Gazetare: Klevisa GJIKA
Eksperienca e bluzave të bardha në këtë kohë pandemie nuk ngjan me asnjë situatë të mëparshme shëndetësore të kaluar në nivel lokal, vendor apo global. Në një intervistë për gazetën “Shëndeti”, Mhill Gecaj, mjek familje në poliklinikën e Kamzës, tregon se mbështetja e Ministrisë së Shëndetësisë ka munguar gjatë kësaj kohe. Ai thekson se nuk ka pasur nga ana e këtij institucioni udhëzime për zhvillimin e puëns në kushte të pazakonta.
“Problemi më i madh jo vetëm për ua si mjek në Kamëz, por në të gjithë Shqipërinë, ka qenë mungesa e udhëzuesve klinikë dhe protokolleve të mjekimit përsa i përket mjekimit të COVID-19. Duhet që autoritetet të çonin udhëzimet bazaur në kartelën e të sëmurit dhe sëmundjet shoqëruese, psh: një të sëmurë me diabet nuk mund ta trajtosh si një të sëmurë tjetër se mund t’i japësh kortizon dhe ti rrisësh diabetin. Vështirësia kryesore ka qenë mungesa e udhëzimeve dhe protokolleve të mjekimit në këtë situatë dhe secili mjek ka mjekuar sipas mendjes dhe eksperiencës së tij dhe sipas leximeve që ai ka bërë rast pas rasti”, tregon ai.
Më tej, mjeku Gecaj tregon se çdo mjek familjeje nuk e di me kë përballet gjatë orarit të puëns, kohë gjatë së cilës numri i pacientëve që kërojnë ndihmë është i lartë.
“Nëse një i sëmurë në Infektiv apo te Shefqet Ndroqi, ai tashmë është i diagnostikuar dhe mjeku e di se me kë përballen, ndërsa mjekët e familjes nuk e dinë se me kë përballen. Rreziku është shumë, shumë herë më i lartë. Unë këtu çdo ditë mund të vizitoj 50-70 veta në ditë. Nuk di se kë prek me dorë, se me kë përballesh”, shpjegon mjeku.
Mhill Gecaj shprehet hapur se puna nuk ka qenë aspak e lehtë gjatë kësaj kohe. Ja apeli i tij për Minsitrinë e Shëndetësisë.
“MSH duhet të kishte marrë me kohë masat për trajnimin e mjekëve të familjes, dhënien e aksesit të familjes, marrjen e masave për pajisjen e mjekëve të familjes me mjetet e domosdoshme të punës dhe masat mbrojtëse dhe për udhëzuesit me protokollet klinike dhe për mjekimin e SARS COV-2.”

