“Është një nga viruset më ngjitëse”, OBSH kërkon më shumë angazhim në luftën kundër fruthit

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë thirrje për përpjekje më të mëdha në luftën kundër fruthit, i cili është përhapur në 58 shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara ku kanë vdekur dy fëmijë.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara, me seli në Gjenevë, theksoi se vaksina kundër fruthit është e sigurt dhe efektive.

“Dua t’iu rikujtoj njerëzve se fruthi është një nga viruset më ngjitëse”, tha Kate O’Brien, drejtoreshë e departamentit të vaksinave në OBSH.

Gjatë konferencës për media, ajo shmangu kritikat ndaj presidentit amerikan, Donald Trump, dhe sekretarit amerikan të Shëndetësisë, Robert Kennedy Jr., i cili njihet si skeptik i vaksinave.

Kennedy është akuzuar se nuk po bën mjaftueshëm për të luftuar shpërthimin vdekjeprurës të fruthit, që ka epiqendrën në Teksas, ku janë regjistruar qindra raste. Ai vetëm së voni ka pranuar efektivitetin e vaksinës kundër fruthit.

“SHBA-ja është duke punuar për ta vënë nën kontroll dhe për ta ndalur këtë shpërthim”, tha O’Brien.

Megjithatë, ajo shtoi se “për secilin shtet, për aq kohë që një shpërthim vazhdon, nuk mund të bëhet mjaftueshëm. Mund të themi se po bëhet mjaftueshëm vetëm kur shpërthimi të ketë përfunduar”, theksoi O’Brien.

Ajo tha se sëmundja po përhapet për shkak të rënies së nivelit të vaksinimit, kjo pjesërisht si pasojë e pengesave të shkaktuara nga shpërthimi i pandemisë COVID-19.

“Vaksina kundër fruthit është një vaksinë jashtëzakonisht e sigurt dhe jashtëzakonisht efektive”, tha O’Brien. /REL

Postime të ngjashme

Frakturat, gabimet që nuk duhet të bëni! Podcast me kirurgun ortoped, Tahir Çela - Episodi 27
Probleme serioze në furnizimin me barna të QSUT – Në 5 vite gjysma e ilaçeve antitumorale nuk janë importuar asnjëherë
Studimi: Fëmijët nën 12 vjeç me smartphone janë të prirur ndaj shumë problemeve shëndetësore
10 faktet të cilat nuk i keni ditur më parë për Krishtlindjet
6 në 10 të rinj në Shqipëri viktima të bullizmit online: Çfarë tregon studimi evropian
Medikamente të skaduara dhe mungesë trajtimi për fëmijët me tumor
Prokurimet pa garë në shëndetësi: Humbje për buxhetin, rrezik për pacientin
Transplanti i veshkave në Shqipëri – një shërbim jetik që i është lënë peng sektorit privat