Në Ditën e Pastrimit në Librazhd, nën moton “Të pastrojmë Shqipërinë”, një grup organizatash pastruan luginën e Shkumbinit, i cili fatkeqësisht është kthyer në një vend grumbullimi plehrash dhe inertesh. Grupimi i rrjetit “Ecim”, nën drejtimin e ambjentalistit Xhemal Mato, u bë pjesë e kësaj nisme duke dhënë kontributin e tij. Me mbështetjen e partnerit lokal “Egnatia”, rrjeti ECIM bashkëpunoi me gjimnazistët në pastrimin e qytetit të Librazhdit.
Në mënyrë të veçantë pastrimi u fokusua në luginën e Shkumbinit, si një pasuri natyrore të cilin duhet t’a ruajmë. Nismës së këtij aksioni iu bashkuan edhe disa komuna në rreth dhe shkollat 9-vjeçare të Librazhdit, Përrenjasit dhe të disa institucioneve.
Për realizimin e këtij aksioni u blenë bluza, dorashka, detergjentë, qese plastike dhe u vendosën në dizpozicion dy furgona për transportin e mbeturinave. Sipas organizatorëve ky aktivitet do të vazhdojë dhe në ditët në vijim, për një Shqipëri dhe qytet më të pastër.



