Shpella e Akullit
Ndodhet në fshatin Bulaç, në lartësinë 1000 metër mbi nivelin e detit. Shpella është karstike e formuar në gëlqerorët e triasikut të sipërm-jurasik i poshtëm. Gjatësia e saj është 50 metër, gjerësia deri në 3 metër dhe lartësia 2 metër.
Lisi i Dobit
Ndodhet në afërsi të fshatit Fushë Muhurr. Ai përfaqëson një dru me lartësi mbi 25 metër, moshë mbi 160 vjeçare, me 30 degë e kurorë ombrellore dhe perimetër mbi 78 metër.
Liqenet e Kacnisë
Ndodhen në afërsi të fshatit Kacni. Këto liqene gjenden në shpatin lindor të malit të Balgjajt, në lartësinë mbi 1600 metër mbi nivelin e detit. Janë të vendosur në disa cirqe të mëdha akullnajorë komplekse, me gjatësi mesatare 50-100 metër dhe gjerësi 20-35 metër. Uji i tyre është i pastër e i ftohtë dhe gjatë dimrit ngrijnë në sipërfaqe. Liqenet e Kacnisë formojnë një ekosistem interesant të liqeneve alpine dhe mbartin vlera të shumta shkencore, turistike, ekologjike etj.
Burimet e Bellovës
Ndodhen në afërsi të fshatit homonim të komunës së Melanit, rrethi Dibër, në lartësinë 620 m mbi nivelin e detit. Përbëjnë disa burime karstike, që dalin në kontaktin litologjik midis gjipseve të permianit të sipërmë-triasi i poshtëm dhe rreshpeve paleozoike. Kanë ujë të pastër dhe të ftohtë. Krijojnë një mjedis shumë tërheqës. Kanë vlera shkencore (gjeologjike, gjeomorfologjike, hidrologjike), kulturore, didaktike dhe turistike. Vizitohet duke ndjekur rrugën rurale qyteti i Peshkopisë – Bellovë.
Burimi dhe shpella e Sopanikës
Ndodhet në afërsi të fshatit Fushë Çidhnë, në lartësinë rreth 400 m mbi nivelin e detit. Përbën një burim karstik me prurje 150 l/sek., që del në kontaktin litologjik midis gëlqerorëve dhe terrigjenëve dhe një shpellë karstike ende të paeksploruar. Ka ujë të pastër dhe të ftohtë. Krijojnë një mjedis shumë tërheqës. Kanë vlera shkencore (gjeologjike, gjeomorfologjike, hidrologjike), kulturore, didaktike dhe turistike. Vizitohet, duke marrë rrugën Peshkopi – Çidhnë.
Burimi i Shutresë
Ndodhet në afërsi të fshatit Laç, komuna Rukaj e rrethit të Burrelit; pranë luginës së lumit të Urakës, në lartësinë 230 m mbi nivelin e detit. Përbën një burim të madh karstik, që del në kontaktin litologjik midis gëlqerorëve të kretës së sipërm dhe terrigjenëve. Ka ujë të pastër dhe të ftohtë që përdoret edhe për furnizimin e popullsisë me ujë të pijshëm. Krijon një mjedis shumë tërheqës. Ka vlera shkencore (gjeologjike, gjeomorfologjike, hidrologjike), kulturore, didaktike dhe turistike. Mund të vizitohet sipas intinerarit Burrel – Shoshaj – Urakë.
Cirku i kurorës së Lurës
Ndodhet në malin homonim, 1830 m mbi nivelin e detit. Përbën një cirk të madh akullnajor të formuar në magmatikë. Është i gjatë 900 metra, i gjerë deri në 350 m. Ka formën e një kolltuku gjigand me disa forma më të vogla erozive. Ka vlera shkencore (gjeologjike, gjeomorfologjike, hidrologjike), didaktike, ekologjike dhe kulturore. Vizitohet duke ndjekur rrugën rurale qyteti i Peshkopisë – Fushë Lurë – monumenti.
Fusha e Pelave Lurë
Ndodhet në Parkun Kombëtar të Lurës, në lartësinë 1580 m mbi nivelin e detit. Si formë relievi përbën një cirk të cekët akullnajor, që për një kohë ka qënë i mbuluar nga një liqen glaciar, i cili më pas u tha. Emrin e ka marrë, ngaqë kafshët e banorëve (pelat) e preferonin shumë këtë kullotë. Në të njëjtën kohë fusha e Pelave përbën edhe një habitat interesant të llojeve të ndryshme të livadheve alpinë. Ka bukuri mahnitëse. Ka vlera shkencore (gjeologjike, gjeomorfologjike, biologjike), didaktike, ekologjike dhe kulturore. Vizitohet duke ndjekur rrugën rurale qyteti i Peshkopisë ose nga Rësheni – Fushë Lurë – monumenti.
Materialet e publikuara në këtë faqe janë pjesë e projektit “Ruajtja dhe Menaxhimi i Monumenteve të Natyrës në Bashkinë e Dibrës, një Faktor Potencial për Zhvillim”, i cili zbatohet nga organizata “Instituti për Kërkim dhe Zhvillim Barleti” në kuadër të projektit ACHIEVE “Shoqëria civile Shqiptare për një mjedis Europian”.





