Kryefaqja Lajm kryesor Gazment Koduzi: Njerëzit lindin të ndryshëm, por me mundësi të barabarta

Gazment Koduzi: Njerëzit lindin të ndryshëm, por me mundësi të barabarta

0
Shpërndaje

Bisedoi: Elena Beta

Mund të konsiderohet si një nga ekspertët më të mirë të shëndetësisë, ndërkohë që mban mbi supe plot tituj të rëndësishëm të cilat kanë luajtur një rol të rëndësishëm në karrierën e tij të suksesshme. Sot pedagog në Universitetin e Elbasanit, profesion të cilin e ushtron prej disa vitesh dhe e konsideron si një nga eksperiencat më unike, Gazment Koduzi flet për sfidat që ky profesion mbart në vetvete dhe rëndësinë e të qenit koherent me informacionet më të fundit. Gazmenti flet për fillimet e tij dhe hapat e parë që e bënë të zgjidhte specializimin për shëndet publik dhe pse vendosi t’i dedikohej tërësisht kësaj dege…

Gazment, sot ju konsideroheni si një nga specialistët më të mirë të shëndetësisë, ndërkohë që keni mbajtur plot tituj të rëndësishëm. Mund të më tregoni si kanë qenë fillimet e karrierës?

Vitet e para të karrierës profesionale sigurisht që kanë pasur vështirësitë e veta dhe mund të them se unë e kam nisur karrierën time profesionale nga shkallët më të ulëta. Në fillimet e mia kam punuar mjek i ndërmarrjeve në Bashkinë e Lushnjës, mjek në komisariatin e Lushnjës, mjek familje në Karbunarë, derisa u zhvendosa nga Lushnja, ku jam lindur dhe rritur, drejt Tiranës. Puna që fillova ishte si produkt i pjesëmarrjes time në një projekt të USAID. Projekti konsistonte në ngritjen e shërbimeve të reja për planifikimin familjar. Ky ishte kontakti im i parë me shëndetin publik.

Rruga ime profesionale në shëndetin publik nisi me një projekt të Kryqit të Kuq Amerikan dhe Kryqit të Kuq Shqiptar në Qarkun e Peshkopisë, ku u bënë disa kërkime shkencore në terren dhe atje vendosa të merrja specializim në shëndet publik. Ndër arsyet e tjera, ishin bisedat me kolegët e mi, të cilët ishin të pakënaqur me anën financiare të sistemit. Shpeshherë pacientët që vinin për të marrë një shërbim pyesnin “Doktor sa kushton kjo?”, apo ka pasur raste kur personalisht më kanë pyetur pacientët “Usta sa të detyrohem?”. Mua më paguante shteti për t’u kujdesur për pacientët. Nisur nga të gjitha këto, vendosa të specializohem për shëndet publik pasi ishin punë të mirëpaguara dhe dinjitoze. Shikoje rezultat dhe vlerësim të punës tënde.

Në vitin 2004, nisa specializimin për shëndet publik dhe kam vazhduar me vonë nivelin master, doktoraturën, botime, kërkime shkencore dhe sot mbaj titullin PHD i politikave të menaxhimit shëndetësor.

 

Po sot, me çfarë vështirësish përballen të rinjtë që nisin një rrugë drejt karrierës?

Unë mendoj se problem kryesor që kanë të rinjtë sot është mungesa e dëshirës për të ecur para. Vetë sistemi nuk është i bazuar në merita, por bazuar me njohje, përkrahje politike, pagesa. Unë shoh që sot të rinjtë, nëse kanë dëshirë, kanë shumë më tepër hapësira nga sa kemi pasur ne para 10 – 15 vitesh, por janë të pamotivuar, gjë që i çon në mungesë interesi. Duke qenë se unë jam pedagog në universitet, vë re shumë pak studentë të interesuar për të mësuar mirë dhe për t’u ngritur profesionalisht. Në momentin që studenti pyet “A duhet ta marr unë librin?”, do të thotë që nuk vjen për të mësuar sepse në shkollë mësohet me libra. Prandaj shumica e të rinjve sot që mbarojnë studimet për infermieri apo mjekësi kanë zgjedhur rrugën e largimit në Gjermani apo vende të tjera, sepse atje gjejnë më shumë hapësira për t’u zhvilluar profesionalisht, gjejnë mundësinë për t’u punësuar dhe ndihen komod financiarisht. Në Shqipëri ndodh e kundërta, ata ndihen të sulmuar në këtë anë.

Çfarë do të veçonit nga eksperienca juaj si profesor në Universitetin  “Aleksandër Xhuvani”?

Të jesh pedagog në universitet është një eksperiencë unike, sepse në radhë të parë je i detyruar të lexosh, të përgatitesh për të bërë figurë sa më të mirë para studentëve dhe e dyta të thonë ato 2 gjëra që mësuam nga kjo lëndë na vlejtën në profesion. Mund të themi se është sfiduese dhe duhet të jesh gjithmonë i përditësuar në mënyrë që studentët të marrin informacion sa më të saktë. Duhet ta njohësh sistemin shëndetësor nga pikëpamje të ndryshme.

Në radhët e ekspertëve të shëndetësisë njihen më shumë emra burrash. Cila mendoni se është arsyeja për këtë tendencë?

Në fakt ka dhe eksperte femra të cilat janë shumë të mira në fushën e shëndetësisë, por kjo ka të bëjë me zgjedhjen e vetë eksperteve për të mbajtur një profil të ulët publik. Është zgjedhje e tyre personale, kjo pasi unë kam plot mikesha që janë eksperte shumë të mira në profilin e shëndetësisë.

Çfarë specifikash nevojiten që të konsiderohesh më i miri në fushën e shëndetësisë sot?

Sot në Shqipëri mungon sistemi i matjes së punës dhe gjykimi nuk është më tepër objektiv se sa subjektiv. Ka të bëjë me inputin apo kontributin që jep në sistem dhe në sa procese të reformimit ke marrë pjesë. Janë sfidat dhe dëshira për të ecur para ato që e bëjnë një specialist  të mirë. Ka dy zgjidhje ose do merresh me këto sfida ose do i lësh ashtu si janë. Shëndetësia ka një gjë, pika fundore e sistemit shëndetësor është mjeku me pacientin. Në çdo moment që pacienti do shkojë tek mjeku, ai do e vizitojë, do t’i japë ilaçet e nevojshme apo ndërhyrjet kirurgjikale.

Pra, po shkove tek mjeku, do të vizitojë, nuk të le asnjëherë pas dore. Ka edhe hallka të tjera pastaj, nëse nuk funksionon sistemi i financimit, njerëzit do paguajnë; nëse nuk ka ilaçe në spital, njerëzit do i blejnë. Ata specialist që merren me këto sfida, ata quhen specialistë të mirë. Unë kam pasur fatin të përballem me disa sfida gjatë kësaj periudhe, njëra prej tyre ka qenë sfida e financimit të kujdesit shëndetësor parësor, një reformë e rëndësishme, një formë rregullatori ligjor në të cilat jemi përfshirë unë dhe kolegët e mi dhe mendoj se kemi arritur një rezultat të mirë për atë periudhë.

Çështjet në sistemin shëndetësor duhet të vazhdojnë para, hap pas hapi të bëhen ndërhyrje dhe rregullime për të ecur para. Funksionojnë njëlloj si me një aeroplan i cili është në ngritje, duhet t’i japësh gaz që të ngrihet dhe të fluturojë. Nëse i jep gaz deri në një moment dhe e lëshon gazin, ai bie nuk fluturon më.

Cilat janë fushat specifike ku duhet të ketë njohuri një person që të radhitet ndër ekspertët më të mirë në shëndetësi?  

Që të konsiderohesh një specialist i mirë, duhet të kesh njohuri jo vetëm në fushën shëndetësore, nuk duhet të njohësh vetëm politikat shëndetësore, por të njohësh financat, ligjet, duhet të kesh marrë pjesë në të gjitha këto që të meritosh, pra renditjen në radhët e më të mirëve.                                         

Duke qenë se ju keni punuar dhe në administratë. A ka barazi gjinore në postet drejtuese?

Të them të drejtën, unë mendoj se barazia gjinore vendos kufij sepse në fusha të caktuara ka më shumë femra se sa meshkuj, varet kush është i aftë në një fushë të caktuar. Diskriminim gjinor mund të konsiderohet nëse një femër është më e aftë dhe për shkak të gjinisë merret burri në punë. Unë nuk besoj se ka barazi, sepse që kur lindin mashkulli dhe femra kanë kode gjenetike të ndryshme, kanë sekse të ndryshme, por rëndësi ka që mundësitë të jenë të barabarta, gara të jetë e barabartë. Për mua kjo është e rëndësishme. Në postet drejtuese në Ministrinë e Shëndetësisë, ku unë kam punuar shef kabineti, pjesën më të madhe të posteve drejtuese e mbulonin femrat.

Si është një ditë e juaja e zakonshme? Përveç punës, me çfarë merreni në kohën e lirë?

Një ditë pune e zakonshme fillon duke çuar në punë bashkëshorten, fëmijët shkojnë vetë sepse janë të rritur tashmë. Merrem me leksionet, seminaret, dhe më pas kthehem, në shtëpi shijoj drekën që gatuan nëna ime, e cila është një kuzhiniere e shkëlqyer. Më pas vazhdoj leximet e literaturave të ndryshme të cilat më duhen për punën time të përditshme. Janë të rralla ditët kur mund të kem hapësira bosh.

Koha e lirë është shumë e vështirë sot për t’u mbushur. Përveç punës në universitet, jam shumë i angazhuar edhe me projekte të ndryshme kërkimore shkencore, gjithashtu jam i angazhuar dhe në jetën sociale nëpërmjet angazhimit në parti politike, kështu që kohën e lirë është e rrallë ta gjesh sot.

Në kohën e lirë që kam mundohem gjithmonë ta kaloj me familjen, ndjek djalin në futboll, pasi është tepër i apasionuar, ka 6 vite që angazhohet në atë sport. E çoj në stërvitje, e ndjek nëpër ndeshje, jam konservator në këtë pjesë.

Një mesazh për barazinë gjinore?

Mos besoni tek kufijtë por besoni tek shanset, të gjithë lindim me shanse të barabarta./ Shendeti.com.al

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here