Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i shoqëruar nga zv.ministrja e Shëndetësisë, Milva Ekonomi dhe drejtoresha e QSUT-së, Ogerta Manastirliu vizituan sot fëmijët e shtruar në Pavionin e Onkohematologjisë të Shërbimit të Pediatrisë në QSUT, në një ceremoni festive të organizuar enkas për festat e fundvitit.
Ministri Beqaj shpërndau dhurata simbolike për fëmijët e shtruar në këtë pavion, të siguruara me ndihmën bujare të Save the Children Albania, Christian Family, Këshillit të Ministrave dhe INSTAT-it.
Gjatë vizitës, në një prononcim për mediat, Ministri Beqaj u shpreh se “jemi të angazhuar dhe po bëjmë të gjitha përpjekjet për të plotësuar çdo nevojë dhe kërkesë, në mënyrë që asnjë prej fëmijëve dhe familjarëve të tyre të mos ndihen të pafuqishëm në përpjekjet e veta për të bërë më të mirë për shëndetin e fëmijëve të tyre. Ky është një angazhim që ne do ta mbajmë në çdo hap dhe për çdonjërën nga nënat e këtyre fëmijëve dera jonë do të jetë gjithmonë e hapur dhe përpjekja jonë për të plotësuar çdo nevojë dhe për t’ju përgjigjur pozitivisht çdo kërkese nuk do të mungojë asnjëherë”.
Në fjalën e tij ministri Beqja përcolli gjithashtu edhe një falënderim për drejtoreshën e QSUT-së për punën e realizuar përgjatë këtyre muajve.