Kanceri në qafën e mitrës, parandalimi dhe kurimi

Gerta Elezaj (1)Simptomat që mund të shfaqen dhe kontrollet e nevojshme në mënyrë që të kapet në kohë ndihmojnë në fitimin mbi këtë sëmundje vdekjeprurëse

Ina Allkanjari

Kanceri cervikal ose i qafës së mitrës është një sëmundje tumorale me etiologji multifaktoriale, i cili karakterizohet nga një zhvillim gradual sipas disa etapave dhe konsiderohet si një sëmundje e parandalueshme. Ai prek më së shumti gratë e moshës 30-60 vjeç. Në një intervistë për “Shëndeti Plus”, mjekja-patologe Gerta Elezaj, e cila prej dy vjetësh punon në poliklinikën numër 9 në Tiranë, shpjegon se cilat janë shkaqet, simptomat e kësaj sëmundjeje dhe si mund të parandalohet ajo.

Doktoreshë, cilët janë faktorët e riskut për kancer cervikal?

Kanceri cervikal ose i qafës së mitrës është një sëmundje tumorale, i cili karakterizohet nga një zhvillim gradual sipas disa etapave. Faktorët e riskut për kancerin cervikal janë:

-Jeta seksuale jo e rregullt, fillimi i hershëm i saj dhe numri i partnerëve seksual rrit rrezikun për kancerin cervikal.

-Pirja e duhanit.

-Përdorimi i kontraceptivëve oralë për një kohë të gjatë nga femrat.

-Multipariteti (lindjet e shumta) dhe mosha e re e lindjes së parë.

-Prania e infeksioneve seksualisht të transmetueshme (IST) tek femrat.

-Mosha e madhe, niveli i ulët i edukimit, shtresa e ulët social-ekonomike për shkak se nuk i nënshtrohen PAP-Testit të vazhdueshëm.

Kush mund të preket nga ky lloj kanceri?

Më të predispozuar ndaj këtij kanceri janë gratë nga mosha 30-60 vjeç. Kancerit cervikal i nevojiten 10-15 vjet për t’u bërë i dukshëm dhe për të shfaqur simptoma, pasi ai lind dhe zhvillohet në heshtje. Nëse nuk diagnostikohet në kohë, mund të jetë vdekjeprurës, por vitet e fundit vihet re një ulje e mortalitetit.

Por cilat janë simptomat?

Në stadet e hershme kanceri cervikal mund të jetë asimptomatik. Shenja kryesore është hemorragjia vaginale jashtë ciklit menstrual. Shihen gjithashtu sekrecione të shtuara vaginale me ngjyrë të verdhë të përziera me rrema gjaku e erë të keqe.

Në simptomat e vonshme instalohen: anemia, humbja në peshë, hemorragjia akute vaginale.

KanceriSi diagnostikohet kjo sëmundje?

Diagnostikimi bëhet me anë të ekzaminimit vaginal me spekulum dhe nëpërmjet biopsisë. Sëmundja kalon në pesë stade ose etapa, duke filluar nga karcinoma preinvazive e deri në prekjen e organeve fqinjë si, fshikëzën e urinës ose rektumin.

Si trajtohet kanceri cervikal?

Tre mënyrat kryesore për trajtimin primar të kancerit cervikal janë kirurgjia,radioterapia dhe kimioterapia. Trajtimi kirurgjikal indikohet vetëm në stadin e parë dhe të dytë, ndërsa radioterapia mund të përdoret në çdo stad.

– Kirurgjia konsiston në heqjen e organit në fjalë bashk ose jo me vezoret.

– Radioterapia konsiston në  rrezatim brenda organit dhe pastaj me rrezatimin e jashtëm pelvik.

– Kimioterapia luan rol në zvogëlimin e përmasave të tumorit përpara trajtimit me kirurgji apo radioterapi.

A mund të parandalohet?

Zbulimi i hershëm i tij mundëson diagnostikimin në kohë, prandaj realizimi i një PAP-Testi shihet sot si mundësia më e mirë për zbulimin e kancerit cervikal.

Çfarë është PAP Testi?

Pap-testi është një test i shpejtë, i thjeshtë dhe i padhimbshëm, që zgjat vetëm pak minuta, por që mund të shpëtojë jetën! Paptesti bëhet për të treguar nëse një femër ka apo jo kancer të qafës së mitrës. Nga momenti i shfaqjes së qelizave jonormale në qafën e mitrës deri në shfaqjen e plotë të kancerit të qafës së mitrës duhen shumë vjet, rreth 10 deri në 20 vjet.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë rekomandohet që të gjitha femrat e moshave nga 20 (por edhe më parë nëse është filluar aktiviteti seksual) deri në 65 vjeç, sidomos ato me risk, duhet të kryejnë Pap-testin rregullisht. Nëse një femër kontrollohet rregullisht, pra bën pap-teste të rregullta, mund ta kapë në kohë kancerin e qafës së mitrës.

Në rastet kur kanceri i qafës së mitrës kapet herët, është i lehtë për t’u trajtuar dhe kjo është e lidhur me mbijetesën dhe me një cilësi jete më të mirë.

Sa shpesh bëhet Pap-testi?

Kryeni një Pap-test çdo dy vjet duke filluar nga mosha 21-vjeçare. Gratë mbi 30 vjeçe që kanë bërë 3 Pap-teste rresht, mund ta kryejnë atë çdo 3 vjet.

Nëse jeni më e madhe se 65 vjeçe, mund të ndaloni së bëri Pap teste. Gjithsesi, diskutojeni këtë më parë me doktorin tuaj.

Postime të ngjashme

Cila është mosha ideale për të pasur një fëmijë sipas shkencëtarëve
Problemet me tiroiden tek fëmijët: Çfarë duhet të dinë prindërit
Uji i orizit, trendi i ri viral i TikTok për flokë të shndritshëm, të shëndetshëm dhe të fortë
Jam mjeke – ja pse nuk duhet të urinosh KURRË në dush
Shkencëtarët zbulojnë se vaksina kundër gripit ka një efekt shqetësues në shëndetin e grave
Hipertensioni gjatë shtatzënisë i lidhur me rrezikun e kardiomiopatisë së zgjeruar
A mund të rrisin rrezikun e kancerit të gjirit produktet tuaja për kujdesin e lëkurës?
7 shenjat e endometriozës që një grua nuk duhet të injorojë kurrë