Bisedoi: Denisa Canameti, gazeta Shëndet + dhe Shëndeti Online
Ditët e fundit mediat raportojnë për raste makabre dhune dhe vrasjesh brenda bërthamës së familjes. Shkak i këtyre episodeve në pjesën më të madhe të rasteve është xhelozia, si dhe varfëria ekstreme. Dhuna në familje është e theksuar më tepër ndaj gruas, megjithatë sipas raportimeve, viktima janë edhe fëmijët. Psikologët në një skanim të përgjithshëm të situatës, vlerësojnë se janë pikërisht faktorët socialë, të tillë si varfëria, që nxisin dhunën në familje si dhe ndërmarrjen e veprimeve edhe më ekstreme si, vrasja.
Në një intervistë për gazetën “Shëndet+”, psikologia Orjola Pampuri thotë se Shqipëria vazhdon ende të përjetojë tranzicionin e viteve më parë kur familjet ishin të ndara për shkak të emigrimit.
Emigrimi, faktor i rëndësishëm
Emigracioni, i cili nisi në fillim të viteve ’90 për të gjetur një jetesë më të mirë, kushte më të mira ekonomike dhe sociale, fatkeqësisht vazhdon ende sot, kur familjet shqiptare “ndahen”, duke jetuar njëri bashkëshort në Shqipëri e tjetri jashtë shtetit. Kjo ndodh për shkak të papunësisë e kushteve të këqija ekonomike. Pra, nevoja për mbijetesë i përçan familjet, duke sjellë më pas probleme nga më të ndryshme, që nga xhelozitë e deri tek dhuna.
Mentaliteti shqiptar vazhdon ende të lerë gjurmë
Të mos harrojmë se vijmë nga një shoqëri patriakale, ku vendimet në familje merren nga burrat. Përballja me një kulturë ku roli i gruas është fuqizuar dhe ajo mund të jetë pjesë e vendimarrjes në familje, nuk kapërdihet njëlloj nga të gjithë. Kjo mund të jetë një arsye prej së cilës një mashkull mund të frustrohet dhe në fund ta dhunojë bashkëshorten dhe nënën e fëmijëve të tij.
Vijmë nga një kulturë ku shumë martesa nuk janë bërë për shkak të dashurisë, shumë vajza e djem martohen ende në moshë shumë të re. Martesa është një hap i rëndësishëm dhe, nëse ajo ndodh, të dy individët duhet të kenë konsoliduar të gjitha pritshmëritë e tyre e më pas të nisin një fazë tjetër jashtëzakonisht të rëndësishme, që është prindërimi.
Por para këtij vendimi për prindërim, çifti duhet ta konsolidojë mirë martesën, që përballë vështirësive të mos kalojnë në dhunë. Kini parasysh se një person që është dhunuar fizikisht ose psikologjikisht në familjen e tij, është i prirur të ushtrojë dhunë tek të tjerët. Gjithashtu, një person që dhunon një herë, nuk do të reshtë kurrë së dhunuari.
Meshkujt krenarë nuk e pranojnë divorcin
Meshkujt, për shkak të krenarisë, nuk e pranojnë divorcin, madje e konsiderojnë shpesh si dështim. Kjo për një mashkull me krenari të lartë, përbën traumë dhe kjo traumë i tejkalon kufijtë e të menduarit dhe ndërgjegjes duke u shndërruar në dhunues të ashpër.
Shpesh flasim për ligje. Në fakt ato ekzistojnë, por mënyra se si zbatohen lë për të dëshiruar. Megjithatë, në një moment krize dhe mjerimi, problemi i këtyre personave e tejkalon rëndësinë e ligjit, madje nuk e perceptojnë frikën, thjesht sundohen nga egoizmi i shfrenuar dhe dhunojnë. Frustrimi vjen i nxitur nga mospërmbushja e një dëshire. Sa më e madhe dëshira apo këmbëngulja, aq më i madh frustrimi, i cili nxit nismën për të ndërmarrë veprime të dhunshme e fatale, duke ulur në maksimum kontrollin e egos dhe superegos. Rastet kur burri vret gruan apo në ekstrem vret veten dhe fëmijët, mund të konsiderohen raste patologjike, por të nxitura nga faktorë të jashtëm.
Mjerimi dhe varfëria, shkak për vetëvrasje
Ekzistojnë persona të ndjeshëm dhe shumë të ndjeshëm ndaj ngacmuesve të jashtëm. Këta të fundit mund të fshehin një patologji e cila në rastin e një varfërie ekstreme, si në rastin e Korçës apo të një xhelozie si në rastin e Fierit mund të çojnë deri në akte fatale. Në raste të tjera mjerimi dhe varfëria, kryesisht, kanë qenë shkak për vetëvrasjet që kanë qenë të shumta në numër kohët e fundit.
Jo e gjithë dhuna raportohet
Dhuna kundrejt grave nuk mbetet vetëm ajo që raportohet apo denoncohet. Janë me qindra të tjera të cilat heshtin. Heshtin për shkak të frikës, të pasigurisë: Ku do të raportojnë? Çfarë do t’u ofrohet? Ku do të shkojnë? Shumë prej tre nuk kanë arsim apo një profesion, pra mbeten pa asnjë mbështetje financiare, shumë prej tyre nuk kanë as mbështetjen e familjes pasi në shoqërinë tonë divorci paragjykohet. Në këto kushte, jemi përballë shumë dilemave.
Varfëria në të cilën është kanosur vendi ynë, është faktori kyç që po shpërbën familjen shqiptare, roli i shtetit lë për të dëshiruar, nuk ka një strehëz për një grua të dhunuar, nuk ka një strehëz për fëmijët të cilët duhet të jetojnë në një familje të dhunshme, mbështetja sociale për familjet në nevojë është e papërfillshme, papunësia është tepër e madhe.

