Kryefaqja Mjedisi Mjedis Aktivitete Dita Botërore e Mjedisit, TFL çel ekspozitën fotografike në Patos

Dita Botërore e Mjedisit, TFL çel ekspozitën fotografike në Patos

0
Shpërndaje

Shoqata “Together for Life” në kuadër të Ditës Botërore të Mjedisit, organizoi një sërë aktivitetesh në qytetin e Patosit. Aktivitetet kishin për qëllim sensibilizimin qytetar për të luftuar degradimin mjedisor si dhe për të vendosur çështjet e mjedisit në vëmendjen politike.

Aktiviteti u çel me prezantimin e një ekspozite fotografike, në ambientet e Pallatit të Kulturës ku është zhvilluar dhe një sesion i shkurtër informimi mbi rëndësinë që ka mbrojtja e mjedisit. Gjatë ekspozitës u vu theksi në fotografitë me zonat e identifikuara nga aplikacioni “Trash – out” të cilat pas monitorimit nga ana e shoqatës, ishin përmirësuar.

Znj. Elena Beta, koordinatore pranë shoqatës “Together for Life”, theksoi se angazhimi i të rinjve në mbrojtjen e mjedisit është një faktor ndikues në përmirësimin e politikave të pushtetit vendor. Beta vuri theksin në vëmendjen politike që duhet t’i kushtohet mjedisit pasi është një çështje delikate e cila kërkon shumë punë nga të gjitha palët. “Shoqata Together for Life” punon shumë në informimin, sensibilizimin qytetar pasi është e rëndësishme të punojmë sëbashku për të bërë më të mirën për mjedisin që na rrethon”, vijoi Beta.

Më pas nxënësit e Qendrës Kulturore të Fëmijëve kanë zhvilluar “Paradën e Ushqimeve” me veshje të riciklueshme ndërsa nxënësit e Qendrës së Kurseve “Professional Institute” kanë ndarë mesazhe sensibilizuese me të pranishmit.

Znj. Blerina Troka, specialiste mjedisi pranë Bashkisë Patos, foli për rëndësinë e angazhimit qytetar në çështjet mjedisore duke theksuar faktin se Bashkia është duke punuar për përmirësimin e problematikave mjedisore të qytetit edhe pse duhet bërë akoma më shumë sidomos në sensibilizimin dhe angazhimin qytetar. “Unë falënderoj shoqatën Together for Life” që na përfshiu në aktivitetin e ditës të mjedisit pasi është pikërisht dita që duhet të japim mesazhe të forta të gjithë së bashku në mënyrë që puna jonë në të ardhmen të përfshijë jo vetëm institucionet por dhe komunitetin’, tha Troka.

E pranishme në aktivitet ishte dhe Kryebashkiakja znj. Rajmonda Balilaj e cila i ftoi të rinjtë në ambientet e jashtme të Pallatit të Kulturës, duke i këshilluar ata të angazhohen në pastrimin e mjedisit dhe njëkohësisht të jenë ata ambasadorët e natyrës së qytetit. “ Të jetoni në një qytet të pastër do të thotë të rriteni të shëndetshëm dhe të jetoni më gjatë , prandaj këto mesazhe që dëgjuat sot, duhet t’i shpërndani tek të gjithë bashkëmoshatarët tuaj, motrat dhe vllezërit në mënyrë që të sensibilizohen të gjithë dhe të punojmë së bashku për të bërë më të mirën për mjedisin ku jetojmë.” , theksoi Balilaj.

Më pas të rinjtë u zhvendosën në lagjen “Naftëtari” ku realizuan një aksion pastrimi, duke përmbushur në këtë mënyrë misionin dhe simbolikën e kësaj dite.

Të ftuar në aktivitet ishin nxënës të shkollave të mesme, mësues, figura publike, titullarë institucionesh, mediat lokale, të cilët u bënë një zë i përbashkët në luftën që gjithsecili prej nesh duhet të bëjë për përmirësimine mjedisit ku jeton.

Dita Botërore e Mjedisit është përzgjedhur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara si ditë ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit dhe përkujtohet që nga 05 Qershori 1972, kur është

mbajtur Konferenca e Parë mbi Mjedisin Human në Stokholm. Një tjetër rezolutë e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme në të njëjtën ditë, çoi në krijimin e Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin. Qëllimi i kësaj dite është thellimi i ndërgjegjes publike mbi nevojën për ruajtjen e mjedisit dhe fuqizimin e vëmendjes e veprimeve politike në mbrojtje të tij. Dita Botërore e Mjedisit mikpritet çdo vit nga një shtet i ndryshëm.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projektit “Informim- komunikimi për politikat mjedisore, fokusuar në mbetjet urbane” në bashkëpunim me BASHKIA PATOS (MUNICIPALITY PATOS) si pjesë e programit Senior Albania, mbështetur nga REC Shqipëri dhe Ambasada Suedeze Embassy of Sweden in Tirana.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here