Sipas kujtimeve të lëna në dorëshkrim, të veteranit Ramazan Vogli, ish-pjesëtar i njësiteve guerrile, i cili kaloi një periudhë të gjatë në burgje ku iu nënshtrua edhe torturave të shumta
Mark Brunga
Veterani Ramazan Vogli, ish-pjesëtar i njësiteve guerrile, në varësi të Çetës së Pezës që operonte kryesisht në zonën e Durrësit, pjesëmarrës në shumë atentate kundër agjenteve dhe oficerëve fashiste, ka kaluar një periudhë të gjatë në burgje ku i është nënshtruar edhe torturave të shumta. Ai i përshkruan me qetësi dhe pa kaluar në emfazë deklarative. Thjesht kujton dhe vuan për vuajtjet e një moshë të re. Duke u nisur nga situata në rritje e luftës për çlirimin e vendit, Vogli nënvizon faktin se shumë luftëtarë ranë nëpër burgje dhe ishin torturuar barbarisht nëpër qelitë e kuesturave, karabinierisë, SIMIT. Ai përshkruan sesi gjaku i të rinjve nëpër mure ishte dëshmi për masakrat fashiste. Me zgjerimin e luftës Nacional Çlirimtare, shkruan ai, u bë e nevojshme që Partia të merrte masa për të siguruar shokët e torturuar me mjekime ose partizanët e plagosur.
Spitalet e Burgjeve
Vogli kujton sesi nëpër burgje u arrit që të krijoheshin infermieri të vogla me ilaçe nga më të nevojshmet që futeshin në shërbimet e urgjencës, si: uji i oksigjenuar, jod, alkool, garza, banda, shiringa komplete etj. Përdoreshin për ata që vuanin në birucat e torturave të fashizmit me plagë të hapura që duheshin mjekuar, për të plagosurit që silleshin në burg. Mjekimi i tyre bëhej në spitalin e burgut deri në atë masë sa organet fashiste bindeshin se i sëmuri kalonte në krizat e vdekjes.
Furnizimi me ilaçe bëhej fshehurazi nga ndonjë gardian burgu i mirë dhe i besuar. Ata silleshin me valixhe me dopio fund ose të vendosura në ndërresa të ndryshme, në adresë të ndonjë anëtari “të kolekturës së burgut”, nënvizon Vogli.
Kishte udhëzime ilegale për celulat që vepronin në burgje. Të studioheshin me durim të burgosurit e profesioneve të ndryshme. Të sigurohej mirë mbi qëllimet e tyre, idealin që ata mbanin me vete, besimin që kishin tek Lufta Nacional Çlirimtare dhe dobia e profesioneve të tyre të shfrytëzohej për nevojat që do të paraqiteshin në burg.
Në vëmendje ishin njerëz të financës, që ishin të aftë për miradministrimin e kolektivave dhe infermierët për krijimin dhe organizimin e punës për mjekimin e të burgosurve, të ardhur nga qelitë e torturave ose të plagosur të kapur. Po kështu, në vëmendje ishin edhe inxhinierët ose gjeometrat, për të ndihmuar në gjetjen e mundësive të arratisjes së të plagosurve që rrezikoheshin nga burgu.
30 prilli 1943, në Kujtimet e Burgut
Ramazan Vogli kujton në shënimet e lëna datën, 30 prill 1943.
“Ditën e premte pasdite, në gjendje shumë të keqe shëndetësore (nga torturat), më morën nga biruca me makinën-burg dhe më dërguan në burgun e vjetër tek të burgosurit politikë, në katin e parë. Në burg kishte të burgosur shqiptarë, kosovarë, serbë, malazezë, maqedonas. Asnjë nuk njihja dhe asnjë nuk më njihte.
“Gjendja ime shëndetësore ishte me plagë të hapura në trup, me dhembje. Megjithëse nuk më njihnin, dashuria për shokun e torturuar, i sëmurë apo i plagosur, i vuri ata në lëvizje. Morën masa për të më lehtësuar dhimbjet me aq ilaçe dhe mjete që kishin. Midis të burgosurve ishin dy infermierë të quajtur Gaxho dhe Vasil. I pari ishte nga Kurveleshi, por punonte në Tiranë, djalë i gjatë, bardhosh, i dashur dhe i shpejtë në çdo veprim. Vasili ishte nga jugu, trup mesatar, zeshkan, i dashur.
“Të dy me ato që kishin në atë infermieri të vogël, më filluan menjëherë mjekimet. Nga dhimbjet e mëdha që kisha, më trajtuan me morfinë. Kur erdhi doktori i bashkisë, Hiqmet Dibra, i ndaloi të më bënin morfinë dhe u tha atyre që më mirë të duronte dhimbjet sesa t’i bëhet morfina. I urdhëroi ata që të më mbanin shtrirë mbrapsht në krevat prej dërrase. Kjo do të ishte mirë për kolonën vertebrale dhe plaga të lahej me ujë të oksigjenuar, si dhe të dezifektohej me jod. Vetë solli një pomadë për të lyer plagën pas larjes me jod.
“Infermierët Gaxho dhe Vasili ishin simpatizantë të lëvizjes. Ata u kalitën në burg. Të gatshëm për të përballuar vështirësitë kur të dilnin nga burgu. Gjatë luftës dhe pas çlirimit nuk i takova më. Ata më dhanë të parët ndihmën mjekësore. Më shërbyen me shumë kujdes, më deshën, më shëruan plagët, më rregulluan kolonën vertebrale me regjim të rreptë. Po të më lejonin siç më pëlqente mua të rrija në shtrat, në anë, do të kisha mbetur që në atë kohë i paralizuar. Urdhrin e Hiqmet Dibrës e zbatuan jashtë dëshirës sime. Ndërkohë që, përveç meje, kujdeseshin edhe për të burgosur të tjerë. Mjekuan Enver Deliallisin, i plagosur më 10 prill në atentatin kundër togerit të milicisë fashiste në Shijak”, rrëfen Vogli.
(Rrëfimi i plotë u botua në numrin e 16 korrikut 2014 të gazetës “Shëndet+”)


