Kryefaqja Shendeti a-z A Dhimbja e gjurit, shkaqet dhe trajtimi përfundimtar

Dhimbja e gjurit, shkaqet dhe trajtimi përfundimtar

0
Shpërndaje

Bisedoi: Elona Tereziu

Artroza e gjurit është një sëmundje mjaft e shpeshtë degjenerative që prek kryesisht të moshuarit. Në të shumtën e rasteve shfaqet pa ndonjë shkak, me një incidencë më të lartë tek femrat.

Ankesat kryesore të pacientit janë dhimbja e gjurit, çalimi, kërcitja, bllokimi në ecje dhe ndonjëherë edhe enjtja.

Tahir Çela, kirurg ortoped në Spitalin Universitar të Traumës, flet mbi artrozën e gjurit, duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek trajtimi, i cili mund të jetë konservativ ose  kirurgjikal. Në rastin e parë kemi të bëjmë me një ”përpjekje” për të kufizuar dhimbjen dhe ruajtjen e kërcit nga dëmtimi i mëtejshëm. Ndërkohë që në rastin e dytë kjo ”përpjekje” konsiston në zëvendësimin e pjesës së dëmtuar me protezë, e cila për pacientin do të thotë ”rifitim” i jetës normale.

Çfarë është artroza e gjurit?

Artroza e gjurit (gonartroza) është një sëmundje mjaft e shpeshtë degjenerative që prek artikulacionin e gjurit. Bëhet fjalë për një konsumim të sipërfaqes artikulare të kockave që përbëjnë artikulacionin e gjurit, patela, tibia dhe femuri. Në fundet e tyre, aty ku ata bashkohen për të formuar këtë nyje të rëndësishme, që është artikulacioni i gjurit, sipërfaqja e kockave është e veshur me një ind që quhet kërc. Kërci është i ndërtuar në një mënyrë të atillë që të jetë sa më i lëmuar që të jetë e mundur, për të minimizuar forcat e fërkimit gjatë lëvizjes. Mirëpo e veçanta e këtij indi kërcor është se fatkeqësisht nuk ka enë gjaku, pra nuk ka arterie për ta furnizuar atë me lëndë ushqyese, duke bërë që këto lëndë t’i marrë vetëm nëpërmjet lëngut sinovial.

Mungesa e enëve të gjakut e bën kërcin shumë të brishtë, duke shtuar këtu edhe aktivitetet, peshën, goditjet që merr gjatë gjithë jetës, ai fillon dhe konsumohet. Në momentin që kërci dëmtohet, gërvishtet ose çahet, ka shumë pak aftësi rigjeneruese. Rigjenerimi në këtë rast do t’i vinte nga furnizimi i enëve të gjakut, por duke qenë se ata mungojnë, ky dëmtim sa vjen dhe thellohet duke shkaktuar dhimbje tek pacienti.

Cili është shkaku i artrozës?

Në pjesën më të madhe të rasteve që ne hasim çdo ditë, nuk është se gjejmë ndonjë shkak për artrozën e gjurit, dhe kjo quhet artrozë parësore. Por nëse kërkojmë me kujdes në historinë jetësore të pacientit, tek një pjesë shumë e vogël mund të zbulojmë edhe ndonjë shkak.

Një shkak, për shembull, mund të jetë një traumë që ka kaluar pacienti më parë. Kjo traumë mund të jetë një frakturë e kockës, dëmtim i menisqeve kur pacienti ka qenë më i ri, ose dëmtim i ligamenteve të gjurit si pasojë e një traume.

Shkak tjetër mund të jenë edhe sëmundje që në fund të procesit të vet prodhojnë artrozën. Një nga këto sëmundje është artriti reumatoid (sëmundje inflamatore që prek artikulacionet tek njëriu)  i cili në fund të procesit të vet shkakton degjenerimin e kërcit duke prodhuar atë që ne e quajmë pastaj artrozë e gjurit.

Sa shpesh haset artroza?

Incidenca e artrozës ka një lidhje të ngushtë me moshën e personit. Një studim i bërë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës tregon se rreth 85% e popullsisë së moshës 75 vjeç e lart vuajnë nga artroza. Shifër shumë e lartë kjo që tregon se me rritjen e moshës rritet edhe incidenca për të bërë artrozë.

Ndërsa sa i përket artrozës së gjurit, meqenëse dhe fokusi ynë është këtu, një studim i bërë në Karolinën e Veriut, ka treguar që rreziku i njerëzve për të bërë artrozë të gjurit me dhimbje gjatë jetës së tyre është 44.7%.

Përsa i përket incidencës meshkuj-femra, një tjetër studim i kryer në Evropë për artrozën e gjurit ka treguar se mes moshës 45-49 vjeç femrat ishin prekur me 13%, ndërsa meshkujt vetëm me 8%.

Lidhur me koston në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vitin 2004, kostoja spitalore e protezave të gjurit u përllogarit rreth 14.3 miliardë dollarë.

Cilat janë ankesat kryesore të pacientëve që vuajnë nga artroza e gjurit?

Ankesa kryesore e pacientëve që vuajnë nga artroza e gjurit është dhimbja. Përdallim nga sëmundjet e tjera, karakteristike për artrozën është se kjo dhimbje lidhet në mënyrë ekskluzive me aktivitetin. Këta pacientë e ndiejnë dhimbjen në momentin që fillojnë dhe lëvizin, sidomos në mëngjes kur çohen nga shtrati dhe gjatë ditës. Në momentin që qendojne në qetësi, ulur ose natën, shumica prej tyre nuk ndiejnë asnjë lloj shqetësimi.

Një ankesë tjetër është çalimi. Një nga arsyet që çalojnë është se duan të mbrohen nga dhimbja dhe kjo ndryshe në mjekësi quhet ecje antalgjike.

Ndonjëherë këta pacientë ankohen edhe për kërcitje tëgjurit dhe bllokim në ecje. Në raste jo shumë të shpeshta shofim edhe enjte të gjurit e cila vjen sipasojë e shtimit të lëngut sinovial.

Si bëhet trajtimi i artrozës së gjurit?

Para se të kalojmë tek trajtimi, duhet të kuptojmë diçka, sepse kemi dy koncepte: trajtim dhe kurim. Trajtim do të thotë kur trajtojmë sëmundjen dhe kurim kur përpiqemi të zhdukim ekzistencën e saj. Fatkeqësisht studimet që janë bërë për artrozën e gjurit, nuk kanë zbuluar ndonjë medikament që merret nga goja ose injektohet direkt në artikulacion dhe ta shërojë atë. Prandaj kur flasim për artrozën, nuk mund të pretendojmë që ta kurojmë, sepse kurim në këtë rast do të thoshte që kërcin e dëmtuar, gërvishtur, plasaritur, holluar ta kthenim në gjendjen e mëparshme.

Kështu që trajtimi që ne i përshkruajmë pacientëve me medikamente, është i drejtuar drejt heqjes së dhimbjes dhe zakonisht e fillojmë me dhënien e paracetamolit, një medikament i thjeshtë, por që në artrozën e gjurit vepron shumë mirë si linjë e parë trajtimi ose me antiinflamatorët  josteroid, një grup tjetër medikamentesh për dhimbje.

Përveç kësaj, mjekimit të pacientit për dhimbje përpiqemi t’i shtojmë edhe një grup tjetër preparatesh që quhen viskosuplemente (për shembull, Artilane), të cilët në vetvete janë lëndë ushqyese të kërcit. Rezultati që marrim nga këto, është lehtësimi i dhimbjes dhe ruajtja e kërcit nga dëmtimi i mëtejshëm.

Tek trajtimi konservativ hyn edhe fizioterapia. Një nga gjërat që ndodh tek pacientët që vuajnë nga artroza  e gjurit është atrofia muskulare (hollimi, dobësimi i muskujve) përreth gjurit, kofshës dhe kërcirit. Duke qenë se pacienti nuk e përdor gjymtyrën siç duhet për shkak të dhimbjes, këta muskuj rrjedhimisht fillojnë e dobësohen. Kjo bën të nevojshme fizioterapinë, synimi i së cilës në këtë rast është të kthejë në gjendjen fillestare muskujt që janë holluar, atrofizuar.

Një mënyrë tjetër konservative është edhe mbajtja e një bastuni ose paterice. Është parë që mbajtja e një shkopi në anën e  kundërt me gjymtyrën e prekur nga sëmundja e ul me 30% ngarkesën që i bie gjatë çdo hapi gjymtyrës së prekur nga sëmundja, dhe kjo lehtëson deri diku dhimbjen.

Ndonjëherë ne bëjmë edhe modifikime të këpucëve, sepse artroza e gjurit një nga pasojat e veta ka dhe deformimin e gjurit. Duke mos qëndruar drejt për shkak të dhimbjes, gjuri deformohet. Në mënyrë që të ekulibrojmë peshën e cila duhet të bjerë normalisht në qendër të gjurit, ne përshkruajmë këpucë ortopedike.

Tjetër trajtim konservativ janë edhe injeksionet artikulare, në rastin konkret injeksionet brenda gjurit. Ne kemi dy grupe barnash që i përdorim shumë shpesh tek pacientët në formën e injeksioneve brenda artikulacionit. Një nga këto janë kortizonikët që ne i injektojmë tek pacientët brenda gjurit, dhe tek shumë prej këtyre dhimbja lehtësohet në masë të konsiderueshme. Zakonisht pas injeksionit, dhimbja qetësohet për një periudhë 6-mujore, dhe shfaqet sërish.

Grupi tjetër është acidi hialuronik (një ndër substancat kryesore përbërëse të kërcit) i cili injektohet tek gjuri me qëllim trajtimin e dhimbjes.

Kur është i nevojshëm trajtimi kirurgjikal?

Trajtimin kirurgjikal ne e konsiderojmë si zgjidhjen e fundit për pacientët që vuajnë nga artroza e gjurit. Kur kemi provuar të gjitha mënyrat nëpërmjet trajtimit konservativ, por edhe pas gjithë këtyre përpjekje pacienti vazhdon të ketë dhimbje, atëherë marrim në konsideratë trajtimin kirurgjikal.

Baza e trajtimit kirugjikal është zëvendësim i pjesës së dëmtuar, si nga pjesa e sipërme (femurit, kofshës) dhe nga pjesa e poshtme që i takon tibies (kërciri) me protezë.

Synimi i trajtimit kirurgjikal është që të heqim sipërfaqet e kërcit të dëmtuar që prodhojnë dhimbje dhe t’i zëvendësojmë ato me protezë totale (endoprotezë).

Zakonisht është një ndërhyrje që ne preferojmë ta bëjmë mbas moshës 60 vjeç, sepse supozohet që tek shumica e njerëzve mbas kësaj moshe dhe aktiviteti është më i kufizuar, por në shumë raste zëvendësimi total i gjurit me protezë bëhet edhe në mosha më të reja, në varësi të shkallës së sëmundjes.

Por para se pacienti t’i nështrohet kësaj ndërhyrjeje, bëhen një sërë ekzaminimesh preoperatore për të parë gjendjen shëndetësore të përgjithshme të pacientit. Nëse pas këtyre ekzaminimeve ai klasifikohet si pacient që mund ta ndërmarrë këtë operacion, atëherë ai hospitalizohet dhe i nënshtohet ndërhyrjes kirurgjikale e cila mund të realizohet me anestezi gjenerale (të përgjithshme) ose spinale.

Të nesërmen e operacionit pasi është bërë zëvendësimi i gjurit me protezë, pacienti mund të çohet nga shtrati me ndihmën e patericave dhe të fillojë të ecë, madje në shumë raste të vendosë edhe gjithë peshën e  trupit tek gjymtyra e operuar. Kjo është shumë pozitive jo vetëm nga pikëpamja shëndetësore, por edhe psikologjike. Mesatarisht këtij pacienti do t’i duhet një periudhë 4 – 6 javore  për t’u hequr patericat dhe rehabilituar plotësisht.

Sa është jetëgjatësia e një proteze dhe nga çfarë e kufizon vendosja e saj pacientin?

Kjo është një nga pyetjet më të shpeshta që na bëjnë ne pacientët. “Sa kohë do të rezistojë kjo protezë në trupin tim?” Përgjigja e kësaj pyetje nuk është e lehtë për mjekun në fakt, por protezat e gjurit kanë një histori gati 50-vjeçare që aplikohen në të gjithë botën. Gjatë kësaj periudhe janë kryer  studime të shumta dhe afatgjata ku nga rezultatet është parë që 90% e pacientëve që kanë vendosur protezë para 30 vitesh, e kanë ende funksionale dhe ç’është më e rëndësishme, nuk kanë ankesa.

Megjithatë, duhet theksuar se komponentët artificialë (metali dhe polietileni) gjatë lëvizjes e kanë edhe njëfarë konsumi, edhe pse protezat që përdoren sot në Shqipëri sikurse edhe në të gjithë botën, janë shumë moderne në këtë aspekt dhe konsumi i tyre është shumë i ngadalë.

Përsa i përket pjesë së dytë, kur gjymtyra të jetë shëruar plotësisht dhe pacienti të ketë hequr patericën, ai mund t’i rikthehet jetës normale dhe të kryejë të gjitha aktivitetetet që ka kryer më parë, madje dhe më shumë, sepse nuk e ka më atë pjesën e dhimbjes. Kështu që vendosja e protezës jo vetëm që nuk e kufizon pacientin, përkundrazi e ndihmon atë të bëjë një jetë normale.

Me çfarë ndërlikimesh mund të shoqërohet vendosja e një proteze?

Para se ne t’ia rekomandojmë pacientëve këtë trajtim që është jashtëzakonisht i suksesshëm dhe i domosdoshëm, përpiqemi t’ua shpjegojmë edhe ndërlikimet e mundshme që mund të ketë kjo lloj kirurgjie.

Bashkë me pacientin ne përpiqemi të bëjmë një vlerësim. Përfytyrojmë një peshore ku në njërën anë vendosim të mirat (heqja e dhimbjes, rikthimi në jetë normale etj) dhe në anën tjetër rreziqet, çfarë ndërlikimesh mund të ketë nëse ky pacient vendos ta bëjë këtë protezë. Nëse peshorja anon nga ndërlikimet, vazhdohet trajtimi jokirurgjikal. Nëse anon nga e mira, për hir të një dhimbje kaq të madhe që ndjen pacienti, detyrohemi të kalojmë nga këto rreziqe, të cilat megjithë përpjekjet që bën mjekësia, është e pashmangshme që mos të ndodhin, edhe pse ne raste tepër të rralla.

Ndër këto ndërlikime mund të përmendim:

Infeksionet

Një nga ndërlikimet më të rëndësishme mund të përmendim infeksionin pas operacionit. Për të shmangur këtë, pacientit i bëhën një sërë ekzaminimesh para ndërhyrjes për të parë nëse ai ka ndonjë sëmundje shoqëruese që mund t’ia rritin mundësinë për të bërë infeksion si p.sh. diabeti apo artriti reumatoid. Ndër infeksionet e tjera që mund të shkaktojnë infeksion të protezës së gjurit përmendim:

Infeksionet e dhëmbëve. Një nga kriteret që kemi ne për të bërë këtë ndërhyrje, është që pacienti nuk duhet të ketë dhëmbë të patrajtuar, të cilët mund të shërbejnë si vatra infeksioni për t’u përhapur më pas nëpërmjet rrugëve të gjakut dhe instaluar në protezë.

Kjo fatkeqësisht mund të ndodhë menjëherë pas operacionit, dy javët e para, por ndonjëherë edhe mbas disa vitesh. Kështu që para operacionit ne sigurohemi që pacienti të ketë bërë një konsultë tek mjeku stomatolog, dhe mbas operacionit të bëjë herë pas here kontrolle dentare.

Infeksionet urinare. Prania e një infeksioni urinar duhet mjekuar patjetër para operacionit, por edhe nëse ndodh pas tij për të mos u ndërlikuar me ndonjë infeksion në protezë.

Infeksionet e lëkurës. Edhe infeksionet e ndryshme të lëkurës, myku, paraqesin një rrezik në këtë rast, për ta bërë pacientin më të prirur për infeksione. Megjithatë ne kujdesemi që para ndërhyrjes ti trajtojmë këto infeksione eventuale me antibiotik që quhet profilaski, para dhe pas ndërhyrjes.

Trombozë e venave të thella

Në operacionet madhore të ortopedisë, siç është proteza e gjurit, një nga ndërlikimet që mund të ndodhë është edhe tromboza e venave të thella të gjymtyrëve të poshtme. Fatmirësisht nuk është ndërlikim i shpeshtë, megjithatë për ta parandaluar këtë risk ne përpiqemi që para ndërhyrjes dhe pothuajse një muaj pas saj ta trajtojmë pacientin me disa preparate që quhen antikoagulant.

Luksacion i protezës

Në raste shumë të rralla mund të ndodhi edhe ajo që ne e quajmë luksacion i protezës. Luksacion do të thotë kur mentesha e protezës del nga vendi i vet duke bërë të nevojshme për pacientin një ndërhyrje të dytë ose dhe të tretë kirurgjikale.

Shkëputja e protezës nga kocka

Komponentët e protezës janë të tillë që montohen në kockë, bëhen një me kockën. Në raste shumë të rralla mund të ndodhë që kjo protezë të lirohet, shkëputen nga kocka duke sjellë dhimbje për pacientin, bllokim dhe kërcitje të gjurit. Kjo bën të nevojshme një ndërhyrje të dytë e cila konsiston në heqjen e kësaj proteze dhe zëvendësimin me një të re.
Si përfundim, megjithë ndërlikimet e sipërpërmendura, të cilat fatmirësisht janë shumë të rralla, zëvendësimi total i gjurit me protezë është një nga triumfet e vërteta të shkencës mjekësore moderne. Për shekuj me radhë njerëzit me sëmundje të gjurit mund të mendonin vetëm se si do ta kalonin jetën e tyre me dhimbje, ndërsa në ditët e sotme shumica prej tyre mund të bëjnë një jetë krejtësisht normale pas zëvendësimit total të gjurit me protezë./ Shendeti.com.al

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here