Kryefaqja Mjedisi Mjedis Raportime HEC-et e vegjël, një gur në qafën e tregut të lirë, të...

HEC-et e vegjël, një gur në qafën e tregut të lirë, të energjisë

0
Shpërndaje

Nga Mero Baze

Zhvillimi i tregut të energjisë në Shqipëri, po nxjerr zbuluar strategjinë e dështuar të ndërtimit të hidrocentraleve të vegjël të cilët janë kthyer në një kancer për të ardhmen e turizmit në Shqipëri dhe në një barrë për liberalizimin e tregut të energjisë në vend. Sekretariati për Energjinë me qendër në Vjenë, ka shprehur disa ditë më parë shqetësimin për mungesën e liberalizimit të tregut të energjisë në Shqipëri, i cili, sipas një ligji të miratuar në vitin 2015, harruar në sirtarë, duhet të niste në janar të këtij viti, por Shqipëria jo që nuk është gati për këtë treg, por me politikat e zhvillimit të saj, e ka futur në një kolaps të ardhmen e tregut të lirë të energjisë. Një nga këto probleme mbeten dhe hidrocentralet e vegjël, që kanë nisur si një strategji zhvillimi e shpikur nga Berisha dhe që po vazhdojnë për inerci ende nga qeveria socialiste, si shifra që prodhojnë statistikë për rritjen ekonomike. Problemi parimor që ka liberalizimi i tregut të energjisë në vend, është që gjithkush që është konsumator i madh, duhet të ketë mundësinë ta blejë vetë energjinë jashtë OSHEE. Kjo nënkupton që në Shqipëri, ndërkohë, të kishte operatorë që të mundësonin furnizimin me energji elektrike të biznesit të madh që harxhon shumë energji, të cilët përdorin linjat mbi 35 kv.

E vërteta është se në treg ekzistojnë një ose dy operatorë të tillë, që ta shesin atë dysh më shtrenjtë se OSHEE, dhe askush nuk ka leverdi ta blejë prej tyre. Nga ana tjetër, OSHEE ka detyrimin që prej këtij viti, t’i mbulojë vetë humbjet e veta, dhe jo t’ia mbulojë KESH, si furnitor shtetëror i saj. Kjo nënkupton që OSHEE të jetë një operator i lirë konkurrent me çmimet e tregut, ndërkohë që ajo ka detyrimin t’ua blejë me një çmim të kripur, të ksuar, energjinë, gjithë hidrocentraleve të vegjël të vendit, që janë ndërtuar prej vitit 2008. Rrëmujë më të madhe se kjo në tregun energjetik nuk mund të ketë. Pra, nga një anë kemi kërkesën që tregu të jetë i lirë dhe operatorët të konkurrojnë, nga ana tjetër kemi një OSHEE, e cila nga një anë duhet të blejë me detyrim dhe çmim të ksuar energjinë nga disa HEC-e private, dhe nga ana tjetër duhet të zbatojë rregullat e tregut për të tjerët.

Atëhëre pyetja bazike është, përderisa ne duhet të kemi një treg liberal të energjisë, dhe duhet të blejmë e shesim me çmimin e tregut, përse duhet të shkatërrojmë lagunën e Valbonës, kanionet e Skraparit, kanionet e Nivicës, luginën e Zagories, përroin e Mezhgoranit, lumin e Langaricës dhe gjithë gjithë lumenjtë e mrekullueshëm malorë të Shqipërisë, për një energji që në nale, dhe duhet ta subvencionojmë? Nëse energjinë e blejmë me çmimin e bursës, përse duhet të investojmë kundër industrisë së turizmit në vend, duke shkatërruar dhe ata pak lumenj malorë që kanë mbetur dhe që janë shpresa për turizmin malor në Shqipëri? Lumenjtë malorë të Shqipërisë prodhojnë energji kryesisht vetëm në dimër dhe kur ka reshje të mëdha, atëherë kur Shqipëria nuk ka më nevoja energjetike, se ka Drinin që duhet të hapësh portat e liqeneve.

Investimet janë bërë sipas një logjike që mbrojnë tregun e mbyllur të energjisë, dhe bien në kundërshtim agrant me liberalizimin e tregut. Liberalizimi i tregut të energjisë, që është një nga kushtet e negociatave me BE, ka dhe shumë probleme të tjera që kanë të bëjnë me mungesën e alternativave të tjera në treg për importin dhe eksportin dhe problemet e raporteve mes KESH dhe OSHEE, por e gjithë problematika nxjerr zbuluar strategjinë shkatërruese të lumenjve shqiptarë me hidrocentralet e vegjël, të cilët përveçse sigurojnë time për disa biznesmenë që kanë investuar aty në një treg të mbrojtur energjie, janë tashmë një gur në qafë, jo vetëm për  industrinë e turizmit, por edhe për vetë tregun e lirë energjetik të Shqipërisë.

Marrë nga: Gazeta Tema

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here