Kanceri i prostatës është një ndër sëmundjet e shpeshta që shfaqet tek meshkujt e moshave të mëdha. Kjo sëmundje prek prostatën, që është gjëndra e riprodhimit mashkullor. Shumica e formave të këtij lloj kanceri kanë zhvillim të ngadaltë, megjithatë nuk janë të pakta rastet kur kanceri i prostatës është agresiv. Mjekja Ilda Xhelili tregon se, duke qenë se shumica e formave të këtij lloj kanceri kanë zhvillim të ngadaltë dhe në fazat e hershme nuk paraqet pothuajse asnjë simptomë, vështirëson identifikimin e shpejtë të sëmundjes. Nuk është se ka të dhëna të sakta për marrëdhëniet midis dietës ushqimore dhe kancerit të prostatës, por rekomandohet një dietë e ushqyeshme dhe me pak yndyrna shtazore e karbohidrate. Prek më shumë meshkujt rreth moshës pesëdhjetë vjeç. Lidhur me shkaktarët më të shpeshtë të vdekjes te meshkujt e kësaj moshe, në Britaninë e Madhe zë vendin e parë dhe në SHBA vendin e dytë pas kancerit të mushkërive. Më shumë se 80 për qind e zhvillojnë kancerin e prostatës në moshën mbi 80 vjeç. Kanceri i prostatës është më i zakonshëm në botën e zhvilluar, sesa në vendet në zhvillim. Shumë meshkuj mund të mos kenë kurrë simptoma për këtë lloj patologjie e të mos marrin terapinë e nevojshme dhe në fund mund të vdesin nga arsye të tjera që nuk kanë lidhje me kancerin e prostatës. Faktorë të shumtë, gjenetikë, mjedisorë dhe dietetikë janë të implikuar në zhvillimin e kancerit të prostatës.
Cilët janë faktorët e riskut për prekjen nga kanceri i prostatës?
Faktorët kryesorë janë obeziteti, mosha dhe historia familjare. Kanceri i prostatës është shumë i pazakontë në meshkujt më të rinj se 45 vjeç, por rreziku shtohet me rritjen e moshës. Megjithatë shumë njerëz nuk e dinë se janë të prekur nga kanceri i prostatës. Kanë qenë autopsitë që kanë zbuluar praninë e tij dhe në të njëjtën kohë vdekjen nga shkaqe të tjera. Meshkujt që kanë anëtarë të familjes të brezit të parë me këtë lloj kanceri duket se e kanë dyfish rrezikun për ta zhvilluar atë në krahasim me meshkuj të tjerë që nuk kanë histori familjare. Gjithashtu, obeziteti, tensioni i lartë i gjakut, mungesa e aktivitetit fizik, mendohet se e shtojnë riskun e zhvillimit të sëmundjes. Risku rritet edhe në rastet e niveleve të ulëta të vitaminës D në gjak. Studime të fundit kanë treguar se përdorimi i statinave për uljen e yndyrave të gjakut ulin riskun e zhvillimit të sëmundjes. Infeksioni ose inflamacioni i gjëndrës së prostatës rrisin mundësinë për këtë lloj kanceri, në veçanti infeksionet seksualisht të transmetueshme si klamidia, gonorreja, sifilizi. Po ashtu e rrisin edhe nivelet e larta të testosteronit në gjak (hormone mashkullore). Me risk të shtuar janë edhe personat që kanë shumë partnerë seksualë.
Cilat janë simptomat më të shpeshta klinike?
Në fazat e hershme kanceri i prostatës nuk paraqet pothuajse asnjë simptomë. Por, edhe në fazat e mëvonshme në shumë raste nuk ka shenja të dukshme. Fillimisht ndodh zmadhimi i gjëndrës së prostatës, që është e pranishme edhe në sëmundje të tjera të saj (hipertrofia beninje e prostatës). Pastaj shenjat më të shpeshta klinike përfshijnë urinimin e shpeshtë, rritje të urinimit gjatë natës (nokturia), vështirësi në mbajtjen e urinës dhe në rrjedhshmërinë e saj, urinim me gjak (hematuria) dhe urinim i dhimbshëm (dizuria). Rreth një e treta e pacientëve të diagnostikuar me kancer të prostatës paraqesin dy apo më shumë nga simptomat e mësipërme, ndërsa dy të tretat mund të mos kenë asnjë simptomë. Ndryshimet që ndodhin brenda gjëndrës së prostatës ndikojnë drejtpërdrejt në funksionin urinar, por edhe në atë seksual. Kur kanceri avancon, ai përhapet edhe në pjesët e tjera të trupit (metastazon), duke shkaktuar simptoma të tjera. Përhapja më e shpeshtë (për shkak edhe të afërsisë anatomike) është në kockat e legenit, shtyllës kurrizore, kockat e kofshës apo edhe brinjët. Për rrjedhojë, pacientët perceptojnë dhimbje përgjatë kolonës vertebrale, mesit, dhimbje në pjesë të ndryshme të shpinës, në pjesën e sipërme të kofshëve (preken kokat e femurit). Kanceri i prostatës mund të shtypë (komprimojë) palcën e kurrizit, shtyp fijet nervore që dalin prej saj dhe klinikisht shkakton mpirje, dhimbje, dobësi muskulare, dobësim të gjendjes së përgjithshme, mosmbajtje të urinimit dhe të defekimit.
Në ç’moshë duhet të kryhen ekzaminimet për të zbuluar sa më herët ndërlikimet e kësaj sëmundjeje tek kjo kategori pacientësh?
Për sa u përket ekzaminimeve si profilaksi (parandalim, zbulim sa më herët), meshkujt rreth moshës 50 vjeç duhet të kryejnë PSA (test gjaku për markues tumoralë), si dhe ekzaminim të prostatës nëpërmjet zorrës së trashë, që kryhet nga mjeku specialist urolog. Mos hezitoni të paraqiteni te mjeku i familjes jo vetëm kur keni shenja klinike, por në radhë të parë kur i afroheni moshës së rrezikut (rreth 50 vjeç), për të kryer ekzaminimet e nevojshme.
Kanceri i prostatës, në risk meshkujt me shumë partnere

