Librazhd: Banorët kundërshtojnë HEC-et

Peticioni me firmatNjë peticion me firmat e banorëve të fshatit i është dorëzuar nënprefektit të Librazhdit, ndërsa kërkohet mosndërtimi i hidrocentralit që do të thajë lumin Rrapun

Një përfaqësi prej pesë vetësh dorëzuan në dhjetor te nënprefekti i Librazhdit, Mehmet Biçaku, një tjetër peticion kundër firmave që ndërtojnë HEC-et në komunën Qendër. Në takim mori pjesë dhe përfaqësuesi i shoqatës “Egnatia” që prej disa muajsh së bashku me rrjetin “ECIM” kanë ngritur problemin e 47 HEC-ve që po ndërtohen në zonën e Parkut Kombëtar Shebenikë-Jabllanicë dhe 87 HEC-eve në të gjithë rrethin e Librazhdit.

Ata i dorëzuan nënprefektit një peticion të banorëve me 118 firma të mbledhura. Ndërkohë, për këtë problematikë një kërkesë u është dërguar instancave shtetërore, si: Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, Avokatit të Popullit, Ministrisë së Mjedisit, Ministrisë së Energjetikës dhe Industrisë, deputetit të zonës Taulant Balla, prefektit të Qarkut të Elbasanit e me radhë.

Në kërkesë shkruhej: “Ne banorët e fshatit Togë jemi të shqetësuar pasi është miratuar një hidrocentral në lumin Rrapun, i cili kalon në fshatin tonë. Sipas informacioneve kompania që zbaton projektin do të marrë ujin e lumit me tuba nga vendi i quajtur Ura e Funarësit deri tek Ura e Trenit Librazhd dhe ky tub do të futet nën shtratin e lumit. Ne si komunitet nuk jemi dakord  dhe kundërshtojmë  me forcë këtë  projekt, sepse na prek këto interesa:

1-Zhduk përgjithmonë nocionin lum që jemi lidhur brez pas brezi.

2-Zhduk peshqit dhe llojet e tjera që jetojnë në këtë lum.

3-Than ajrin gjatë verës.

4-Prish shtratin e lumit dhe dëmton tokat tona përreth dhe rrezikon shtëpitë e banimit.

5-Humb mundësinë e zhvillimit të plazhit gjatë verës që ne e përdorim si familje.

6-Prish sistemin e vaditjes së tokave.

7-Prish ekuilibrat ekologjik të zonës.

Midis të tjerash banorët thonë: “Nga specialistët dhe mediat kemi dëgjuar që shekulli XXI është lufta për mbrojtjen e ujit. Ne e kemi këtë mundësi dhe pse ta groposim këtë resurs që na ka falur natyra, kur dihen dhe pasojat që sjell në mjedis dhe në shëndetin e njerëzve. Ju lutemi merrni masa për të ndaluar këtë masakër mjedisore që po i bëhet mjedisit tonë, ndryshe neve do të vetëmbrojmë natyrën tonë të përbashkët, aty ku ne e kemi të lidhur çdo gjë me këtë lumë”.

Kryetari i fshatit Togëz, Jonuz Çota, tha në takim: “Ne nuk jemi pyetur si komunitet për këto hidrocentrale dhe nuk na është marrë firma. Thjesht një ditë na mbinë gjithë këto makineri të rënda”.

Ndërsa Ndriçim Dosku u shpreh: “Ne do të mbrojmë me çdo gjë mundin dhe djersën, tokën tonë dhe mjedisin sepse këtu jemi rritur”.

Ferit Çota, banor i zonës, tha: “Nuk do të lejojmë askënd, sepse do të  na mallkojnë brezat që do të vijnë vit pas viti për këtë që po bëhet dhe neve do të sakrifikohemi.

Ndërkohë, nga ana tjetër, drejtuesit e subjektit të HEC-it u shprehën se nuk do të prishen ekulibrat mjedisorë dhe projekti është hartuar brenda parametrit dhe se banorët nuk do të preken nga ndërtimi i tij.

Postime të ngjashme

EUAR- veprim dhe reflektim për të njohur mjedisin
Ndryshimi i klimës mund të çojë në probleme të frymëmarrjes, rinitit alergjik dhe kollë kronike
Ndotja e ajrit po shkakton depresion, thotë një studim i ri
Koplik/ Mbetje të rrezikshme spitalore, mbuloheshin me dhe
Gati 50 milionë profesionistë shëndetësorë bëjnë thirrje për ajër të pastër për një shëndet më të mirë
Pesticidet po rrezikojnë bimët e kafshët
Mbetjet mjekësore: ana e errët e kujdesit shëndetësor
Për herë të parë në video bimët që “flasin” me njëra-tjetrën