Kryefaqja Mjedisi Mjedis Raportime Masakra e lumit Erzen nuk ka të ndalur

Masakra e lumit Erzen nuk ka të ndalur

0
Shpërndaje

Burimet ujore në Shqipëri janë të shpërndara në mënyrë hidrografike në gjashtë (6) basene ujore, të cilat rrjedhin të gjitha në drejtimin perëndimor ose veriperëndimor në të gjithë vendin dhe që kanë sistemet e tyre kryesore nga veriu në jug si vijon: lumenjtë Drini dhe Buna, lumi Mat, lumenjtë Ishëm dhe Erzen, lumi Shkumbin, lumi Seman dhe lumi Vjosë. Është e rëndësishme të theksohet se këto sisteme lumenjsh kullojnë jo vetëm tokën në Shqipëri, por edhe pjesë të mëdha zonash të banuara të Maqedonisë, Kosovës dhe të Malit të Zi.

Ishmi, Erzeni dhe Semani janë lumenjtë më të ndotur në Shqipëri.

Raporti i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit në lidhje me gjendjen e ujërave të lumenjve për vitin 2016, ka nxjerrë në pah situatën alarmante. Ekspertët vlerësojnë se ndotja e tyre ndodh gjatë kalimit në zonat urbane, si pasojë e shkarkimeve dhe mbetjeve të ngurta që hidhen në shtratin e tyre.

Një formë e shfrytëzimit të resurseve natyrore është shfrytëzimi i inerteve/zhavorrit nga lumenjtë. Ky shfrytëzim ka ardhur si rezultat i kërkesës dhe nevojës për ndërtim dhe zhvillim ekonomik.

Mirëpo në shumë lumenj të vendit shfrytëzimi i inerteve është bërë pa kriter dhe i ka tejkaluar kapacitetet e shtretërve të lumenjve. Ky mbi shfrytëzim është përcjellë me pasoja jo vetëm në ekosistemin e lumit dhe shtratit të tij por edhe me paraqitjen e vërshimeve dhe përmbytjeve të lumenjve. Duke u bazuar nga të dhënat e inspektoratit mjedisor dhe nga vizitat e realizuara në terren vlerësohet se gjendja mjedisore e lumenjve vazhdon të përkeqësohet.

Sipas “Raportit të Gjendjes në Mjedis 2016”, publikuar nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, është konstatuar “ulje e shtratit të lumit Erzen për shkak të erozionit fundor dhe shfrytëzimit të tejskajshëm të inerteve në të gjithë gjatësinë e lumit; Erozion anësor i shtratit dhe i tokës bujqësore kryesisht në rrjedhën e mesme; Kënetizimi i shtratit në zona të caktuara; Ulje e shtratit për shkak të erozionit fundor dhe shfrytëzimit të tejskajshëm të inerteve në të tre degët e lumit sidomos në Verjan dhe  Kurcaj; Erozion i tokës bujqësore thuajse në të gjithë gjatësinë e shtratit; Ndotje e fuqishme e shtratit, terracës së shtratit, ujit të

rrjedhës dhe vijës bregore; Ulje e nivelit të ujërave nëntokësore në të gjithë pellgun ujëmbajtës të Tiranës dhe dalje e pjesës më të madhe të puseve të ujit jashtë funksionit (Ura e Brarit, Zallherr, Çerkezë, Tapizë etj); Kënetizimi i shtratit në zona të caktuara.

Është denoncuar nga shoqata Together for life, fiks një vit më parë degradimi i shtratit të lumit Erzen, i cili është kthyer në parkim të gjithfarë lloj mbeturinash, si makina, makineri të ndryshme jashtë funksionit dhe shumëllojshmëri materialesh si kazane mbeturinash etj.

Kuptohet që çdo mbeturinë e këtij lloji e vendosur në shtrat lumi ndot tokën dhe për rrjedhojë edhe ujin e lumit, duke dhënë efektin e ndotjes në rrjedhën e tij e deri në det.

Por, masakra e Lumit Erzen nuk ka të ndaluar. Shtrati i këtij lumi, çdo ditë vazhdon dhe mbushet me mbeturina të çfarëdoshme, duke ndotur tokën dhe ujërat sipërfaqësore; veprimtari që firma xxx (e njohur nga instancat shtetërore) kryen kryesisht natën, për të mos u parë nga banorët e zonës; Ky subjekt me fronto guri dhe makineri të tjera, ndot gjithë ajrin e zonës së banuar dhe këtë veprimtari e kryen në distancë 30-50 metra larg shtëpive dhe lokaleve.

Qytetarët: Angazhohemi për ta ndryshuar situatën

Qytetaret raportojnë se në shtrat të lumit ishin të depozituar, por me forcë u hoqën, kazanët e mbeturinave të qytetit, ku bëhej riparimin, lyerja dhe pastrimi i tyre, kuptohet çdo gjë derdhej në lum. Aktualisht, vazhdon pretendimi i qytetarëve, në shtrat të lumit janë depozituar gjithfarësoj automjetesh, me potencial ndotës në tokë dhe ujërat sipërfaqësore. Krijimi i kësaj sipërfaqe toke, duke zënë shtratin e lumit dhe mos lejuar asnjë njeri që ta shfrytëzojë për peshkim apo larje dhe depozitimet që ka hedhur, e kanë mbytur zonën e shtëpive me mushkonja, miza, gjarpërinj, etj.

Ndërhyrja në shtratin e lumit ka bërë që ana e kundërt e saj (Reparti i Gardës Kombëtare) të pësojë gërryerjen nga rrjedha e Lumit. Kompania që ushtron këtë aktivitet pretendohet se disponon vetëm një sipërfaqe të vogël trualli dhe në këtë truall (në zonë të banuar) tashmë kërkon të zhvillojë aktivitet për depozitimin e mbetjeve të ndryshme (llumra, medikamente, bateri dhe duke e përfunduar me inerte);

Këtu qëndron habia e kësaj firme, se si në zonë të banuar prej qindra vitesh, por edhe me lokale të ndryshme të reja, kërkon të zhvillojë një aktivitet industrial? Në një distancë shumë të afërt me banesat dhe këtë aktivitet ndotës? Apo nuk e ka të qartë që në zonë të banuar nuk mund të zhvillosh aktivitete të tilla?

Banorët e fshatit Mullet tashmë janë njohur me çfarë do të bëjë apo ka projektuar kjo firmë për të ngritur në shtrat të lumit. Firma që kryen aktivitet duhet ta rikthejë shtratin e lumit në gjendjen e mëparshme dhe banorët e fshatit Mullet do të angazhohen për ta pyllëzuar dhe për të krijuar një zonë kreative për të gjithë njerëzit që mund dhe duan ta shfrytëzojnë atë.

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here