Kryefaqja Shendet Mendor Depresioni, barnat dhe mjedisi social

Depresioni, barnat dhe mjedisi social

0
Shpërndaje

 

“Depresioni është një përgjigje ndaj fatkeqësive” – Hagen

Sebi Fishta

Psikolog në universitetin Oakland

 

Cilësitë e marrëdhënieve shoqërore luajnë një rol të rëndësishëm në shëndetin mendor të një individi. Mënyra se si ne i perceptojmë lidhjet sociale ndikon ndjeshëm në nivelin depresionin. Në këtë artikull do të flas për simptomat e depresionit të cilat përdoren si mekanizma për ta përballuar atë, sidomos në rastet kur kjo përballje bëhet e vështirë. Sipas Hagen, depresioni është një përgjigje ndaj fatkeqësive. Për më tepër, në këtë artikull dua te fokusohem te implikimet e trajtimit mjekësor te njerëzit me depresion, të cilët përdorin barna antidepresive (AD – Antidepresant Drugs). Për këtë kam sjellë evidenca që ngrenë pikëpyetjen e efektivitetit të këtyre barnave në krahasim me trajtimet e tjera.

Gjithashtu, është e provuar se sa të rëndësishme janë marrëdhëniet sociale dhe roli që ato luajnë në simptomat e depresionit. Përmes hulumtimeve të bëra kam eksploruar disa elemente të rëndësishme emocionale siç janë; shqetësimet e tepërta, depresioni, dhe stresorë të ndryshëm, të cilët drejtohen nga cilësia e marrëdhënieve që ne krijojmë në mjedisin social.

depresion 2

Marrëdhëniet sociale janë shkaqe të jashtme tepër të fuqishme që ndikojnë thellësisht në nivelin e depresionit tek individi. Shpesh depresioni është trajtuar si një simptomë përshkruese e izoluar. Sipas Qendrës së Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve, nuk dihet nëse depresioni është rezultat i një sjelljeje të caktuar apo sjellja është rezultat i disa simptomave të parakushtëzuara, të cilat mund të paraprijnë depresionin.

Depresioni karakterizohet nga ndjesi trishtimi dhe rënie të interesit në aktivitetet e përditshme. Nëse një person ndihet i trishtuar atëherë mund të dilet në konkluzionin se ka një rënie të humorit dhe të kënaqësisë që merr nga këto aktivitete. Si rrjedhim, ai tërhiqet dhe izolohet nga rrethi social. Por, një njeri mund të jetë i depresuar për shkak të problemeve që krijohen nga marrëdhëniet sociale.

Depresioni mund të sjellë ndjenjën e paaftësisë, por pavarësisht trishtimit apo izolimit social që njerëzit mund të shfaqin, marrëdhëniet sociale mund të “hapin burgun” dhe t’i lirojnë ata nga “mbyllja brenda mjerimit”

Në botën e sotme moderne, marrëdhëniet sociale po ndryshojnë vazhdimisht dhe këto ndryshime po sjellin shumë mjerim. Ky mjerim shkakton  një gjendje shpirtërore që rrit kuptimin e nevojës për t’u përshtatur. Hagen e krahason Çregullimin e Depresionit Madhor me trishtimin dhe gjendjen e ulët shpirtërore duke thënë se “Depresioni është një përgjigje ndaj fatkeqësive”. Ai diskuton për përfitimet e mundshme, për mundësinë për ta kuptuar më mirë “trishtimin dhe gjendjen e ulët shpirtërore” si një mekanizëm ndihmues, funksionet e tij dhe mundësinë për të mësuar më shumë rreth këtyre mekanizmave ndihmues.

Studimet më të fundit kanë treguar se fuqia e marrëdhënieve sociale në zvogëlimin e simptomave të depresionit është shumë e madhe.  Hurd and Zimmerman kanë ofruar një mënyrë sesi të reduktohen simptomat e depresionit tek nënat e reja duke studiuar efektet që sjell një këshillues i natyrshëm. Sipas tyre, një këshillues i natyrshëm është një i rritur, që mund të jetë prindi, njerku, vëllai apo motra më e madhe, apo thjesht një mik.

Nga studimet e bëra me disa nëna të reja afro-amerikane është gjetur se një nënë e re e angazhuar në marrëdhënie me një këshillues natyral pas lindjes së fëmijës ka pasur ulje të ndjeshme të simptomave të depresionit, të stresit apo të ankthit.  Edhe studiues të tjerë kanë provuar se të rinjtë që kanë pasur një udhëheqës apo këshillues kanë arritur rezultate më të mira në sjellje, edukim, dhe punë krahasuar me ata që nuk e kanë pasur këtë supervizim. Edhe pse është pranuar se vetëm supervizimi nuk mund të mjaftojë si “kurë” për të shëruar depresionin, prania e këtyre këshilluesve ka një korrelacion pozitiv me rezultatet e shëndetit.  Psikologët e mbështesin idenë se marrëdhëniet sociale kanë efekte pozitive në simptomat e depresionit. Shumë studime tregojnë se duke pasur marrëdhënie të mira sociale njerëzit arrijnë të menaxhojnë më mirë humbjet dhe fatkeqësitë dhe të ulin nivelin e simptomave të depresionit.

Janë disa shpjegime të mundshme që lidhen me marrëdhëniet sociale dhe mënyrën se si ato ndikojnë te depresioni.

Szabo në studimin e tij ka treguar se korrelacionet emocionale identifikohen me shqetësimet dhe depresionin duke theksuar faktin se “shqetësimet e tepërta” mund të parashikojnë të ardhmen e simptomave të depresionit. Studime të ngjashme kanë diskutuar për aftësitë e njeriut që të kontrollojë përgjigjet emocionale të ngjarjeve negative të cilat luajnë një rol të rëndësishëm në mënyrën se si e kuptojmë depresionin. Trishtimi dhe gjendja e ulët shpirtërore janë trajtuar shpesh me metoda dominuese nga psikiatria moderne të cilat kanë sjellë rezultate në rritjen e gjendjes shpirtërore pasi janë manipuluar me ilaçe antidepresive. Kjo sjellje e pranuar sociale është përshtatur për mjedisin social duke përdorur ilaçe antidepresive përmes “provave dhe gabimeve” për ta akomoduar këtë me mjedisin social.

Edhe studime të tjera kanë treguar se ilaçet antidepresive të testuara në një grup pacientësh me depresion kanë rritur vetëm “aktivitetin që lidhet me sjelljen”. Ndërsa një grup tjetër pacientësh që përdornin bashkëveprim social dhe shkëmbenin biseda apo të qeshura njëri me tjetrin kanë përjetuar më pak simptoma të depresionit. Këto studime kanë sugjeruar se disa pacientë përfitojnë më shumë nga marrëdhëniet sociale se sa nga ilaçet antidepresive. Përdorimi i ilaçeve mund të krijojë iluzione për një “shërim të shpejtë” ose “çlirim nga depresioni” thjesht duke i pirë ato, pasi vetë reklamat farmaceutike e theksojnë këtë fakt. Dhe me sa duket ilaçet antidepresive jepen me shumicë dhe trajtohen si diçka krejt normale, pa pasur të dhëna të sakta nëse përdoren në kombinim me terapinë ose jo, gjë kjo që ka një ndryshim të madh në trajtimin e depresionit.

Disa psikologë teksa kanë rishikuar literaturën lidhur me këtë çështje kanë përfshirë 14 teste të rastësishme duke përdorur pacientë nga 18-65 vjeç të cilat kanë treguar se pacientët me simptoma të moderuara të depresionit nuk  i kanë pasur të nevojshme ilaçet. Por, pacientët që vuanin nga depresioni i rëndë i kishin të nevojshme ato. Sidoqoftë, duhet pasur parasysh se ky studim ishte sponosorizuar nga kompani farmaceutike, prandaj duhet marrë në konsideratë ky fakt. Thjesht fakti se një kombinim mes ilaçeve dhe terapisë ka funksionuar për disa njerëz nuk do të thotë se mund të funksionojë edhe për pjesën tjetër të njerëzve që vuajnë nga depresioni.

Kur na duhet të trajtojmë dhimbjen fizike dhe sëmundjet biologjike ilaçet nuk i shmangim dot.

Por përdorimi i ilaçeve për të trajtuar depresionin është i komplikuar për shkak se përpiqet të shëndrrojë funksionimin ose disfunksionimin psikologjik. Ashtu siç e përmenda më sipër, teksa “trishtimi dhe gjendja e keqe shpirtërore” shkojnë paralel me “dhimbjen fizike” nuk mund të themi se është rast për “mjerim social”. Vetë Hagen, i cili i ka mëshuar këtij fakti flet për Teorinë e Dhimbjes Psikike si një “qëllim për t’i shërbyer funksionit”. Sipas kësaj teorie “trishtimi dhe gjendja e keqe shpirtërore” janë si një e përgjigje e dhimbjes “të luftosh apo të ikësh”

Prandaj, “trishtimi dhe gjendja e keqe shpirtërore” i ndihmon njerëzit ose ta shmangin dhimbjen ose ta shërojnë atë.

Pra duket qartë se ilaçet nuk janë domosdoshmërisht efektive për shërimin e depresionit, dhe në disa raste madje mund të mos kenë fare efekt krahasuar me këshillimin dhe terapinë. Ilaçet antidepresive janë të preferuara nga doktorët. Ata ua sugjerojnë pacientëve duke besuar se mund t’i çlirojnë nga depresioni. Por për psikoanalistët, trajtimi i preferuar është psikoterapia, ndërsa për biologët janë ilaçet.

Hagen përmend “depresionin disfunksional” kur i referohet mendimeve për vetëvrasjen.

Në këto raste, une besoj se përdorimi i ilaçeve mund të jetë i vlefshëm si një mundësi e fundit. Jo më kot Hagen e krahason depresionin me “agresivitetin dhe zinë” dhe “qan për ndihmë” dhe prandaj e konsideron depresionin si një problem social dhe jo si një problem mjekësor. Prandaj, ilaçet mund të kenë efekte negative pasi ato ndrydhin përgjigjen “të luftosh apo te ikësh”. Kjo mund të shpjegojë edhe faktin se përse është rritur numri i njerëzve që vuajnë nga depresioni. Një studim i kryer nga Qendra e Kontrollit të  Sëmundjeve në Amerikë ka treguar se Një në 120 amerikanë, mbi moshën 12 vjeç vuan nga depresioni. Kur depresioni është trajtuar si një set përshkrues i simptomave nuk është marrë në konsideratë rëndësia e marrëdhënieve sociale dhe funksionimi i tyre. John Donne ka thënë “ askush nuk është një qenie e izoluar në tërësinë e vet.

Përkundrazi, ne jemi të ndërlidhur me të tjerët dhe duhet të ndërveprojmë me ta”. Pra, niveli i përgjigjes individuale, si përshtatja, është e strukturuar nga gjendja në të cilën individi ndodhet dhe depresioni është i influencuar nga mënyra se si njerëzit lidhen në mjedisin e tyre social. Humbja e marrëdhënieve ekzistuese, apo krijimi i një marrëdhënieje të re sjell ndryshim në mjedisin social dhe kërkon nevojën e përshtatjes. Për t’u përshtatur me ndryshimet sociale, njeriu duhet të mobilizojë aftësitë dhe burimet e tij të cilat janë unike dhe të rrisë gjendjen shpirtërore. Ndryshimet brenda mjedisit social dhe marrëdhënieve mund të sjellin stres dhe shqetësime te njeriu, bazuar kjo në cilësinë e marrëdhënieve që ka. Kur shqetësimet bëhen të mëdha, dhe të tepruara ato mund të ndikojnë në gjendjen tonë psikologjike.

Prandaj depresioni mund të jetë si rezultat i shqetësimeve të tepërta. Dhe studimet thonë se këto shqetësime janë të lodhura ngushtë me marrëdhëniet brenda mjedisit tonë social.

Si konkluzion, bazuar në literaturën akademike dhe përvojën time klinike do të thoja se depresioni është një përgjigje ndaj fatkeqësisë dhe shprehet me trishtim apo gjendje të rënë shpirtërore. Kur njerëzit stërmundohen të krijojnë dhe mbajnë marrëdhëniet shoqërore atëherë ndjesia e trishtimit dhe gjendjes së rënë shpirtërore shfaqet. Dhe nëse trishtimi dhe gjendja shpirtërore varen nga ekzistenca dhe cilësia e marrëdhënieve sociale atëherë më shumë rëndësi duhet t’i jepet këtyre marrëdhënieve në procesin e shërimit. Roli të marrëdhënieve të tilla është i rëndësishëm për depresionin, ndaj ai nuk duhet trajtuar si një set simptomash përshkruese apo thjesht si sëmundje shëndetësore.

Prandaj është mirë që të rinjtë të gjejnë mënyra kreative për të krijuar marrëdhënie sociale në mënyrë që të kenë një cilësi më të mirë jete edhe më vonë.

 

 

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here