Kryefaqja Mjedisi Pasuritë natyrore të Sarandës, ndërgjegjësim për mbrojtjen

Pasuritë natyrore të Sarandës, ndërgjegjësim për mbrojtjen

0
Shpërndaje

Takimi ne KsamilIshujt e Ksamilit duhen mbrojtur pasi po shkatërrohen nga bizneset për interesa të caktuara. Në takim u bë thirrje për rehabilitim të kësaj zone për ta mbrojtur nga shkatërrimi i mëtejshëm

Alisa Peçi

Rrjeti mjedisor “ECIM”, në kuadër të fushatave ndërgjegjësuese për mbrojtjen e mjedisit, zhvilloi në Ksamil në datën 3.12.2013 një takim me tematikën “Aksion ndërgjegjësues në mbrojtje të pasurive natyrore dhe turistike të Sarandës”. Takimi u organizua nga Qendra “Grupimi Ekolëvizja” në bashkëpunim me partnerin lokal në Sarandë “Agjencia Joniane e Mjedisit Medias dhe Informacionit (AJMMI)” dhe u mundësua me mbështetjen e Qendrës Rajonale të Mjedisit (REC), në kuadër të Programit SENiOR-A.

Pjesëmarrja e gjerë në takim vlen për t’u përshëndetur, pasi tregon sensibilitetin e komunës Ksamil, shoqatave lokale mjedisore, komunitetit, gjimnazistëve etj., rreth problematikës së shkatërrimit të ishujve të Ksamilit nga bizneset. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe Besnik Abedini, kryetari i komunës Ksamil dhe Ilir Hysi nga nënprefektura, të cilët shprehën gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar me rrjetin “ECIM” në lidhje me mundësinë e rehabilitimit të ishullit më të dëmtuar.

Takimi ne Ksamil 2 (1)Pas takimit u zhvillua një vizitë studimore përgjatë shëtitores së Ksamilit për të vëzhguar dëmtimet që i janë bërë ishullit të Ksamilit.

Tryeza pati 2 drejtime kryesore:

1. Sensibilizimin e aktorëve dhe opinionit publik për parandalimin e dëmtimeve të mëtejshme në brigjet e Ksamilit dhe ishujve të tij, si dhe

2. Përgatitje për një ndërhyrje rehabilituese me angazhimin e kapaciteteve të rrjetit, si dhe me praninë e tre ekspertëve, si: ing. Qani Sejdini, Kristo Kauri, Ali Coka për të kthyer në atraksion mjedisor e turistik  ishullin më të dëmtuar të Ksamilit.

Prej disa vitesh është lejuar që në një zonë të mbrojtur të parkut të kryhet një krim mjedisor nëpërmjet gërmimeve dhe tjetërsimeve vrastare të mjedisit dhe peisazhit, u shpreh në takim drejtuesi i “AJMMI”, Shkëlqim Hajno.

Një tjetër fokus i takimit ishte parandalimi i një rreziku të mundshëm që i kanoset ligatinës së fushës së Vrinës nga tharja, e cila bën pjesë në Konventën Ndërkombëtare Ramsar. Për këtë do të përgatitet një Letër-Vëmendje, drejtuar disa ministrive. Gjithashtu, do të hartohet një marrëveshje bashkëpunimi me komunën e Ksamilit, zyrën e Parkut të Butrintit dhe më gjerë.

Xhemal Mato, drejtues i Qendrës “Grupimi Ekolëvizja” dhe njëkohësisht i rrjetit “ECIM”, u shpreh në takim: “Ne synojmë të bashkëpunojmë me pushtetin lokal, jo vetëm duke e nxitur, por edhe duke zbatuar aktivitete konkrete për rehabilitimin e ishullit”.

Ishujt e Ksamilit janë pjesë integrale e Parkut Kombëtar të Butrintit. Ata gëzojnë në letër një status të veçantë, duke bërë pjesë në zonën A të Parkut, kurse de fakto ata kanë rënë pre e ndërtimeve të cilat nuk duheshin lejuar.

“Nëse Ksamilit do t’i hiqeshin ishujt, ai do të humbiste një burim natyror për zhvillimin e rajonit nga turizmi. Njëkohësisht do të humbisnim nga kënaqësia estetike, peisazhi që këto ishuj ofrojnë”, u shpreh në takim Mato.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here