Frika e prindërve nga vaksina sjell shpërthim të fruthit në vend

Shpërthimet e fruthit në disa vende të Europës kanë ngritur alarmin edhe në Shqipëri, ku janë regjistruar 12 raste gjatë periudhës janar-mars 2025. Instituti i Shëndetit Publik raporton se shumica e të prekurve janë fëmijë nën 4 vjeç, me 75% të tyre që nuk kanë marrë të dyja dozat e vaksinës.

Fruthi përhapet shpejt në komunitetet ku nivelet e vaksinimit janë të ulëta dhe hezitimi ndaj vaksinave ka qenë në rritje vitet e fundit. 

Rastet janë përqendruar kryesisht në Fier, ku një vatër infeksioni është zbuluar në një kopsht, por janë identifikuar edhe raste në Vaun e Dejës, Lezhë dhe Tiranë. Megjithëse të gjithë të prekurit janë trajtuar dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore, mjekët paralajmërojnë për rrezikun e përhapjes së mëtejshme.

Autoritetet shëndetësore u kërkojnë kopshteve dhe shkollave të mos pranojnë fëmijë të pavaksinuar dhe u bëjnë thirrje prindërve të jenë të vëmendshëm ndaj simptomave të para, si temperatura e lartë, skuqja e syve dhe njollat e kuqe në lëkurë.

Vaksinimi mbetet mbrojtja më e sigurt, me dy doza në moshën 1 dhe 5 vjeç. Aktualisht, mbulimi vaksinal në Shqipëri është 92%, por Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon një nivel prej 95% për të parandaluar shpërthimet epidemike.

Para se të zhvillohej vaksina e fruthit në fillim të viteve 1960, sëmundja vriste qindra njerëz çdo vit.

Postime të ngjashme

Frakturat, gabimet që nuk duhet të bëni! Podcast me kirurgun ortoped, Tahir Çela - Episodi 27
Probleme serioze në furnizimin me barna të QSUT – Në 5 vite gjysma e ilaçeve antitumorale nuk janë importuar asnjëherë
Studimi: Fëmijët nën 12 vjeç me smartphone janë të prirur ndaj shumë problemeve shëndetësore
10 faktet të cilat nuk i keni ditur më parë për Krishtlindjet
6 në 10 të rinj në Shqipëri viktima të bullizmit online: Çfarë tregon studimi evropian
Medikamente të skaduara dhe mungesë trajtimi për fëmijët me tumor
Prokurimet pa garë në shëndetësi: Humbje për buxhetin, rrezik për pacientin
Transplanti i veshkave në Shqipëri – një shërbim jetik që i është lënë peng sektorit privat