Komisioni hetimor për Shëndetësinë ka vijuar sot me pyetjen e dëshmitarëve për të sqaruar rrethana të ndryshme që lidhen me koncesionin e sterilizimit.
Gjithashtu për të dëshmuar është thirrur dhe Anila Denaj e cila në atë kohë ka mbajtur postin e drejtoreshës së Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe mësohet se në atë kohë nuk ka qenë dakord për çmimet e larta të sterilizimit. Madje ka paraqitur dhe ankesë. Pikërisht për këtë kohë, burimet bëjnë me dije po pyetet nga ekspertët e Byrosë së Hetimit.
Koncensioni 10 vjeçar me vlerë afro 100 milionë dollarë iu dha kompanisë ‘SaniService’, një bashkim kompanish ku Ilir Rrapaj me kompaninë e tij Investital LLC është zotëruesi kryesor i aksioneve, krahas kompanive italiane.
Biznesmeni ndodhet në ‘arrest me burg’ prej 16 gushtit 2024, ndërsa i arrestuar është edhe ish zv/ministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj. Klodian Rjepaj u mor në pyetje nga komisioner hetimor për shëndetësinë më 20 shtator, ndërsa pritet të thërrasë në një ditë tjetër edhe ish ministrin e Shëndetësisë.
Tre shtetasit italianë nuk do të jenë prezentë në mbledhjen e Komisionit Hetimor të Sterilizmit dhe Check Up-it.
Kryetarja e komisionit, Albana Vokshi: Tre shtetasit italianë refuzuan të ishin prezentë në mbledhjen e komisionit dy herët e tjera, kjo është hera e tretë. Për shkak të angazhimeve të tyre në Itali dhe jashtë Shqipërisë dhe kohës së shkurtër të njoftimit e kanë të pamundur të organizojnë udhëtimin drejt Shqipërisë, sipas tyre.
Secili prej tyre është jo vetëm aksioner i kompanisë së koncesionit të sterilizimit. Dy prej tyre kanë marrë miliona lekë me konsulencë private të marrë nga koncesionet, kanë kompani nënkontraktuese, i marrin taksat e shqiptarëve nga të gjitha xhepat, e konsiderojmë të domosdoshme prezencën e tyre në komision. Do vijojmë procedurën ligjore që parashikon thirrjen e qytetarëve duke njoftuar policinë dhe policia të sigurojë praninë e tyre në komision.
Lista e personave që do të pyeten sot janë:
Ora 9.30 Ilir Rrapaj
Ora 14.00 Anila Denaj
Ora 16.00 Altin Fani
Ora 18.00 Umbro Staccini
Ora 19.00 Elisabetta Anzanello
Ora 20.00 Giorgio Tardioli.
Kryetarja e Komisionit Hetimor të Sterilizimit, Albana Vokshi është përplasur me nënkryetarin Plarent Ndreca për mungesën e dëshmitarëve.
Vokshi: Unë kam kërkuar në grup që sekretaria të njoftojë Vilma Nushin dhe Gentjana Peposhin, nuk e di pse nuk janë njoftuar sepse edhe vendimi i fundit e ka të cilësuar që çdo anëtar i komisionit mund të thërrasë çdo dëshmitar pa e hedhur në votim për vendim të ndërmjetëm sipas vendimit të fundit të Kushtetueses. Është e domosdoshme që Vilma Nushi të vijë nesër në komision ose të mërkurën sepse ky nuk mbyllet pa dëshminë e Nushit dhe Edi Ramës, s’mund të mbyllet pa faktorët kyç në dhënien e koncesioneve.
Ndreca: Po jep argumente krejtësisht politike (Zhupës), zonja Nushi sepse qenka edhe kontributore e PS, kjo qenka një arsye përse duhet të jetë para nesh, biznesmen që ka kontribuar dhe t’u bëjmë gjyqin njerëzve që u përmendim emrin pa kriter që i vënë në gojë kur janë në punë e tyre, i paragjykojmë. Më lër të mbaroj argumentin.
Vokshi: Sa mbaruam me aksionerët italianë, aksionarja Vilma Nushi nuk duhet të vijë ë?!
Ndreca: Ne as nuk jemi denoncuar as nuk jemi denoncues, s’jemi prokurori, se çfarë do të dalë.
Vokshi: Ti ke marrë porosi që vetëm Vilma Nushi të mos prekej, ndryshe ajo do vinte. Vilmën që ke këtu ta mbroj. As më duhet leja juaj fare mua.
Ndreca: Është mendimi im.
Vokshi: Ky është mendimi i Edi Ramës.
Ndreca: Ato (Nushi dhe Peposhi) s’kanë lidhje me kontratën e Check Up-it, s’mund të thërrasim aksionerë të aksionerëve.
