Drama e divorceve, ja si e përjetojnë fëmijët

Eglantina Nikollaj/ Psikologe në gjykata

Kur një çift divorcohet, ata që janë më të ekspozuar ndaj faktorëve që ndikojnë drejtpërsëdrejti në cenimin e mirëqenies, jo vetëm në sferën ekonomike, por edhe në atë afektive, deri edhe në trauma të rënda psikologjike, janë fëmijët. Shpesh, shkaktare e një ngarkese të tillë emocionale është sjellja dhe mënyra e komunikimit të vetë prindërve me ta.

Divorci 1Në realitetin shqiptar, kur një burrë e një grua vendosin të ndahen, komunikimi mes tyre ka marrë fund. Kjo mungesë komunikimi nis që me fazën e “parandarjes”. Fëmijët nisin të përjetojnë situata aspak normale për ta në familje: sherri mes prindërve, përplasja e objekteve në shenjë nervozizmi në sy të tyre, akuza e kundërakuza për tradhti bashkëshortore apo mungesë përgjegjësie familjare e deri në dhune fizike (përgjithësisht babai kundrejt nënës). Më pas fëmija vihet përballë një realiteti krejt të papritur: braktisjen nga njëri prind. Kur situata familjare precipiton çdo ditë konflikte e ndoshta edhe dhunë, atëherë njëri prej prindërve largohet nga banesa. Në të shumtat e rasteve, kjo “braktisje” realizohet pa komunikuar më parë me fëmijën, çka i shkakton atij një goditje të fortë psikologjike.

Si e përjeton fëmija divorcin…
Reagimet emocionale të fëmijës në momentin që mëson ndarjen e prindërve janë të ndryshme. Ata që e përjetojmë më shumë janë fëmijët djem, sidomos kur ata janë në moshën e adoleshencës. Në këtë moshë, ai krijon personalitetin e tij dhe figura e babait në jetën e tij është mjaft e rëndësishme. Për djemtë, babai është figura kryesore që iu shërben si model edukimi. Fëmija që nuk e ka këtë model në shtëpi, mund të priret drejt modelit të një personi të gabuar. Edhe vajzat e përjetojnë mjaft rëndë ndarjen e prindërve, duke demostruar forma të ndryshme të sjelljes dhe të ngarkesës psikologjike.
Fëmijët e shfaqin përjetimin në forma të ndryshme. Shumë prej tyre janë agresive me të gjithë personat që i rrethojnë, me bashkëmoshatarët në shkollë, me mësuesit etj. Ata mbështillen nga një gjendje alarmi dhe paniku dhe shpesh mund të jetë e nevojshme ndërhyrja e një specialist apo e psikologut në shkollë në mënyrë që fëmija të ndihmohet për ta menaxhuar sa më mirë këtë gjendje. Tashmë atë e pret një mënyrë krej e re e jetesës dhe kjo i shkakton gjendje paniku.

Kujdestaria e nënës

Në më të shumtat e rasteve, gjykata ia cakton kujdestarinë e fëmijës nënës. Asaj do t’i duhet të shpenzojë më pak kohë me fëmijën, pasi do të jetë e detyruar të punojë me orë më të gjata për të përballuar mirërritjen e tij dhe shpenzimet e tjera familjare. Kjo mënyrë e re jetese shkakton stres dhe pakënaqësi tek fëmija. Shpesh pas divorcit do t’u duhet të ndërrojnë shkollën apo kopshtin për shkak se nëna nuk arrin dot të përballojë ato institucione të edukimit që janë disi më të kushtueshme. Kjo do të thotë se fëmijës, veç traumës së përjetuar nga ndryshimi rrënjësor i sistemit familjar, do t’i duhet të ndryshojë edhe shokët, mësuesin apo edukatorët. Grindjet dhe agresiviteti, mungesa e humorit, çrregullime të gjumit, mungesë oreksi, ndjenja e pakënaqësisë ndaj lodrave, mungesa e dëshirës për t’u përfshirë në lojëra me shokët etj, janë disa nga përjetimet e fëmijës. Këto janë më evidente në dy vitet e para pas divorcit. Por nëse prindërit nuk e menaxhojnë mirë situatën e postdivorcit dhe nuk iu qëndrojnë afër fëmijëve, nëse nuk komunikojnë me ta, atëherë ka të ngjarë që trauma e përjetuar të zgjasë shumë vite. Zakonisht fëmijët me prindër të divorcuar kanë rezultate më të ulëta në shkollë. Ata janë më të ekspozuar për t’u bërë pre e sjelljeve delikuente e deri në përfshirje në vepra të ndryshme kriminale, si psh vjedhjet apo veprime të tjera të dhunshme për të cilat parashikohen dënime në kodin përkatës.

A duhet që nëna të zëvëndësojë babanë?
Këtë pyetje ia bëjnë shpesh vetes nënat që janë divorcuar ose janë në proces ndarje në gjykatë. Ato ndiejnë përgjegjësi dyfishe në rritjen dhe edukimin e fëmijëve. Frika më e madhe e tyre ka të bëjë me kujdesjen karshi djemve, të cilët sidomos në adoleshencë krijojne identitetin e tyre dhe kanë nevojë për figurën dhe modelin e një mashkulli në shtëpi.
Një nënë, jo se nuk duhet, por nuk mund ta zëvendësoje rolin e babait. Si vajzat ashtu edhe djemtë kanë nevojë për persona meshkuj që të kujdesen për ta. Nëna mund të jetë përgjegjëse dhe mund të përmbushë mjaft mirë nevojat në planin e edukimit, në planin juridik dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me sferën administrative, por ajo nuk mund të përgjigjet dhe të zëvendësojë babanë në planin afektiv, emocional, sidomos kur fëmija është djalë.

Nuk është e këshillueshme që nëna të marrë përsipër t’i shpjegojë atij situata për të cilat nuk mund t’i japë përgjigje. Në këto raste, e mira do të ishte që ajo ta orientonte të birin drejt figurave “burrërore”, duke pasur kujdes më parë në perifrazimet orientuese që ajo bën. Ajo duhet t’i thote “këto janë unë djemsh”, dhe më pas ta këshillojë që të pyesë babanë e tij apo edhe persona të tjerë të besuar të saj, siç mund të jetë daja i fëmijës.

Format e përjetuara:
-Fëmija shfaqe sjellje agresive
-Bie ndjeshëm në mësime
-Mungesë dëshire për tu aktivizuar
-Shfaq pakënaqësi ndaj gjithckaje
-Çrregullime me gjumin
-Gjendje paniku dhe alarmi
-Ndihet vetëm dhe i braktisur
-Mungesë oreksi, refuzon ushqimin
-Sjellje armiqësore në shkollë
-Mbyll komunikimin me shokët
-Ndjenjë faji dhe izolimi

Postime të ngjashme

Kur stresi i provimeve bëhet i rrezikshëm për fëmijën tuaj – si ta dalloni dhe si ta ndihmoni
Rutina e përditshme që forcon trurin dhe përmirëson kujtesën
Shenjat e fshehta që tregojnë se harresa mund të jetë shqetësuese
Si ndikon koha para ekranit në zhvillimin e trurit të fëmijëve
Testi i thjeshtë që zbulon në pak minuta nëse një fëmijë ka autizëm
Sjellja që praktikojnë prindërit por që mund të ndikojë shëndetin mendor të fëmijëve të tyre
Ekspertët e Harvardit paralajmërojnë se katër zakone të zakonshme po dëmtojnë trurin tonë
Sinjalet e depresionit, psikiatrit bëjnë apel të mos neglizhohen këto ankesa