Kryefaqja Lajm kryesor Etika e abortit selektiv

Etika e abortit selektiv

0
Shpërndaje

Përshtati: Ilma Lamçe

Shumë aborte ndodhin për shkak të një shtatzënie të paplanifikuar ose si pasojë e një problemi shëndetësor, ku vazhdimi i shtatzënisë do të rrezikonte shëndetin e gruas.

Ndërsa, abortet selektive, të cilat janë një pjesë e vogël e të gjitha aborteve, ndodhin në ato raste kur rezulton se fetusi ka karakteristika të padëshirueshme, apo kur ka shumë fetuse në një shtatzëni.

Këtu përfshihen rastet kur:

-fëmija është vajzë dhe prindërit, për arsye kulturore ose të tjera, duan djalë;

-fetusi është i dëmtuar;

-fetusi është i padëshirueshëm për prindërit për arsye të ndryshme;

-shtatzënia ka pasur si qëllim lindjen e një fëmije me karakteristika të veçanta gjenetike, dhe ky fetus nuk i plotëson ato.

Trajtimi i fertilitetit

Një lloj tjetër aborti selektiv ndodh kur shtatzënia përfshin disa fetuse që rrezikojnë njëri-tjetrin, prandaj disa prej tyre duhet të hiqen për të mirën e të tjerëve. Ky rast është zakonisht një rezultat i trajtimit të fertilitetit.

Etika e abortit selektiv

Abortet selektive ngrenë të gjitha çështjet etike që lidhen me abortin, por ato ngrenë edhe disa çështje të tyre.

Aborti seksual selektiv

Mjekësia moderne u lejon prindërve të mësojnë seksin e fëmijës para se ai të lindë, dhe në disa kultura kjo mund të çojë në një abort të fetusit nëse është femër.
Në vitet 2000 kjo ka qenë një çështje shumë shqetësuese në Indi, ku aborti selektiv me bazë gjinore ka qenë një ndër arsyet e një raporti të ulët midis grave dhe burrave dhe rënie të numrit të popullsisë – në vitin 2001 ishin 972 femra kundrejt 1.000 meshkujve dhe në 1933 ishin 933 femra kundrejt 1.000 meshkujve. Mediat indiane raportuan në vitin 2002 se: “Në Delhi, një në shtatë fetuse femra është abortuar”. Çështje të ngjashme kanë shkaktuar shqetësime në Korenë e Jugut dhe në Kinë.

Preferenca për fëmijët meshkuj është pjesë e pabarazisë së përgjithshme të grave në disa kultura. Ky qëndrim  ka natyrë kryesisht ekonomike, por dhe për disa arsye të tjera si:

-vazhdimësia e familjes varet nga djemtë;

-vajzat nuk mund të mbajnë prona në disa shoqëri, kështu që një fëmijë mashkull është thelbësor për një familje që të mbajë pasurinë;

-vajzat janë pjesëtare kalimtare të një familjeje, pasi ato martohen dhe ikin nga shtëpia;
-edhe pse vajzat mbesin në familje, ato përgjithësisht fitojnë më pak se djemtë;
-familja duhet të bëjë pajë kur vajza martohet (kjo mund të konsiderohet si një mënyrë e derës së pasme të një gruaje që merr për trashëgimi pjesë nga pasuria familjare);
-djemtë sjellin pajë kur martohen, duke shtuar pasurinë familjare;
-statusi i gruas (dhe në këtë mënyrë siguria e saj ekonomike) nuk konsolidohet derisa të lindë një djalë;

-tendenca për familjet e vogla do të thotë se prindërit nuk duan të kenë disa fëmijë vajza para se të kenë një djalë;

Praktika e abortit të fetuseve femra nuk vjen vetëm nga një qëndrim përulës ndaj grave, por edhe e përforcon atë. Çuditërisht, ky “mentalitet” ndaj grave është i rrënjosur aq thellë, saqë nuk ekziston vetëm te burrat, por edhe gratë.

Do të ishte e lehtë të arrihet në konstatimin se modernizimi i shoqërisë do t’i jepte fund vrasjeve të femrave dhe vrasjeve të fetusit si praktika të lashta. Por disa shkencëtarë të shoqërisë indiane nuk pajtohen me këtë konstatim, dhe e konsiderojnë këtë praktikë: jo si një relike të së kaluarës ataviste, por si pasojë e një mendësie të ngushtë dhe konsumatore të zhvillimit kapitalist brenda një kuadri të fortë patriarkal dhe preferencës së djemve, si dhe të një shoqërie ku janë përgjithësuar normat e familjeve të vogla.

Në një fushatë ndërgjegjësimi për nxënësit, të realizuar nga një OJF në një zonë me prirje për vrasjen e fetusit, fëmijët u pyetën nëse preferonin për një vëlla apo motër. Rezultoi se, 99% dëshironin djemtë;  vajzat, thanë ata, kanë kosto më të lartë për prindërit.

Një nxënës 14-vjeçar u largua nga shtëpia kur prindërit e tij refuzuan të vrisnin vajzat binjake të cilat lindën pas tij – ai nuk donte të mbante përgjegjësinë për t’i martuar më vonë ato!

‘Çfarë është më mirë, të kesh një vajzë të padëshiruar apo asnjë fëmijë?’  shprehet Pratap Dayi, bashkëshortja e të cilit kishte abortuar pesë herë fetusin femër. Unë nuk kam vend në shtëpinë time dhe vajza ime me siguri do të ishte më keq aty.

Tribuna e Indisë, 6 maj 2001

Kjo letër në një gazetë indiane në vitin 2002 ilustron problemin:

Vrasja e fetusit femër kritikohet nga shumë OJF dhe të tjerë, por pa i kuptuar problemet praktike. Mund të jetë gabim etik, por praktikohet nga shumë çifte. Të gjithë e dimë se është shumë e kushtueshme të martosh një vajzë, ndërsa martesa e një djali sjell mbrapsht atë që është shpenzuar për të, që prej lindjes së tij. Ky është një fakt dhe nëse kjo nuk është adresuar, feticidi femëror nuk mund të ndalet.

Aborti selektiv (zakonisht i referuar si feticidi femëror) është i paligjshëm sipas Ligjit Indian, por ligji nuk zbatohet rreptësisht dhe praktika është e përhapur. Në vitin 2001, Gazeta Tribune e Chandigarh, Indi, raportoi se në Haryana, numri i aborteve selektive në 1996-98 ishte 62,000 ose 81% e aborteve totale dhe në Punjab, 51,000  ose 26% e aborteve. Preferenca për një djalë pas lindjes së një vajze ishte shumë e madhe.

Sondazhet mbarëkombëtare kanë treguar se aborti me bazë gjinore është më i përhapur në familjet më të pasura dhe në zonat urbane (ku qasja në teknologji është më e lehtë dhe fuqia ekonomike është më e fortë).


Zgjedhja e gjinisë përcaktohet deri në muajin e 5-të, periudha kur fëmija varet nga prindërit nëse do të mbijetojë.

Ndëshkimi femëror nuk bëhet si një akt pozitiv për të  vrarë foshnjat femërore, por për të favorizuar foshnjat mashkullore në fushat e:     -ushqyerjes
-kujdesit prindëror
-kujdesit mjekësor

VF (Fertilizimi in Vitro) është një procedurë mjekësore e përdorur për të ndihmuar disa çifte jopjellore. Vezoret e një gruaje nxiten për të prodhuar vezë të shumta, të cilat janë fekonduar me spermatozoidët e partnerit të saj. Kjo prodhon embrione të fekonduara, disa prej të cilave janë vendosur në barkun e nënës dhe të tjerët janë të ngrira për një përdorim të mundshëm të mëvonshëm.

Pastaj lindin dy probleme etike:

-për shkak të implantimit të disa embrioneve për të rritur mundësinë e një shtatzënie të suksesshme, mund të ndodhin lindje të shumëfishta. Ndërsa, disa çifte zgjedhin reduktimin selektiv – shkatërrimin e disa prej embrioneve herët në shtatzëni sepse nuk duan shumë fëmijë ose e bëjnë për të përmirësuar shanset e mbijetesës së embrioneve të tjera.

-nëse embrionet e ruajtura largohen përfundimisht nga ruajtja dhe asgjësohen, ky veprim mund të konsiderohet si abort. Legjislacioni, siç është Akti i Mbrojtjes Prenatale të Teksasit, e bën këtë një vrasje të paligjshme, përveçse në rrethana përjashtimore.

Vini re se rasti i embrioneve të ruajtura paraqet një rast shumë të ndryshëm etik ndaj formave të tjera të abortit, sepse  embrioni që duhet të asgjësohet është në një epruvetë dhe jo në trupin e nënës.

Kjo hedh poshtë të gjitha argumentet rreth të drejtave të gruas mbi trupin e saj nga çdo diskutim mbi abortin, meqenëse trupi i saj nuk është më i përfshirë dhe mos-abortimi i fetusit nuk imponon një shtatzëni të padëshiruar mbi nënën.

Embrione të dëmtuara ose të papërshtatshme

Teknikat e reja kanë mundësuar identifikimin e defekteve gjenetike në embrionet e krijuara përpara se të marrë jetë shtazënia.  Në disa raste shtatzënia mund të ndërpritet nëse zbulohet një defekt serioz gjenetik.
Në mënyrë të ngjashme, mjekët janë në gjendje të kontrollojnë embrionet e fekonduara artificialisht, duke u siguruar që në mitër të futen vetëm ato që janë të shëndetshme.

Të dy këta shembuj nxisin çështjet e abortit, por për shumë njerëz, faza e hershme e zhvillimit në të cilën është shkatërruar embrioni, bën që këto çështje të duken më pak të rëndësishme, ndoshta sepse nuk e konsiderojnë embrionin sikur ka fituar statusin e një personi moral në atë fazë.

Megjithatë, aborte të tilla i nënshtrohen kritikave duke minuar qëndrimin ndaj njerëzve me aftësi të kufizuara.

Për shembull, një organizatë ka argumentuar:

 … për të shkatërruar një fëmijë, sepse ai ose ajo nuk është i përsosur, është e padrejtë… a nuk po ju dërgojmë vërtet një mesazh personave me aftësi të kufizuara duke u thënë: ju jeni inferiorë, nuk duhet të kishit lindur kurrë?

Dhe një tjetër argumenton:

 … aborti i handikapëve është … një vepër penale për personat me aftësi të kufizuara, duke u dërguar mesazhin se ata janë inferiorë dhe me vlerë më të vogël sesa një njeri i aftë.

Nëse mjekët mundën të shfaqin një embrion me faktorë të parëndësishëm, si ngjyra e flokëve ose inteligjenca, dhe prindërit ishin në gjendje të abortonin këtë embrion, sepse ata duan vetëm një fëmijë me inteligjencë mbi mesatare, shumica e njerëzve do ta konsideronin këtë veprim si moralisht të papranueshëm dhe një keqpërdorim të teknologjisë.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here