Kryefaqja Femijet Mjeku nefrolog pediatër: Infeksionet urinare tek fëmijët, ç ‘duhet të dimë

Mjeku nefrolog pediatër: Infeksionet urinare tek fëmijët, ç ‘duhet të dimë

0
Shpërndaje

Bisedoi: Desara Çela

Infeksionet urinare zënë vendin e dytë pas infeksioneve respiratore që prekin fëmijët dhe jo vetëm. Tek fëmijët ,infeksionet urinare janë ndër më të shpeshtat dhe mosha që preket më shumë nga këto infeksione është mosha latente. Gjatë vitit të parë të lindjes është gjinia mashkullore ajo që është më e prekur nga këto infeksione ndërsa pas kalimit të vitit të parë është gjinia femërore ajo që preket më shumë. Prindërit duhet të jenë gjithmonë të kujdesshëm në shqetësimet që fëmija i tyre ka dhe ti drejtohen mjekut për një ekzaminim më të thelluar.

Në një intervistë për gazetën “Shëndeti online” mjeku nefrolog pediatër Diamant Shtiza tregon më shumë rreth infeksioneve urinare dhe shkakun nga se çfarë shkaktohen këto infeksione.

Doktor, cilat janë patologjitë më të shpeshta të veshkave që prekin fëmijët?

Nefrologjia përfshin disa grupe sëmundjesh. Këto sëmundje mund të jenë të lindura, të fituara, të trashëguara. Por, mbi të gjitha, ato që përbëjnë gjysmën e punës në nefrologji janë infeksionet urinare. Infeksionet urinare janë grupi i dytë i infeksioneve më të shpeshta pas infeksioneve respiratore.

Çfarë i shkakton infeksionet urinare tek fëmijët?

Infeksionet urinare i shkakton mungesa e higjienës, pakujdesia kur flasim për rutinën dhe në raste të tjera që kur janë sëmundje të lindura mund të bëhen shkak për të shkaktuar infeksione urinare.

Cilat janë simptomat që kanë?

Simptomat kryesore mund ti ndaja në dy grupe dhe bëj një klasifikim  të rëndësishëm që është; Cistiti dhe Pielonefriti.

  • Cistiti është kur kemi infeksione të rrugëve të poshtme urinare.
  • Pielonefriti është kur kemi infeksione të rrugëve të sipërme urinare.

Infeksionet e rrugëve të poshtme (Cistiti) manifestohen me djegie urine, dhimbje gjatë urinimit, urinime të shpeshta.

Infeksionet e rrugëve të sipërme (Pielonefriti) manifestohen kryesisht me temperaturë dhe më dhimbje në ije.

Ky është një klasifikim klasik, kurse një klasifikim pak më i përgjithshëm është kur kemi fëmijë të vegjël. Tek fëmijët e vegjël ne nuk i kemi kaq të ndara shenjat , kështu që duhet të jemi pak më të kujdesshëm. Një ndër shenjat më të shpeshta që mund të shfaqet është temperatura, kur kemi një temperaturë me patologji ose pa një shkak të qartë se pse na ndodh temperatura duhet të kërkojmë dhe një analizë urine që ne të përjashtojmë infeksionin urinar.

Cila është mosha që preket nga infeksioni urinar?

Mosha që preket më shumë është mosha latente ose e thënë ndryshe mosha nga 0-2 vjeç. Kjo është ajo grupmoshë që preket sepse duke qenë se imuniteti është më i dobët preken më shumë, por edhe sepse patologjitë ne i diagnostikojmë më shpesh në këtë mosha themi që preken më shumë. Kjo moshë përdor edhe bebelino ndikon që të preken më shumë nga ky fakt.

A janë të rrezikshme këto infeksione për imunitetin e fëmijës?

Patjetër, çdo lloj infeksioni është i rrezikshëm, këtu përfshihet edhe infeksioni urinar. Nëse këto infeksione neglizhohen edhe në rastin e Cistiteve nga ai akut të kthehet në atë kronik, ku më pas bëhet i lodhshëm, i bezdisshëm, i vështirë për tu kuruar më dëmtime të fshikëzës. Nëse është i veshkës është akoma dhe më keq sepse dëmtimet e parenkimës së veshkës ose e pjesës që na pastron gjakun janë dëmtime të pakthyeshme, këto dëmtime manifestohen me kalimin e kohës në dëmtime përfundimtare të veshkës që i kemi parë në këto rast.

Cila gjini është më e prekur nga këto infeksione?

Të dyja gjinitë. Gjinia mashkullore është më shumë e prekur në vitin e parë për shkak ndoshta edhe të anatomisë fimoze që kanë djemtë, ndërsa nga viti i dytë është gjinia femërore që preket më shumë dhe kjo vjen më shumë për shkak të anatomisë së tyre.

Kemi shtim apo reduktim të rasteve me infeksione urinare?

Ne patëm një reduktim të rasteve në kohën e pandemisë, nga masat e forta që u morën dhe kujdesi që u tregua ndaj virusit COVID-19. Kjo ulje erdhi për shkak se njerëzit ishin më të kujdesshëm. Tani që Covid-19 e ka ulur virulencën po ja lë “skenën” rutinës dhe këto janë kthyer si në kohët më para.

Si ka ndikuar COVID-19 tek këto pacientë?

COVID-19 vetë si virus tek infeksionet urinare nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë, ul imunitetin, lë pasojat e tij dhe ndoshta tek ata subjekte që janë të prekur nga sëmundje më të rëndësishme natyrisht që ato i rëndon gjendjen e tyre shëndetësore.

A mundet një prind ta dallojë vetë që fëmija ka probleme?

Jo! Nuk mundet ta dallojë vetë. Një prind i kujdesshëm mund të dallojë diçka në raste kur shikon që fëmija e vet nuk urinon mirë, kur ai grindet dhe në raste kur ka temperaturë duhet ti drejtohet mjekut, kaq mund të bëjë prind dhe po e bëri këtë është në rregull. Pastaj mjeku duhet të thellohet në ekzaminimet e nevojshme për të zbuluar se nga çfarë i vijnë shqetësimet.

Jemi në stinën e verës dhe temperaturat janë shumë të larta çfarë këshilloni? Plazhi dhe pishinat sa të rekomanduara janë?

Po temperaturat janë të larta, unë rekomandoj të konsumohet sa më shumë ujë aq më mirë është. Duhet të ushqehen mirë, të konsumojë frutat dhe perimet sepse kanë përmbajtje uji, sa më shumë ushqime të bëra në shtëpi dhe të sigurta është më mirë se sa ushqimet që konsumohen jashtë. Kjo shërben edhe për infeksionet urinare por edhe për imunitetin.

Do theksoja që prindërit duhet të kenë kujdes me pishinat dhe me plazhin sepse të dyja janë të rrezikshme. Nëse në plazh neglizhon pirjen e ujit, qëndrimi me orë të tëra në vapë dhe kur lahesh në një det jo shumë të pastër. Në zona të pastra rreziku është më i vogël.

Ndërsa pishinat duke qenë se është po i njëjti ujë që qarkullon aty mund të mblidhen më shumë infeksione dhe mund të rrezikojnë. Prindërit duhet të kenë kujdes më shumë sidomos tek vajzat dhe këtë po e theksoj.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here