. Problemi bëhet edhe me interesant kur gjatë një konsulte te mjeku, shfrytëzojnë rastin të pyesin “Doktor, po këtyre gishtave çfarë t’u bëj?”
Mjekësia, ose te t’u shprehur me konkretisht mjekësia perëndimore, e ka studiuar gjate këtë gjë. Janë gjetur rrënjët e problemit, janë nxjerrë konkluzione, kanë dalë metoda dhe manipulime kirurgjikale nga më të ndryshmet për t’u përballur me këtë patologji. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, podiatria është degë e veçantë e mjekësisë e cila merret vetëm me diagnostikimin dhe trajtimin e këmbës. Mjeku podiater është specialistit që i dedikohet kësaj fushe të mjekësisë. Pra, roli i këtij specialiteti është t’i përgjigjet pyetjes “Doktor, po këtyre gishtave çfarë t’u bëj?”
Problemet e deformimit të këmbës kanë ekzistuar gjatë gjithë historisë së njerëzimit. Ekzistojnë hipoteza nga më të ndryshmet. Disa besojnë se jeta “pasive”, sidomos njerëzit që nuk merren me sport janë më të prirë për të kaluar këmbë dystaban (dyst – e sheshtë, taban – këmba). Kjo për arsye se muskujt dhe ligamentet e këmbëve janë të dobëta, dhe nuk mund te mbajnë sic duket atë anatomi fiziologjike që duhet. Harqet e këmbëve humbin, tendosen, ulen dhe këmba bëhet e sheshtë. Në literaturë kjo patologji quhet Pes Planus.

Fig 2 Këmba dystaban (Pes Planus)
Gjatë ecjes pesha e gjithë trupit koncentrohet në mënyrë jo fiziologjike. Si arsye e kësaj te fundit shtrembërohet gishti i madh i këmbës. Ky i fundit bën presion ke gishtat e tjerë dhe si pasoje këta deformohen. Deformimet e gishtit të madh të këmbës në literaturën mjekësore përkufizohen si Hallux Valgus, e përkthyer në gjuhën shqipe si deformimi valgus i gishtit të parë. Në fazat e hershme dhimbjet janë më të dukshme rreth nyjës së gishtit të madh dhe me kalimin e kohës ato shtrihen ne pjesën e poshtme të këmbës, ne pjesën e thembrës dhe pjesën e kaviljes. Harqet e ulura të këmbës, siç quhen ndryshe këmba dystaban, bëjnë që e gjithë pesha e trupit të ushtrohen në mënyrë jo fiziologjike. Këtë gjë e ndiejnë nyjet e gjurit, nyjet e këllkut madje dhe shtylla kurrizore. Arsyeja e dytë që besohet se është thelbi i këtij problemi është gjenetika. Disa njerëz janë më të prirur për të patur këmbë dystaban si arsye e prejardhjes gjenetike. Një hipoteze tjetër është, vetë fakti që disa femra kanë ecur vetëm me këpucë me taka të larta, kanë fituar deformime këmbësh.

Fig. 3 Këmba dystaban, deformimi valgus i shputës së këmbës
Fig. 4 Shuajt ortopedike individuale
Le të ndalemi te disa nga këshillat praktike për ta parandaluar gjendjen e deformimit të këmbëve. Në mosha të vogla është e nevojshme qe fëmija të inkurajohet të lëvizë sa më shumë. Jeta aktive me lojëra dhe sport është suksesi. Këmbët e fëmijëve kanë nevojë të formohen të forta. Fëmija duhet të kalojë një pjesë të mirë të kohës në ambiente të hapura duke u marrë me aktivitete nga më të ndryshme. Nëse e shihni fëmijën tuaj që pjesën më të madhe të kohës duke luajtur lojëra n[ kompjuter ose televizor, duhet të merrni masa të menjëhershme. Këta fëmijë janë më të prirur të formojnë një aparat muskuloskeletor të dobët. Ligamentet dhe muskujt e kanë të pamundur të mbajnë harqet në pozicion anatomik. Nëse problemi është i lindur, është e nevojshme konsulta e mjekut specialist ortoped. Ekzistojnë disa lloj mënyrash konservative dhe një ndër më të përhapurat është përdorimi i shuajve ortopedik individual. E theksoj, jo thjesht shuaj ortopedik por shuaj ortopedik individual që përgatiten apostafat për llojin e harkut individual.
Nga studimet e shumta është nxjerrë konkluzioni që shuajt ortopedike së bashku me disa seanca fizioterapie, sidomos në moshat e vogla të fëmijëve kanë treguar rezultate të pëlqyeshme. Nëse deformimi është i gradës së lartë, mund të jetë e nevojshme ndërhyrja kirurgjikale me ndihmën e së cilës ngrihet harku i këmbës. Ka një larmishmëri manipulimesh kirurgjikale që praktikohen dhe ne do ndalemi vetëm në disa prej tyre në vazhdimësi.
Problemi komplikohet në moshat e rritura. Ndërkohë që në mosha të vogla këmba dystaban mund të jetë patologji e izoluar, me kalimin e viteve, si arsye e harkut të ulur fillojnë të vihen re edhe shtrembërimet e gishtave.

Në shumicën e rasteve kjo gjë fillon me shtrembërimin e gishtit të madh të këmbës. Gishti pëson deformim valgus dhe bën të pamundur madje edhe përdorimin e këpucëve. Nyja e gishtit të madh ënjtet, skuqet, acarohet lëkura dhe indet e buta. Dhimbjet sa vijnë e bëhen me intensive. Në këtë lloj rasti shuajt ortopedike individuale nuk janë me efektive. Megjithëse shumica e mjekëve specialistë fillojnë trajtimin me mënyra konservative, rezultatet nuk janë të pëlqyeshme. Fizioterapia dhe shuajt ortopedike janë të pafuqishme. Patologjia sa vjen e progreson. Shumica e njerëzve fillojnë te ndiejnë jo vetëm dhimbje ne këmbë, por edhe ne nyjet e gjurit, nyjet e këllkut dhe shtyllën kurrizore.
Cilat janë disa nga metodat e trajtimit në rast se deformimi përparon dhe mënyrat konservative janë të pafuqishme?
Fatkeqësisht, e vetmja mënyrë është ndërhyrja kirurgjikale. Nga ana tjetër, me krenari dhe mburrje do e konsiderojmë si “fatmirësisht”. Talenti i kirurgeve, metodat e trajtimit llojet e implanteve të përdorura kanë bërë të mundur që manipulimet kirurgjikale ne shputën e këmbës të jenë shumë të suksesshme dhe efektive. Pacientet dhe rezultatet postoperative janë shumë të pëlqyeshme.

Fig. 7 Anatomia e shputës së këmbës, foleja subtalare
Nëse kemi një këmbë dystaban të izoluar, pa deformime gishtash, gjë që është shumë e përhapur te fëmijët shume e praktikueshme është manipulimi i quajtur artroeza (arthro – nyje, eresis – ngritje) e sinusit subtalar të këmbës. Kjo nënkupton në vetvete vendosjen e një implanti ne sinusin subtalar gjë që bën ngritjen e harkut të këmbës. Ndonjëherë është e nevojshme shkurtimi ose transpozicioni i muskulit tibial posterior që do të mbajë këmbën në pozicion fiziologjik.


Nëse këmba dystaban është e komplikuar me deformimin e gishtave të këmbës, problemi vështirësohet. Për t’ia arritur një rezultati të pëlqyeshëm, është e nevojshme edhe ndërhyrja në gishtat e këmbës. Drejtimi i linjës axiale të gishtit me ndihmën e osteotomive dhe transpozicionet e ligamenteve me ndihmën e implanteve ortopedike ka qenë suksesi i arritjeve ne fushën e ortopedisë./ Shendeti.com.al