Ndërhyrjet kirurgjikale te fëmijët, problemet

femije

Bisedoi për gazetën “Shëndet+”: Denisa Canameti

Kirurgjia pediatrike në QSUT kryen rreth 4 000 procedura të përgjithshme kirurgjikale dhe mikrokirurgjikale çdo vit (sipas të dhënave të QSUT-së). Ndërhyrjet më të shpeshta janë herniet, hydrocellat, ato që populli i klasifikon si dhjam, si dhe testet e pazbritura. Dritan Alushani, kirurg pediatër, në një intervistë për lexuesin e “Shëndet+”, tregon se cilat janë ankesat më të shpeshta të fëmijëve që kërkojnë më pas ndërhyrje kirurgjikale, vështirësia më e madhe në marrjen e vendimit për ndërhyrje kirurgjikale te fëmijët, si dhe a ka vendi ynë mungesa në drejtim të kurimit të fëmijëve.

Doktor, cilat janë ankesat më të shpeshta të fëmijëve që kërkojnë më pas ndërhyrje kirurgjikale?

Kirurgjia pediatrike ekziston si specialitet më vete për shkak se merret kryesisht me anomalitë e lindura, të cilat praktikisht janë defekte të formimit struktural të organeve dhe shtrihen nga të lehta deri në të papajtueshme me jetën. Në këtë aspekt ato shpesh janë kaq të hershme në prezantim (menjëherë pas lindjes), saqë nuk mund të flitet për ankesa, por për mosfunksionim të organizmit. Në këtë rast diagnoza shpesh bëhet që në periudhën prenatale (para lindjes). Zakonisht ai që bën diagnozën ose, të paktën, jep të dhëna të cilat mund të çojnë më pas në një diagnozë kirurgjikale, është obstetri që bën ndjekjen e gruas shtatzënë me anë të ekzaminimeve ekografike. Në momentin që dyshohet për ndonjë anomali të mundshme, kirurgët vihen në dijeni dhe konsultat shpesh fillojnë pa lindur fëmija akoma.

Pasi lind, sigurisht që bëhen ekzaminime shtesë për të konfirmuar ose përjashtuar diagnozën, dhe më pas fillimin e trajtimit, sipas rastit. Natyrisht ka sëmundje edhe në moshat më të rritura të cilat paraqiten me ankesa, si: dhimbje, të vjella, infeksione urinare të cilat mund të flasin për anomali të lindura që nuk është arritur të diagnostikohen deri në atë periudhë etj. Këto mund të jenë sëmundje të lidhura përsëri me formimin difektoz që kur fëmija ka qenë në barkun e nënës, por mund të jenë gjithashtu sëmundje të zakonshme, siç kanë dhe të rriturit. Këto mund të jenë apendisite, ngatërrime zorrësh, kolecistite, kalkuloza të trakteve të ndryshme etj.

Këto sëmundje shpesh te fëmijët kanë incidencë të ndryshme nga të rriturit, ndonjëherë ndryshon dhe shkaku, por trajtimi është pak a shumë i njëjtë. Gjithashtu, edhe ankesat shpesh janë të njëjta.

A janë të vetëdijshëm prindërit lidhur me konsultimin e ankesave të fëmijëve me mjekët?

Prindërit janë të vetëdijshëm në shumicën e rasteve. Ajo që ne vëmë re është që ndonjëherë mjekët primarë, por ndonjëherë dhe specialistë, i vonojnë rastet ndërkohë që duhet t’i sjellin më shpejt. Këto janë gabime që bëhen ose sepse në mënyrë tradicionale janë trajtuar aq vonë sa ata i sjellin, ose sepse nuk kanë dijenitë e duhura për sëmundjet pediatrike kirurgjikale.

Specialiteti i kirurgjisë pediatrike është më i ri se specialitetet e tjera kirurgjikale dhe ka ecur me shpejtësi, duke bërë që shumë mjekë dhe jo vetëm të vjetër, të mos i kenë hasur këto sëmundje gjatë formimit të tyre. Në fakt, gjithmonë e më shpesh kemi marrë pjesë në konferencat pediatrike ku kemi paraqitur punime dhe duhet të jemi në kontakt sa më shumë me bazën në mënyrë që të rrisim edukimin dhe dijenitë për këto sëmundje. Një rrugë do të ishte organizimi i seminareve nëpër rrethe ose, të paktën, në rrethet më të mëdha.

Sa të gatshëm janë prindërit për të bashkëpunuar në rastin e ndërhyrjeve kirurgjikale?

Natyrisht që janë shumë bashkëpunues në shumicën e rasteve. Ndonjëherë kemi probleme kur anomalitë janë të rënda dhe prindërit duhet të përballen me mundësinë që të kenë të bëjnë me një fëmijë i cili do të jetë i invalidizuar gjatë githë jetës. Në këtë rast ndonjëherë nuk duan të na lejojnë që t’u japim ndihmë, dhe ne kemi dhe probleme të cilat nuk janë as të parashikuara nga ligji për t’u përballuar. Ndonjëherë kemi dhe ne mjekët dyshime nga pikëpamja etike dhe humane se si duhet të sillemi.

Cila është vështirësia më e madhe në marrjen e vendimit për ndërhyrje kirurgjikale te fëmijët?

Vështirësia më e madhe nga ana teknike është kur diagnoza nuk është e qartë. Në këtë rast duhet ditur që ndërhyrja kirugjikale shpesh është një nga mjetet për të vënë diagnozën. Duhet thënë që kjo është gjithmonë e më rrallë në kohën e sotme. Me mjetet që janë sot në dispozicion, në shumicën dërrmuese të rasteve është e mundur që të kihet një diagnozë e saktë.

Gjithashtu, vështirësi ka kur sëmundja rrezikon jetën dhe operacioni është mjeti i cili mund të bëjë ndryshim në ecurinë e sëmundjes, por ndonjëherë struktura vitale janë të përfshira dhe rreziku mund të jetë i pranishëm edhe gjatë punës. Në këtë rast kirurgu duhet sqarojë mirë prindërit, në mënyrë që të kuptohet domosdoshmëria e operacionit dhe e pranimit dhe një dozë rreziku që mund të jetë i pranishëm. Natyrisht, aspekti i munguar ligjor ose në dëm të mjekëve në këtë rast nuk ndihmon.

Cilat janë ndërhyrjet më të vështira kirurgjikale për fëmijë?

Ndërhyrjet kirurgjikale te fëmijët mund të jenë shumë të vështira, për shkak se kanë të bëjnë me rikonstruksione organesh ose strukturash të cilat janë të formuara keq ose mungojnë fare.

Cilat janë ndërhyrjet më të shpeshta dhe më të lehta tek fëmijët?

Ndërhyrjet më të shpeshta, për fat të mirë, janë dhe më të lehtat. Janë herniet, hydrocellat, ato që populli i klasifikon si dhjam. Testet e pazbritura janë të shpeshta, por jo aq të lehta teknikisht. Zakonisht këto janë sëmundje që bëhen brenda ditës ose vetëm me një natë qëndrim.

Përballimi i ndërhyrjes kirurgjikale është më i lehtë apo më i vështirë tek fëmijët?

Fëmijët kanë një veçori si organizëm, që çrregullohen shpejt, por dhe shërimi është më i shpejtë pasi sëmundja është kuruar nga ana kirurgjikale. Prandaj ne kemi shumë kujdes që para se të futen në salllë, të jenë shumë mirë të ekuilibruar nga ana hidroelektrolitike.

Kur bëhet fjalë për fëmijët, shumë prindër zgjedhin të ikin jashtë Shqipërisë. Mendoni se vendi ynë ka shumë mungesa në drejtim të kurimit të fëmijëve?

Kirurgjia pediatrike është një specialitet që është e zhvilluar në çdo fushë, si rrallë ndonjë specialitet tjetër. Mund të jemi kirurgjia që ka pasur më shumë shkëmbime si brenda dhe jashtë vendit, dhe kjo ka bërë që të mos ketë asnjë mangësi teknike. Ky është thelbi i edukimit të një stafi, kontakti i vazhdueshëm me zhvillimet më të përparuara të çdo specialiteti. Ne e kemi bërë këtë me anë të specializimeve të gjata dhe të shkurtra, seminareve të përvitshme dhe pjesëmarrjeve nëpër kongrese, duke qenë dhe ne pjesë e bordeve edukuese të këtyre kongreseve dhe projekteve.

Në klinikën tonë ne kemi vizita të ekspertëve botërore çdo vit që prej 20 vjetësh në mënyrë shumë të rregullt. Duhet thënë që për këtë duhet të mendojë më shumë menaxhimi spitalor, i cili praktikisht nuk investon fare në këtë drejtim që mbas viteve ’90. Ky është thelbi i rritjes së cilësisë në kujdesin e pacientëve, më shumë madje se sigurimi i pajisjeve apo medikamenteve.

Çdo spital në botë, edhe në vendet në zhvillim si yni, sponsorizojnë mjekët për të shkuar në kongrese ose kurse të ndryshme. Në repartin tonë mjekët i kanë bërë vetë me sakrifica të mëdha.

Cilat janë ankesat më të shpeshta që duhet t’i bëjnë prindërit të vetëdijshëm për një konsultë mjekësore?

Çdo ankesë që fëmijët kanë ose çdo gjë që nuk shkon me mirëqenien e tyre duhet konsultuar me pediatrit e tyre.

Cila moshë i nënshtrohet më shumë ndërhyrjeve kirurgjikale?

Të gjitha ndërhyrjet që nuk janë urgjente, mirë është të bëhen përpara moshës 2 vjeç. Sepse fëmijët nuk i mbajnë mend dhe rrjedhimisht nuk do t’i vuajnë në të ardhmen si trauma psikologjike. Mbas kësaj moshe më mirë do të ishte pas moshës 6 vjeç. Në këtë moshe truri është më i maturuar dhe ka më pak mundësi të ketë ndikim negativ. Në rastet kur kemi të bëjmë me anomali të lindura të cilat duhen operuar menjëherë ose urgjenca kirurgjikale, ndërhyrjet duhen bërë sapo të paraqiten pacientët.

A ka një dallim midis zonave urbane e rurale, veriut apo jugut në drejtim të sëmundshmërisë dhe gradës së sëmundjes në të cilën paraqiten?

Nuk ka ndryshim veri – jug, por nga zonat rurale ka vonesa më shpesh se nga zonat urbane. Shpesh nga mungesat e personelit mjekësor.

 

Postime të ngjashme

Shkarkohet drejtori i Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor! Ja kush emërohet
Kastraveci: Këto janë përfitimet e tij më të rëndësishme
Çfarë dihet për rastet e hantavirusit të lidhura me shpërthimin vdekjeprurës në anijet turistike
Zakonet që do t'ju "shpëtojnë" nga fryrja e barkut
PCOS tani quhet PMOS. Çfarë duhet të dini rreth ndryshimit të emrit dhe çfarë do të thotë kjo për kujdesin
Sterilizimi, shtyhet seanca ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj
Studimi i ISHP: Të rriten taksat për pijet me sheqer, të ulen për të shëndetshmet
Ngacmoi seksualisht pacienten 21-vjeçare, arrestohet kirurgu