Kryefaqja Box 5 Dibra dhe Moratoriumi i Pyjeve – Risi apo Domosdoshmëri?!

Dibra dhe Moratoriumi i Pyjeve – Risi apo Domosdoshmëri?!

0
Shpërndaje

Moratoriumi i pyjeve është një nismë e ndërmarrë botërisht për të ndaluar fenomenin e shëmtuar të shpërdorimit dhe prerjes së pemëve në pyje të ndryshme. Botërisht ky moratorium vendos limite në numrin e pemëve që mund të prihen në bazë të rregullave vendore, deri në daljen e një ligji për mbrojtjen dhe rivitalizimin e natyrës.

Moratoriume të tilla janë ndërmarrë në  pyjet tropikale, pyjet e mbingopura me pemë, pyje që kanë një flora dhe fauna të zhvilluar, apo pyje që janë në proces zhdukje nga mbishfrytëzimi.

Shqipëria duket se po bie në hapat e Rumanisë, ku është ndërmarrë një moratorium për të ruajtur disa lloje koniferesh që ndryshe quhen pisha të virgjëra në parqet natyrore me afat 5-vjeçare. Këto parqe pishash janë pjesë e trashëgimisë natyrore UNESCO.

Në Shqipëri, objektivi kryesor i moratoriumit është ndalimi i ushtrimit të veprimtarisë shfrytëzuese të lëndës drusore në fondin pyjor publik. Kjo vjen si pasojë e tregtimit të këtyre produkteve drusore, eksportin e tyre si lëndë e parë ose si dru zjarri, apo edhe si qymyr druri.

Moratoriumi i pyjeve është tejet i rëndësishëm në Shqipëri, duke qenë se vërehet një shfrytëzim i theksuar i këtyre pyjeve në mënyrë të jashtë ligjshme. Gjithsesi, moratoriumi i pyjeve, edhe pse erdhi si një domosdoshmëri për të ruajtur sipërfaqe të tëra pyjesh  të shpyllëzuara në këto 25 vite, sado strikt që është parashikuar, ka për qëllim përmirësimin e situatës dhe rritjen e mbrojtjes së burimeve drusore. Por, si çdo burim natyror, edhe lënda drusore nuk mund të ndalohet në totalitet për t’u përdorur ndaj vetë ligji i moratoriumit parashikon tre raste ezauruese për lejimin e ndërhyrjes në fondin pyjor dhe këto raste koincidojnë me domosdoshmëritë dhe nevojat e popullatës për lëndë drusore, duke përfshirë lejimin e prerjes se druve për:

  • Dru zjarri
  • Rigjenerim dhe pastrim të pyjeve
  • Në bazë të fondit pyjor

Moratoriumi ka një afat zbatimi prej 10 vitesh, një prej afateve me të mëdha të moratoriumeve nëpër botë.

Edhe zona e Dibrës si pjesë integrale e territorit shqiptar është duke ju nënshtruar  moratoriumit të pyjeve. Zona e Dibrës, me qendër Peshkopinë, jo vetëm që është e pasur në hapësira të  tëra pyjore – madje në këtë rreth shtrihet edhe një pjesë e bjeshkëve – por ajo është një zonë e pasur në monumente të kulturës dhe të natyrës, ku sipas inventarizimit të deri tanishëm të bërë nga Ministritë e Mjedisit dhe të Kulturës figurojnë mbi 85 monumente natyrore e kulturore. Duke u bazuar në sa më lart, është e nevojshme që administratat të informohen në mënyrën e mbrojtjes së këtyre monumenteve natyrore.

Disa nga monumentet kryesore natyrore janë:

Karsti i Malit të Bardhë. Gjendet pranë fshatit Sllovë në formën e një peizazhi karstik në gjipset  permo-triasit. Dallohet për ngjyrën e bardhë, lapiezet, gropat e hinkat, shpellat karstike, që nuk njihen, dhe vlerat gjeomorfologjike, hidrologjike, biologjike, didaktike, turistike. Vizitohet sipas rrugës rurale Peshkopi Sllovë-rruga këmbësore tek Mali i Bardhë.

Pasqyrat e Gramës. Gjendet në malin e Gramës, pranë fshatit Sllovë, 1900 m mbi nivelin e detit. Zhveshja gjipsore e llojit selen shkëlqen. Ka gjatësi rreth 500 metra, gjerësi rreth 200 m. dhe vlera shkencore (gjeologjike, gjeomorfologjike), didaktike. Vizitohet sipas rrugës rurale Peshkopi–Sllovë-rruga këmbësore tek monumenti.

Gropa e Panairit. Gjendet afër fshatit Radomirë, 2115 m mbi nivelin e detit. Përbën cirk glacio-karstik në rreshpe, me gjatësi 800 m e gjerësi 230 m, formë amfiteatri. Ka vlera shkencore gjeomorfologjike, ekologjike, turistike. Vizitohen sipas rrugës Peshkopi-Radomirë.

Për të konkluduar, moratoriumi është një risi shumë e rëndësishme në Shqipëri, përpos faktit të ruajtjes së bukurive natyrore gjithashtu edhe për vlerat ekonomiko-gjeologjike që i jep Shqipërisë, qoftë në turizëm, apo edhe në fusha te tjera.

Nga sa më sipër lind një domosdoshmëri imediate që administratat lokale të njohin jo vetëm pasuritë që shtrihen në juridiksionin e rretheve, ku ato shtrijnë funksionet e tyre, por edhe të jenë të ndërgjegjshme për mënyrën e ruajtjes, konservimit, mirëmbajtjes dhe pse jo edhe menaxhimit të tyre me qëllim rritjen e nivelit te jetesës dhe përmirësimit të klimës ekonomike në zonat e tyre.

Konkretisht me këtë qëllim disa prej fondeve të Bashkimit Evropian janë drejtuar edhe tek qarku i Dibrës. Një nga projektet e fundit është ai i REC Albania – ACHIEVE – shoqëria shqiptare për mjedis evropian dhe Instituti për Kërkim dhe Zhvillim Barleti, që në datat 23-24 shkurt dhe 20-21 mars mbajtën një trajnim katër ditor me punonjës të njësive administrative Dibër. Ky trajnim pati në fokus ruajtjen dhe menaxhimin e monumenteve natyrore, kulturore të rrethit të Dibrës si faktor potencial për zhvillimin lokal. Njohja e përfaqësuesve të njësive administrative me legjislacionin për moratoriumin e pyjeve, ruajtjen dhe konservimin e zonave te mbrojtura dhe monumenteve të natyrës, ligjin për trashëgiminë kulturore ishin disa nga piketat kryesore që u trajtuan dhe që do të pasohen të trajtohen në muajin mars me qëllim arritjen jo vetëm te ndërgjegjësimit të autoriteteve lokale por edhe arritjen e përmirësimit të situatës aktuale.

Besojmë që iniciativa të tilla duhen vlerësuar pasi nxisin zhvillimin ekonomiko-shoqëror si dhe lehtësojnë punën e administratave lokale për çështje të tilla sensitive./ https://shendeti.com.al/

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here