Laguna e Nartës – vendimi i qeverisë që rrezikon ta kthejë nga parajsë e folezimit të zogjve të egër, në folezimin e avionëve dhe resorteve  turistike

Nga Alma Lahe

Vlora – parajsa që ofron det, mal, lum dhe natyrë të egër

Ndërsa përmend Vlorë, verë… e para gjë që të shkon në mend është deti, plazhi, pushimet. Por jo në rastin tim. Ata që më njohin, e dinë me siguri që të shullyerit në diell për orë të gjata është gjëja e fundit që mund të më shkojë në mend. Dhe Vlora është vendi i ‘mundësive të mëdha dhe të larmishme’ për këdo. Zona e Vlorës nuk ofron vetëm plazh në ujrat përrallore të Ardiatikut dhe Jonit; jo vetëm vizita ditore në gadishullin e Karaburinit dhe ishullin e Sazanit; jo vetëm ngjitje në maj dhe ecje përgjatë bregut të lumit;  jo vetëm eksporim shpellash dhe monumentesh natyrore por, si pak zona në Shqipëri, ofron mundësinë e eksplorimit të florës dhe faunës së një ligatine mjaft të pasur mesdhetare si Laguna e Nartës.

Birdwatching[1] në Lagunën e Nartës – oferta e re turistike

Vetën vitet e fundit është folur për Lagunën e Nartës dhe kjo ‘falë’ vendimit të paprecedent të Qeverisë shqiptare një vit më parë për të ndërtuar pranë zonës së mbrojtur aeroportin më të madh në vend, aeroportin e Vlorës. Dhe ndërsa debatet dhe kundërshtimet e natyralistëve dhe shoqatave vendase të huaja vazhdojnë edhe pas vendimit të dyshimtë të Qeverisë,  propozimi për një guidë një-ditore në Lagunën e Nartës për të vëzhguar shpendët e egër,  njohur si aktivitet birdwatching, tingëllon më shumë se sa ndjellës. Po aq interesant është edhe grupi që më shoqëron në këtë aventurë: Ornoldi Bazaj, themelues i qendrës së informacionit Reality Escapers Albania – i pajisur me mjetet e nevojshme, dylbitë dhe teleskopin, do të jetë guida jonë; Manuel Castelleti i organizatës italiane CELIM, që prej vitesh punon në Vlorë,  fokusuar në projekte për mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit; guidistja britanike Gillian Gloyer, prej vitesh banore e Tragjasit, dhe që e njeh dhe e do Shqipërinë më shumë se shumica e shqiptarëve…

Nisemi për në Lagunë. Nga një gugëllim i shpejt në internet mund të sigurosh një informacion të shpejtë rreth Lagunës: ‘Laguna e Nartës është një nga lagunat më të mëdha e më të rëndësishme të Shqipërisë, me një sipërfaqe te përgjithshme 41.8 km2, rreth 1/3 e së cilës përdoret per kriporen e Skoefotinës.’

Rruga për në Lagunë kalon përmes Pyllit të Sodës, ndërsa pamjet e pemëve të rrëzuara dhe era e rëndë e një kanali të gjerë ku derdhen ujrat e zeza, i cili pasi kalon përmes Pyllit derdhet në det,  na shoqëron disa kilometra. “Nuk është ashtu siç duket. Ky është ujë i pastër, i kulluar’,  na ‘sqaron” me sarkazëm Manueli, duke përsëritur fjalët e zyrtarëve vendore dhe qendrorë kur përballen me shqetësimin e banorëve dhe organizatave ambientaliste. Laguna ndodhet rreth 14 km larg Vlorës. Ndjekim rrugën për në Dalan të vogël segment ky i paasfaltuar. Herë pas herë vëmendjen tonë e tërheq Ornoldi që na tregon me dorë herë në njërën anë të rrugës dhe herë në tjetrën shpendë që qëndrojnë në telat e elektrikut, mbi ndërtesat e vjetra gjysëm të shkatërruara të ushtrisë, që kërcejnë nga gëmushat apo që dallohen tutje mbi lagunë. “Ja, gargulli!” Një zog shumëngjyrësh rreth 30 cm i gjatë qëndron gjithë elegancë mbi tel. Sapo mundohemi ta fiksojmë pamjen në foto, gargulli fluturon dhe ‘na lë puplat’. Tashmë mbi qiellin pa asnjë re shpallosen ngjyrat e bukura dhe gjithë shkëlqim të gargullit. Pas disa metrash, makina ndalet sërish, sepse në krahun tjetër Ornold dallon Martin Peshkatarin. Dalim nga makina dhe Gillian nxjerr dylbitë e saj, ndërsa mua më vijnë në ndihmë dylbitë që më zgjat Ornoldi. Emanueli buzëqesh nga timoni. Ai e njeh me pëllëmbë çdo centimetër të Lagunës, madje aty, në Zvërnes ka ‘ngritur folenë e tij’ së bashku me bashkëshorten italiane dhe djalin e tyre dy-vjeçar. Martin Peshkatari na jep kënaqësinë ta sodisim më gjatë vezullimin e pendëve të tij gurkali. Ornoldi na jep informacion të plotë rreth shpendëve që hasim rrugës: emrit shkencor, cilësive fizike, ku folëzon, me çfarë ushqehet. “Martini ashtu siç ka emrin, është një peshkatar shumë i zoti, arrin të kapë edhe disa peshq njëherësh.” Sa herë që na tregon zogj të veçantë apo tufa zogjsh, Ornoldi shfleton një libërth dhe lexon… Është ‘Udhëzuesi i Shpendëve të Shqipërisë’ i autorëve Mirjan Topi dhe Stoyan C. Nikolov, i pari që ofron informacion të detajuar rreth shpendëve në Shqipëri. “Një banor interesan i Lagunës është edhe Albanian Frog”, na informon Manueli. “Bretkosa shqiptare?” Më mbyt e qeshura. Nuk kam dëgjuar kurrë për një bretkosë eksluzive shqiptare. Emanueli nuk fyhet nga e qeshura ime. “Kështu qeshin të gjithë shqiptarët kur u flas për Albanian Frog. Por është një kafshë shumë interesante, është endemike – gjendet vetëm në Shqipëri dhe Mal të Zi, këtu në Lagunë dhe në Liqenin e Shkodrës, është një listën e kuqe të rrezikimit nga zhdukja.

Nga informacioni për bretkosën kthehemi sërish tek shpendët. Mbërrijmë në Lagunën Limopuo që gjendet në zemër të Nartës. Tashmë e kemi lënë makinën dhe vazhdojmë rrugën në këmbë nëpër një ambient ranor. Në të majtë shtrihet një gji i vogël me plazh të virgjër në të cilin duken ca pak pushues të huaj që janë stacionuar ndoshta prej ditesh aty me rulotat e tyre. Në krahun tjeter, një pyll i dendur pishash në të cilin zgjedhim të pushojmë për pak minuta nën hije, përpara se të nisemi në zemër të ligatinës. Nën këmbë shkorrmoqet balta e thatë e ligatinës, ndërsa Ornold, i cili ka zbuluar diçka mes ‘dritareve’ të krijuara mes shkurrnajës, sistemon teleskopin dhe na fton të shohim. Vë syrin në teleskop dhe para meje shfaqet një çift mjelmash që po shijon ‘ intimitetin’. Pak sekonda më pas u “bashkohet” kalorësi bardhë-e-zi. Flamingo nuk duket gjëkundi. Nuk dorëzohemi, do ta dalim në anën veriore të Lagunës, nga ana e kriporeve. Është mesditë dhe dielli është ngritur në zenit. Gjatë kthimit nga Laguna Limopuo, marim djathtas dhe ngjitemi në kondrën e farit dhe… uau, çfarë pamje. Unë dhe Gillian e shprehim befasinë jo vetëm me pasthirma por edhe duke u munduar të fiksojnë pamjen në foto. Dera e farit është e mbyllur, por edhe nga aty pamja është shumë bujare. Përpara nesh duket sikur është shpërfaqur harta e botës, ku mbizotërojnë ujrat e kaltër dhe mes tyre shfaqen ‘kontinentet – disa si gishtat e një dore dhe mes tyre ishulli i gjelbëruar i Zvërnecit. Një labirinth natyror plot me kontraste që fsheh pasuri të jashtëzakonshme speciesh dhe gjallesash. Poshtë nesh ndodhen tunelet ushtarake me porta dalëse në shpatin e thepisur të kodrës. Gillian tregon interes të veçantë kur mëson se njëri prej tuneleve po kthehet në muze natyror ku do të ekspozohet i gjithë informacioni për jetën e gjallë të Lagunës. “Herën tjetër, mezi pres të vizitoj muzeun’, thotë ajo, e sigurt që kjo vizitë e parë në brendësi të Lagunës do të pasohet nga të tjera shumë shpejt.

Në kërkim të flamingove

Vazhdojmë rrugën dhe para nesh shfaqen vaskat e kripores të rreshtuara shirita-shirita njëra pas tjetrës, që ndahen me rripa të ngushte toke. Pas pak minutash në rrugën e Hidrovorit, me vaskat në krahun e djethtë dhe Lagunën në të majtë, makina ndalet. Asnjë nuk flet. Sytë e të katërtve janë ngulur të mahnitur nga njëra prej vaskave që ‘portokallon’ nga një popullatë e tërë flamingosh. Çfarë fati! Për minuta të tëra nuk ngopemi duke shijuar pamjen ku çdo flamingo duket sikur performon pjesën e vet në një shfaqje të madhe dhe të mirëorganizuar. Ndërsa bëhemi gati të hyjmë në makinë për të vazhduar rrugën nga hidrovori, në krahun tjetër, nga ana e lagunës dallojmë disa pelikanë. Gjatë rrugës deri tek dunat dallojmë zogj të madhësive dhe ngjyrave të ndryshme. Mbërrijmë në pjesën e njohur si dunat e Nartës, një brezi rënor që ndan lagunën me detin. Peisazhi kryekëput i ndryshëm nga ligatina në pjesën jugperëndimore. Duna rëre formuar nga veprimi i erës me lartësi nga 5–6 m e gjerësi deri 20–30 m mbi të cilat dallohen bimësi barishtore dhe shkurresh kripëdashëse. Dunat më të mëdha, nga ana e hidrovorit, janë  pyllëzuar para rreth 30 vitesh me pishë dhe akacje.

Një vit më parë këtu janë pikasur breshkat e ujit dhe specialistët e CILEM mendojnë se pjesa e dunave është mjedis potencial për folezim e tyre. Organizata italiane është angazhuar fort në aktivitete të mbrojtjes së breshkave Caretta caretta e Chelonia mydas, të cilat janë breshkat detare më të përhapura në Mesdhe dhe që folezojnë në brigjet shqiptare… Në mes të rërës dallojmë një makineri të rëndë po punon në zhvendosjen e rërës dhe sheshimin e një brezi pranë bregdetit. I shqetësuar përfaqësuesi i CILEM telefonon zyrtarët e Zonave të Mbrojtura. Ata sigurojnë se do të nisen në vend për të verifikuar ndërhyrjen. E gjithë zona këtu është pjesë e zonës së mbrojtur dhe nuk lejohen ndërhyrje. Sheshimi i dunave do të shkatëronte përfundimisht mjedisin natyror dhe, përveç të tjerave, do të largonte breshkat e ujin nga kjo zonë…

Alarmi: Në lagunën e Nartës fluturimi i zogjve të egër rrezikon të zëvendësohet nga fluturimi i avionëve

Laguna e Nartës është e dyta në vend për nga rëndësia. Ajo është e njohur për biodiversitetin e ligatinave të saj dhe për larminë e shpendëve që jetojnë në të, rreth 200 lloje, nga të cilët 33 rrezikojnë të zhduken. Peizazhi i Mbrojtur Vjosa-Nartë shërben si një korridor për zogjtë që migrojnë përtej Adriatikut nga veriu në jug të Evropës, duke përfunduar në Afrikë. Narta është vend ushqimi për pelikanin kaçurrel (Pelicanus crispus) dhe një nga vendet më të rëndësishme të pushimit për zogjtë migrues si flamingot (Phenicopterus ruber), rosat e egra dhe lejlekët. Sqepbiza në Shqipëri folezon vetëm në Nartë. Po ashtu në Lagunën e Nartës gjenden  mjelma, Martin peshkatari, gargulli, kaloresi, sqepbiza, gjelaci symadh, etj.

Por kjo parajsë natyrore rrezikon të shkatërrohet nga ndërtimin i Aeroportit të Vlorës, vetëm 100 m larg kripores dhe 500 metra nga Laguna. Në fillim të Marsit 2021, qeveria miratoi ndërtimin e aeroportit në Akërni, të Vlorës. Jo shumë larg grykëderdhjes së Vjosës në Adria, qeveria planifikon të japë edhe leje për ndërtimin e resorteve turistike.

Ambientalistët janë shprehur thellësisht të shqetësuar dhe të sigurt se kjo ndërhyrje infrastrukturore e pastudiuar mirë do të dëmtojë zonën, do të largojë shumë nga zogjtë folezues dhe nuk do të shërbejë më si vend pushimi për ta. Ata kanë akuzuar qeverinë se asnjë nga vendimet nuk ka qenë trasparent dhe i konsultuar me grupet e interesit. Ministrat e njëpasnjëshëm të Infrastrukturës janë mbrojtur pas argumentit se aeroporti nuk ndërtohet në një zonë të mbrojtur lagunore, por nënjë zonë të vjetër ajrore.

Laguna e Nartës është pjesa fundore lumit të Vjosës, për të cilën disa javë më parë Kryeministri Rama publikisht u angazhua ta shpallë Park Kombëtar në të gjithë rrjedhën e tij. A do ta pengojë kjo nismë e fundit Qeverinë Rama të avancojë me planet për ndwrtimin e Aeroportit. Shpresës së Ornoldit që ‘ka ende mundësi që zona të mbrohet, Gillian iu përgjigj: “Tani duket teper vonë. Vendimi është marrë, punimet kanë filluar.”

[1] Vëzhgimi i zogjve

Postime të ngjashme

Dietat drastike – Nutricionistja Silvia Guxho: Ja çfarë ndodh në trupin tonë!
Tetori rozë, Rama: Bëni mamografinë falas në rrjetin e poliklinikave dhe spitaleve rajonale
Emërohet drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik
“Po manipulohen videot e mia”- Kreu i Urgjencës: Persona abuzues përdorin imazhin tim për të shitur produkte mjekësore të dyshimta
Trump shpall tarifën 100% për produktet farmaceutike të markave të njohura
Eugena Tomini emërohet zv.ministre e Shëndetësisë
Sa duhet të qëndrojnë fëmijët para ekranit? Ja çfarë thotë mjeku
Me përmbajtje të lartë pesticidesh, AKU ndalon importin e pjeshkave dhe rrushit