Kolla e mirë po rritet shpejt, veçanërisht në mesin e adoleshentëve

Kolla e mirë është në rritje në SHBA, me katër herë më shumë raste të raportuara këtë vit, krahasuar me vitin 2023.  CDC tha se 14,569 raste ishin raportuar që nga 14 shtatori, krahasuar me 3,475 në të gjithë vitin 2023.

Kolla e mirë, e quajtur edhe pertusis, është një sëmundje e frymëmarrjes e përhapur përmes kollitjes, teshtitjes ose frymëmarrjes shumë afër një personi tjetër. Foshnjave u jepet vaksina DTaP për të mbrojtur kundër kollës së mirë, difterisë dhe tetanozit. Për shkak se efektiviteti i vaksinës zvogëlohet më shpejt për kollën e mirë sesa dy sëmundjet e tjera, rekomandohen përforcues çdo dekadë apo më shumë.

Por shumë fëmijë në moshën dy-vjeçare nuk po marrin përforcues dhe kjo grupmoshë po nxit shpërthimin e kollës së mirë.

“Me rritjen e hezitimit ndaj vaksinave që ka vazhduar që nga pandemia e COVID-19, ne po shohim shpërthime që ndodhin tek fëmijët që nuk janë të vaksinuar,” tha Tina Tan, MD, presidente e Shoqatës së Sëmundjeve Infektive të Amerikës për NBC News.

Gjithashtu, njerëzit nuk po mbajnë distancë sociale ashtu siç bënë gjatë kulmit të pandemisë COVID, kur shifrat e kollës së mirë ranë.

“Nivelet e pertusisit ranë në mënyrë drastike kur ne të gjithë ishim maskuar, dhe tani kjo rritje e madhe po na kthen në nivelet para pandemisë, dhe ndoshta pak më lart,” tha Thomas Murray, MD, një specialist i sëmundjeve infektive pediatrike në Yale Medicine.

Sëmundja e kollës së mirë karakterizohet nga 3 faza:

Faza fillestare (katarale)

Kjo fazë zgjat 1-2 javë dhe fillon në mënyrë tipike, me këto simptoma:

Teshtitje, rrufë, ngjirje të zërit, kollë

Ngritje të lehtë të temperaturës

Skuqje të konjuktivave (pjesës së brendshme të qepallave të syve)

Faza spastike:

Zgjat  1-2 javë dhe karakterizohet nga:

Kriza të forta dhe të shpeshta të kollës, më shpesh gjatë natës, që e mundojnë fëmijën dhe nuk e lënë atë të flejë.

Fëmija tërheq gjuhën kur kollitet dhe merr frymë me vështirësi

Kolla shoqërohet me gëlbazë të trashë, viskoze, që mund të pasohet me të vjella.

Vështirësia në frymëmarrje, që është karakteristike për këtë fazë, mund të rrezikojë jetën e pacientit. Fëmija paraqet në mënyrë karakteristike sy të skuqur (si të gjakosur në brendësi).

Presioni i lartë i shkaktuar nga kolla mund të pengojë kthimin e gjakut nga koka për në kafazin e kraharorit. Për pasojë, enët e gjakut të syve rrezikojnë të shpërthejnë. Vështirësia në frymëmarrje e këtyre të sëmurëve mund të shkaktojë tek ata ndjesinë e mbytjes dhe kriza shoqëruese paniku.

Tek foshnjat, krizat e kollës janë më të lehta. Por tek ata egziston rreziku i një ndërprerjeje të papritur të frymëmarrjes.

Pas këtyre krizave, kolla zhduket për periudha të shkurtra ose të gjata kohore. Pikërisht këto periudha qetësie duhet të shfrytëzohen për të ushqyer fëmijën, me qëllim që të rimarrë fuqitë e humbura gjatë krizave.

Faza e rimëkëmbjes (shërimit)

Fëmija rimëkëmbet pak nga pak, krizat e kollës nuk janë më aq të forta, bëhen më të rralla, dhe nuk shoqërohen më nga të vjellat. Fëmijës i rikthehet oreksi. Gjithsesi, krizat e rralla të kollës mund të vazhdojnë edhe për disa javë të tjera.

 

Postime të ngjashme

Frakturat, gabimet që nuk duhet të bëni! Podcast me kirurgun ortoped, Tahir Çela - Episodi 27
Probleme serioze në furnizimin me barna të QSUT – Në 5 vite gjysma e ilaçeve antitumorale nuk janë importuar asnjëherë
Studimi: Fëmijët nën 12 vjeç me smartphone janë të prirur ndaj shumë problemeve shëndetësore
10 faktet të cilat nuk i keni ditur më parë për Krishtlindjet
6 në 10 të rinj në Shqipëri viktima të bullizmit online: Çfarë tregon studimi evropian
Medikamente të skaduara dhe mungesë trajtimi për fëmijët me tumor
Prokurimet pa garë në shëndetësi: Humbje për buxhetin, rrezik për pacientin
Transplanti i veshkave në Shqipëri – një shërbim jetik që i është lënë peng sektorit privat