Kryefaqja Mjedisi Mjedis Raportime Monumentet e Natyrës në Peshkopi (Kapitulli I)

Monumentet e Natyrës në Peshkopi (Kapitulli I)

0
Shpërndaje

Në përputhje me VKM NR.676 DT.20.12.2002 “Për shpalljen zonë e mbrojtur të monumenteve të natyrës shqiptare” rrethi i Dibrës ka këto monumente natyrore të shpallura zona të mbrojtura, që për pasojë duhet të mbrohen nga shteti:

Bjeshka e zonjave Zimur

Gjendet në afërsi të kurrizit malor të Malit të Korabit në verilindje të qytetit të Peshkopisë, rrethi i Dibrës, 1700 m mbi nivelin e detit. Përbën një shpatullim të madh akullnajor të formuar në rreshpe, 1000 metra i gjatë, deri në 100-180 m i gjerë. Ka formën e një katërkëndëshi të çrregullt dhe të një ballkoni të madh natyror. Është e pasur me bimësi barishtore (kullota alpinë), të cilat përdoren vazhdimisht për verimin e bagëtive të imëta në bjeshkë. Lulet natyrore janë të shumta, mjaft tërheqëse, që lulëzojnë në verë. Ka vlera shkencore (gjeologjike, gjeomorfologjike), didaktike, ekologjike, turistike dhe kulturore. Mund të vizitohen duke ndjekur rrugën rurale nga qyteti i Peshkopisë drejt fshatrave në verilindje e më pas ndiqet rruga këmbësore përgjatë shpatit perëndimor të Korabit.

Ahu i Blliçes

Ka moshë rreth 170 vjeçare dhe gjendet në lartësinë 475 metër mbi nivelin e detit. Ky dru ahu ka lartësi mbi 15 metër, diametër të trungut mbi 2 metër dhe perimetër të kurorës mbi 30 metër.

Pisha e Blliçes

Është pishë e zezë, shtrihet në lartësinë 475 metër mbi nivelin e detit dhe ka një moshë rreth 150 vjeçare. Diametri i trungut është mbi 2 metër dhe perimetri rreth 5 metër.

Kodra e Parave

Ndodhet afër fshatrave Blliçe e Kukaj. Kjo kodër karakteristike në formën e një kupole, gjendet në lartësinë 493 metër mbi nivelin e detit. Emri i saj vjen nga gjetja herë pas here të monedhave në të, por që për fat të keq nuk ruhen.

 Boroviku i Beguinecit

Ndodhet në afërsi të fshatit Rabdishtë, 785-1350 m mbi nivelin e detit. Përbën një habitat të formuar në një territor me përbërje gjipsore dhe me bimësi të veçantë dhe të larmishme (pishë, ah, lajthi, panjë, frashër, dushk, etj). Ka edhe kafshë të rralla si kaproll. Ka vlera shkencore (gjeologjike, gjeomorfologjike, biologjike), didaktike, ekologjike dhe kulturore. Vizitohet duke ndjekur rrugën rurale qyteti i Peshkopisë – Rabdishtë

Bregu i Pepese

Ndodhet në afërsi të fshatit Zall Sopot, 700 m mbi nivelin e detit. Përbën një dru qarri me trung dhe kurorë të veçantë (trapezi) me lartësi 15 m dhe diametër të trungut rreth 25 cm dhe moshë qindra vjeçare. Ka vlera shkencore (biologjike dhe ekologjike), kulturore, didaktike dhe turistike. Vizitohet sipas intinerarit qyteti i Bulqizës – fshati Zall Sopot.

Uji i Ftohtë i Vleshës

Ky hidromonument gjendet në lartësinë 800 metër mbi nivelin e detit pranë fshatit Vleshë, në NJA Sllovë. Burimi karstik del në kontaktin midis gëlqerorëve dhe rreshpeve me prurje shumë të madhe dhe me ujë të pastër e shumë të ftohtë. Gjatë periudhës së ngrohtë të vitit, ka vizitorë të shumtë nga zona e Dibrës dhe më gjerë, të cilët e përdorin për kurimin e disa sëmundjeve e sidomos ato që vuajnë nga reumatizmi. Rreth 150 metër poshtë këtij burimi është ndërtuar një mulli me ujë që vihet në punë nga prezenca e këtij hidromonumenti.

Liqeni i Zi

Ndodhet në afërsi të zonës së Radomirës. Ky është liqen akullnajor me sipërfaqe rreth 0.5 hektarë, me ujë të pastër e të ftohtë. Liqeni ndodhet 600 metër në veriperëndim të fshatit Tejs në lartësinë 1465 metër mbi nivelin e detit ku gjatë dimrit ngrin në sipërfaqe. Në të gjitha anët është i rrethuar me pyje të pishës, bredhit etj.

Kroi i Mbretit

Ndodhet në afërsi të fshatit Ceren, në lartësinë 1200 metër mbi nivelin e detit. Përbën një burim karstik, që del në kontaktin litologjik midis gëlqerorëve dhe terrigjenëve. Uji i tij është i pastër e i ftohtë dhe krijon një mjedis shumë tërheqës.

Rrafshi i Korabit

Ndodhet në lartësinë 1900 metër mbi nivelin e detit. Përbën një cirk të madh kompleks akullnajor të formuar në rreshpe me gjatësi 1000 metra dhe gjerësi deri në 200 metër.

Fusha e Panairit

Ndodhet në lartësinë 2150 metër mbi nivelin e detit. Forma e saj është e një amfiteatri gjigand me fund të sheshtë (800×230 metër) dhe me shpate të pjerrëta. Përbën një cirk të madh kompleks akullnajor të formuar në rreshpe.

Shpella e Gurit të Kuq

Ndodhet në afërsi të fshatit Muhurr. Shpella është karstike e formuar në gëlqerorët e triasikut të sipërm, në lartësinë 500 metër mbi nivelin e detit. Gjatësia e saj është 400 metër, gjerësia deri në 2-3 metër dhe lartësia 4 metër.

Materialet e publikuara në këtë faqe janë pjesë e  projektit “Ruajtja dhe Menaxhimi i Monumenteve të Natyrës në Bashkinë e Dibrës, një Faktor Potencial për Zhvillim”, i cili zbatohet nga organizata “Instituti për Kërkim dhe Zhvillim Barleti” në kuadër të projektit ACHIEVE “Shoqëria civile Shqiptare për një mjedis Europian”.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here