Propozohet që të përfitojnë mbrojtje nga ky ligj edhe personat që kanë lidhje dashurie ose lidhje fejese me dhunuesit. Ka edhe një ndryshim tjetër në lidhje me të drejtën për strehim të viktimave të dhunës
Konstitucionalistja Aurela Anastasi në një prononcim të dhënë për gazetën “Shëndet Plus” pohon se deri më tani ka pasur një angazhim serioz të institucioneve që janë pjesë e autoriteteve kundër dhunës në familje. Sipas saj, procesi është ende në vijim dhe për pasojë ka vend për përmirësime. Për Anastasin, një pikë e rëndësishme fokusi mbetet angazhimi dhe përmirësimi i bashkëpunimit midis aktorëve shtetërore dhe shoqërisë civile që ushtrojnë veprimtarinë e tyre, në mbrojtje të viktimave të dhunës.
Cilat janë masat ligjore që ndërmerren për mbrojtjen e gruas nga dhuna?
Në dhjetëvjeçarin e fundit janë rritur mjetet ligjore për mbrojtjen e gruas nga dhuna, si në procesin civil edhe në atë penal. Kështu p.sh., në procesin civil, është duke u zbatuar ligji “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2007, kurse në procesin penal kanë filluar të zbatohen dispozitat e reja kundër dhunës në familje, që u shtuan në Kodin Penal, dy vitet e fundit. Këto mundësi që ofrohen nga legjislacioni, duhet të zbatohen me korrektësi dhe efektivitet nga organet kompetente.
Deri më tani a ka pasur një zbatueshmëri të saktë të ligjit?
Aktualisht mund të flasim për një angazhim serioz të institucioneve që janë pjesë e autoriteteve kundër dhunës në familje të parashikuar nga ligji. Por ky proces është në vijim dhe ka nevojë për përmirësime. Kështu p.sh., një aspekt shumë i rëndësishëm mbetet forcimi dhe përmirësimi i bashkëpunimit të njësive kundër dhunës pranë policisë së shtetit, me organizatat jofitimprurëse që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në mbrojtjen e viktimave të dhunës.
Vetëm referimi i ndërsjellë midis tyre bën të mundur që viktima të marrë të gjitha shërbimet, të gjithë informacionin, si dhe të mbrohet nga një avokat, pasi shpesh ajo mbetet e vetme në korridoret e gjykatës dhe e ka të pamundur të mbrohet. Këto raste kanë përfunduar pa një urdhër mbrojtje dhe kanë rritur numrin e pushimeve të gjykimit.
Çfarë duhet ndryshuar apo modifikuar sipas jush, në ligjin aktual për dhunën ndaj grave?
Zbatimi i ligjit “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare” dhe i Vendimit të Këshillit të Ministrave për mekanizmin e referimit kundër dhunës në familje, ka nxjerrë në pah një sërë problemesh dhe natyrisht ka pasur diskutime në lidhje me një përmirësim të mundshëm të tij. Kështu p.sh., ka specialistë që mendojnë se ligji duhet të autorizojë fillimisht policinë për të nxjerrë urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes dhe më tej, gjykata të ketë një rol verifikues e kontrollues mbi këta urdhra. Disa të tjerë mendojnë se rrethi i subjekteve të personave familjarë duhet të zgjerohet dhe të hiqen kufizimet në lidhje me mbrojtjen e tyre.
P.sh., propozohet që të përfitojnë mbrojtje nga ky ligj edhe personat që kanë lidhje dashurie ose lidhje fejese me dhunuesit. Ka edhe një ndryshim tjetër për të cilin biem dakord të gjithë, në lidhje me të drejtën për strehim të viktimave të dhunës. Aktualisht kjo e drejtë u përket vetëm grave që kanë një Urdhër të MenjëhershëmMbrojtjeje ose një Urdhër mbrojtjeje nga Gjykata.
Ndërkohë, në praktikë, ka mjaft raste kur gratë e dhunuara kanë nevojë për strehim edhe në momentet e para të ushtrimit të dhunës, ndërsa ende gjykata nuk e ka nxjerrë urdhrin e mbrojtjes, pra në momentin kur ato denoncojnë dhunën. Për më tepër, ka mjaft raste në praktikë, kur gjykata vonon për të përfunduar procesin edhe tej afatit të parashikuar nga ligji.
Nëpërmjet ligjeve të posaçme që dënojnë dhunën, a është arritur të frenohet disi ky fenomen?
Jemi shumë të bindur që parashikimet e posaçme ligjore kundër dhunës në familje kanë sjellë rezultat pozitiv. Kemi një rritje të rasteve të denoncimit të dhunës në familje dhe një përqindje të lartë të urdhrave të mbrojtjes që zbatohen. Por forcimi i bashkëpunimit midis aktorëve shtetërore dhe shoqërisë civile për zbatimin e akteve, do të shpinte në rritjen e rezultateve për parandalimin e dhunës, sepse në fund të fundit, i gjithë qëllimi ynë mbetet parandalimi i saj.


