Kryefaqja Mjedisi Hap rrugën, liro korsitë e biçikletave!

Hap rrugën, liro korsitë e biçikletave!

1
Shpërndaje

Protesta per te liruar korsite e bicikletaveNjë vit më parë kur u aprovua plani i përgjithshëm rregullues i Tiranës, pjesë e tij ishte një hartë me korsitë aktuale të biçikletave dhe me korsitë që do të shtohen, por kjo s’ndodhi

Alisa Peçi

Të shtunën, përpara pallatit të kongreseve, “Ecovolis” dhe “Downhill Albania” organizuan një protestë kundër bllokimit të korsive të biçikletave nga automjetet. Me thirrjen “Koha e biçikletave” të rinjtë aktivistë u ulën mbi korsitë e biçikletave për të protestuar paqësisht bllokimin e tyre. Nën parullat “Biçikleta është e ardhmja! Hapja rrugën! Liro korsitë!”, “Bashkë mund ta ndryshojmë lëvizjen në Tiranë”, “Duhet të mbrojmë korsitë tona, nuk do na i falë askush”, të rinjtë i binin ziles së biçikletave në shenjë proteste.

“Ecovolis” deklaron në statusin e vet mbi protestën: “Të gjithë bashkë sot i dhamë Tiranës sinjalin e parë se ka ardhur koha e biçikletave! Zilet tona sot lëvizën makina dhe kamionë! Policit i treguam që korsia e biçikletave nuk është ‘mesi i rrugës’, por shtëpia jonë dhe do ta mbrojmë. Andi, Albani, Paula, Marinela, Endri, Arditi, Bike Doktor, Doënhill Albania, Ecovolis, me të gjithë aktivistët e sotshëm, jemi të vendosur, t’i fitojmë ato korsi!”.

Protesta nuk kërkon tjetër veçse zbatimin e kodit rrugor dhe të premtimeve të organeve vendore dhe qendrore për lehtësimin e lëvizjes me biçikleta në Tiranë.

proteste, bicikleta eshte e ardhmjaBashkia dhe korsitë e biçikletave

Një vit më parë kur u aprovua plani i përgjithshëm rregullues i Tiranës, pjesë e tij ishte një hartë me korsitë aktuale të biçikletave dhe me korsitë që do të shtohen. Në takimet e bashkisë me shoqërinë civile është premtuar rregullisht se në Tiranë do të shtohen 20 km korsi biçikletash.

Në aktivitetet ndërkombëtare këto korsi në harta të Tiranës raportohen si arritje, sikur Tirana po ecën në një hap me kryeqytetet e tjera në rrugën drejt zhvillimit të qëndrueshëm. Por realiteti në rrugë është krejt tjetër. Korsitë e biçikletave mbi trotuare janë të papërdorshme nga biçikletat për shkak të fshirjes së vijave të bardha, por dhe në prezencë të tyre do të ishin të papërdorshme nga përplasja me këmbësorët.

Korsitë e biçikletave në rrugë janë të papërdorshme nga automjetet e parkuara dhe nga ato në lëvizje. Qarkullimi në Tiranë është pasqyrë e kulturës së më të fortit: automjetet janë më të fuqishme, i nxjerrin biçikletat jashtë loje duke shkelur Kodin Rrugor.

Biçiklistat të shtunën kanë protestuar jo vetëm për lehtësimin e qarkullimit me biçikleta, por indirekt dhe për drejtësi sociale. Qytetet duhet të krijojnë mundësi qarkullimi dhe për ata qytetarë që nuk kanë mundësi financiare të përdorin automjet apo që vlerësojnë më shumë përdorimin e biçikletës.

Rritja e taksës së qarkullimit, e çmimit të naftës, si dhe e çmimit të transportit urban, do të shtojnë numrin e këmbësorëve, do të shtojnë kërkesën për transportin alternativ me biçikleta, prandaj krijimi i korsive të reja të biçikletave dhe respektimi i rregullave të Kodit Rrugor për ato ekzistuese, do të jetë një domosdoshmëri, që sot has në rezistencë, por që do të sjellë frytet e veta në formën e ajrit më të pastër dhe transportit më të lirë.

1 Koment

  1. Ju lutem MOS U DOREZONI thirjes suaj per protest per te liruar korsite e bicikletave.
    Per nje vend me te shendetshem duhet te luftoni deri ne piken e fundit per te fituar te drejten e qytetareve qe te gjithe te kene mundesi te kene KORSI BICIKLETASH.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here