Prof. Dr. Lisen Bashkurti deklaroi se nëse do të zbatoheshin kërkesat e BE-së mbi mbrojtjen e mjedisit, atëhere mbi 150 mijë automjete në Shqipëri do të nxirreshin nga qarkullimi, Kurumi do të mbyllej
Në progres-raportin 2013 Shqipëria kritikohet mbi ndotjen e ajrit: Nuk ka monitorim të ndotjes së ajrit në qytete me përjashtim të Tiranës, është ulur taksa e ndotjes për automjetet e përdorura, nuk ka kufizime për disa ndotës etj. Prof. Dr. Lisen Bashkurti deklaroi se nëse do të zbatoheshin kërkesat e BE-së mbi mbrojtjen e mjedisit, atëhere mbi 150 mijë automjete në Shqipëri do të nxirreshin nga qarkullimi, Kurumi do të mbyllej e shumë njerëz do të ngeleshin pa punë.
Studimi
Siç tregon një studim i fundit i kryer nga një agjensi e Organizatës Botërore të Shëndetit, shqiptarët do të mbeteshin dhe me më pak kancer. Specialistët e OBSH-së kërkojnë marrjen e masave urgjente për pakësimin e ndotjes së ajrit. Një ndër to për Shqipërinë do të ishte (ri) ngritja e taksës së ndotjes mbi automjetet e përdorura, shoqëruar kjo me lehtësimin e udhëtimit me biçikleta dhe transport publik. Le të bëhemi si Danimarka me biçikleta e trena, e jo si India me automjetet shkatarraqe.
Më poshtë mund të lexoni lajmin mbi klasifikimin e ndotjes së ajrit si një ndër kancerogjenët kryesorë.
Organizata Botërore e Shëndetit klasifikoi ndotjen e ajrit në mjedisin e jashtëm si një ndër shkaqet kryesore të kancerit tek njerëzit. Ajri që thithim është ndotur me një sërë substancash kancerogjene
OBSH: Ndotja e ajrit ndër shkaqet kryesore të kancerit
Gjenevë (AFP) – Organizata Botërore e Shëndetit klasifikoi ndotjen e ajrit në mjedisin e jashtëm si një ndër shkaqet kryesore të kancerit tek njerëzit.
“Ajri që thithim është ndotur me një sërë substancash kancerogjene,” thotë Kurt Straif i Agjensisë Ndërkombëtare të Kërkimeve mbi Kancerin (ANKK), agjensi e OBSH-së. Tashmë dimë se ndotja e ajrit është jo vetëm një risk për shëndetin në përgjithësi, por dhe një ndër shkaqet më të rëndësishme mjedisore të vdekjeve nga kanceri.”
Konkretisht, thotë drejtori i ANKK-së, Christopher Wild, ndotja e ajrit në mjediset e jashtme është klasifikuar si risk i “Grupit A”, kategoria më e rrezikshme në një shkallë me 4 kategori.
ANKK nënvizoi se një grup me ekspertët më të mirë ka gjetur prova të mjaftueshme se ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit shkakton kancer në mushkëri dhe rrit rrezikun e kancerit në veshka.
Wild nënvizoi se ndotja e ajrit nuk është shkaku kryesor i sëmundjes.
“Kemi mbi 1 milion raste me kancer mushkërie në vit, shumica e të cilave shkaktohen nga duhani, kurse ndoshta rreth 10% e tyre shkaktohen nga ndotja e ajrit,” u tha ai reporterëve.
Megjithëse substancat ndotëse dhe niveli i ekspozimit mund të ndryshojnë mjaft midis vendeve, agjensia deklaroi se konkluzionet e saj janë të vlefshme për çdo rajon të botës.
Rreziku
Ndotja e ajrit dihet tashmë se rrit rrezikun e sëmundjeve të frymëmarrjes dhe të zemrës.
ANKK thotë se nivelet e ekspozimit ndaj ndotjes janë rritur shumë në disa pjesë të botës në vitet e fundit, kështu në vendet me industrializim të shpejtë dhe popullsi të mëdha.
Të dhënat më të fundit, të vitit 2010, tregojnë se 223,000 vdekje nga kanceri në mushkëri në të gjithë botën janë pasojë e ndotjes së ajrit.
Të dhënat nuk u mundësuar ekspertëve të përcaktojnë nëse grupe të veçanta njerëzish ishin më të prekura, por Straif thotë se rreziku nga kanceri rritet me rritjen e ekspozimit ndaj ndotjes.
Në të kaluarën, ANKK ka matur praninë e substancave kimike dhe të përzerjeve kimike në ajër-përfshirë të tymrave të automjeteve, të solventëve, metaleve dhe pluhurit.
Djegia e naftës
Emetimet nga djegia e naftës janë të klasifikuara si kancerogjene nga ANKK. Zbulimet e fundit janë bazuar mbi cilësinë e ajrit në përgjithësi, dhe mbi studimin e thelluar të mijëra projekteve kërkimore mjekësore të realizuara nëpër botë përgjatë dekadave.
“Detyra jonë ishte të vlerësonim ajrin në përgjithësi, se sa të fokusoheshim në ndotës specifikë të ajrit,” thotë Dana Loomis, e ANKK. Rezultatet e studimeve të shqyrtuara tregojnë në të njëjtin drejtim: rreziku i kancerit të mushkërisë rritet ndjeshëm tek njerëzit e ekspozuar ndaj ndotjes së ajrit,” shton ajo.
“Nuk ka ajër privat. Jemi të pafuqishëm të ndryshojmë ajrin që thithim. Duhet një aksion kolektiv për të zgjidhur këtë problem,” thotë ajo.
Burimet kryesore të ndotjes së ajrit janë transporti, termocentralet, fabrikat dhe fermat, ngrohja dhe gatimi në ambjentet e banimit, thotë agjensia.
“Klasifikimi i ndotjes së ajrit si kancerogjen është një hap i rëndësishëm,” thotë Wild.
“Ka mënyra efektive për të pakësuar ndotjen e ajrit dhe për shkak të shkallës së gjerë të njerëzve të prekur, ky raport duhet të nisë një sinjal të fortë që të merrren masa pa vonesë.”
ANKK do të botojë konkluzionet e zgjeruara në 24 Tetor në sitin e specializuar “Onkologjia Lancet”
Ajo ka bërë dhe një vlerësim të veçantë mbi “grimcat”, duke i klasifikuar si shkaktar kanceri i grupit 1. Grimcat përfshijnë grimcat e ngurta dhe grimcat e lëngëta të gjendura në ajër-si bloza-të cilat mund të penetrojnë thellë në aparatin e frymëmarrjes.
Përveç kancerit, pasoja shëndetësore të ndojtes së ajrit janë dhe vështirësi në frymëmarrje, bronshiti kronik, dhe vdekja e parakohshme në njerëzit me sëmundje zemre ose mushkërie. Përpos këtyre, grimcat kanë dhe pasoja mjedisore, si gërryerja, papastërtia, dëmtimi i bimësisë dhe mjegullimi i pamjes nga smogu.

