Nga Prof Asc. Rilinda Klosi
Tretja është një proces kompleks që përfshin shumë organe, të cilat së bashku bëjnë të mundur zbërthimin e ushqimit në përbërësit ushqyes si dhe absorbimin. Ky proces kontrollohet nga sistemi nervor dhe ai endokrin. Enzimat marrin pjesë në zbërthimin e ushqimit, ndërsa hormonet kontrollojnë çlirimin e enzimave, prodhimin e lëngut gastrik, si dhe kontraksionet e tëmthit. Çrregullimet e sistemit tretës janë gjendje që prekin traktin gastrointestinal, i cili fillon nga goja deri në rektum, duke përfshirë gjithashtu mëlçinë, pankreasin dhe fshikëzën e tëmthit. Këto çrregullime mund të jenë funksionale (funksion i dobët i strukturave normale) ose organike (kur nëpërmjet ekzaminimeve ka dëshmi të anomalive strukturore).
Patofiziologjia e çrregullimeve gastrointestinale funksionale nuk është ende tërësisht e qartë dhe sipas studiuesve përfshin mekanizma të ndryshëm e të ndërlikuar. Disa nga shkaqet më të zakonshme të problemeve funksionale përfshijnë dietat e varfëra në fibra ose të pasura me ushqime të përpunuara, stresin dhe ankthin, mungesën e ushtrimeve fizike, ndryshimet e theksuara të rutinës së përditëshme, ndryshimet hormonale, si dhe përdorimin e barnave. Në shumicën e rasteve ato mund të parandalohen ose të trajtohen dhe zgjatin për një periudhë të shkurtër kohe. Problemet gastrointestinale strukturore janë më të komplikuara, shoqërohen me simptoma që zgjatin në kohë, nuk përmirësohen vetëm me ndryshimin e stilit të jetesës, por kërkohet trajtimi i tyre nga ana e mjekut specialist.
Bimët mjekësore ofrojnë alternativa të vlefshme për parandalimin dhe trajtimin e çrregullimeve funksionale të sistemit tretës. Një numër shumë i madh bimësh mjekësore përdoren tradicionalisht në zona të ndryshme të botës, me mbi 300 prej tyre të dokumentuara në mënyrë specifike nga studimet etnofarmakologjike. Në bazë të dëshmive shkencore të provuara tashmë, vetëm një numër i vogël prej tyre pranohen për përdorim nga mjekësia bashkëkohore. Ato në saje të përbërjes komplekse fitokimike ndikojnë në procese të rëndësishme sikurse janë funksionet motorike, çrregullimet neurohormonale apo proceset e ndryshme inflamatore. Kështu për shembull, për trajtimin e diarresë që ndodh papritur përdoren bimë mjekësore të pasura në tanine dhe ushqime me përmbajtje të lartë amidoni. Inflamacioni i mukozës gastrike trajtohet me produkte bimore të pasura në mucilagje dhe në përbërës me veprim anti-inflamator. Disa bimë mjekësore përmirësojnë tretjen duke stimuluar enzimat digjestive, të tjera të pasura në vajra eterore kanë veprim spazmolitik dhe antimikrobik. Një problem që ndeshet shpesh është konstipacioni, i lidhur kryesisht me jetën sedentare dhe dietën e papërshtatshme, në këtë rast përdoren bimë me veprim stimulues laksativ.
Në përgjithësi trajtimi me bimë mjekësore konsiderohet i thjeshtë dhe i dobishëm, megjithatë për të shmangur toksicitetin e mundshëm përdoruesit duhet të kenë njohuri specifike për produktet bimore që do të përdorin. Për më tepër në cilësinë e tyre ndikojnë një sërë faktorësh, që nga mënyra dhe koha e grumbullimit, përpunimi i materialit bimor, tharja, si dhe kushtet e ruajtjes. Për bimët mjekësore të përfshira në Farmakopenë Europiane (Ph.Eur) përshkruhen procedurat e kontrollit të cilësisë. Vetëm produktet që plotësojnë këto standarde mund të tregtohen. Në vazhdim trajtohen tre nga drogat bimore mjekësore të miratuara për përdorim nga Agjencia Europiane e Barnave.
Artemisia absinthium L.(Pelini i bardhë) është bimë barishtore shumëvjeçare e familjes Asteraceae. Bima ka një histori të gjatë përdorimi për qëllime mjekimi që dëshmohet në papiruset e Egjyptit të lashtë, më pas nga autorë si Plini dhe Dioskoridi. Në mjekësinë tradicionale europiane pelini është përdorur prej shekujsh për trajtimin e problemeve gastrointestinale, po ashtu si agjent antihelmintik. Në shumë vende europiane, veçanërisht gjatë shekujve të 19të dhe të 20të, pijet me përmbajtje ekstraktesh të bimës janë përdorur si stimulues. Studime të viteve të fundit kanë treguar se vetitë psikoaktive, të lidhura dikur me çrregullimet mendore të disa personaliteteve të kohës, kanë qenë të ekzagjeruara. Sipas studiuesve, β-tujoni i pranishëm në vajin eteror të pelinit është i dëmshëm vetëm në doza të larta. Megjithatë, tashmë parapëlqehet kultivimi i kemotipeve me përmbajtje të ulët β-tujoni. Për qëllime mjekimi përdoret pjesa mbitokësore e bimës, e përbërë nga gjethet dhe majat e lulëzuara. Periudha e lulëzimit zakonisht fillon në fillim të verës. Kushtet e tharjes të materialit bimor ndikojnë ndjeshëm në cilësinë e produktit. Rekomandohet tharja e tufave të varura të bimës në mjedise të errëta, në temperaturën e dhomës, si dhe ruajtja në enë të përshtatshme të vendosura larg dritës. Sipas kërkesave të Ph.Eur, droga duhet të përmbajë të paktën 2 ml/kg vaj eteror. Përbërësit kryesorë përgjegjës për veprimin biologjik janë: vaji eteror, laktonet seskuiterpenike, flavonoidet, azulenet, acidet fenolike, taninet, kumarinat, lignanet. Përmbajtja e përbërësve veprues ndryshon mjaft në varësi të kemotipit. Kështu për shembull, studimet kanë provuar se përmbajtja e β-tujonit në vajin eteror të pelinit të bardhë mund të ndryshojë nga 0.6% deri në 60%. Prandaj kërkohet që materiali bimor të jetë analizuar paraprakisht dhe sasia e tujonit të shënohet në etiketën e ambalazhit.

Përdorimi, përgatesat
Sipas monografisë zyrtare, përgatesat nga ”Herba Absinthii” rekomandohen për përmirësimin e tretjes, për trajtimin e urthit, në rastet e mungesës së përkohëshme të oreksit, si dhe për largimin e gazrave nga zorrët. Nga mjekësia popullore përgatesat me përmbajtje pelini përdoren si produkte bimore me veprim anthelmintik, antimikrobik dhe kolagog. Ekstraktet e bimës gjejnë gjithashtu përdorim në industrinë kozmetike në saje të veprimit antioksidant, anti-inflamator dhe antimikrobik. Përgatesat nuk rekomandohet të përdoren nga personat nën 18 vjeç apo nga gratë shtatzëna ose me fëmijë në gji. Nëse simptomat zgjatin më shumë se 2 javë kërkohet konsultimi me mjekun specialist. Në të gjitha rastet ekspozimi ditor ndaj tujonit nuk duhet të kalojë 6 mg.
- Çaji: 1 g material bimor i grimcuar dhe 150 ml ujë i valuar lihen të qëndrojnë për 10 minuta në një enë me kapak, pastaj kullohen. Kur përdoret për përmirësimin e oreksit çaji merret 30 minuta para ushqimit, 2 deri 3 herë ditën. Në të gjitha rastet e çrregullimeve të tjera merret pas ushqimit.
- Lëngu i përftuar nga presimi i bimës së freskët: merret si dozë e vetme 5 ml, 2 herë ditën.
- Tinktura përgatitet me etanol 70% (v/v), raporti material bimor: ekstraktues (1:5). Doza ditore nuk duhet të kalojë sasinë e tinkturës që korrespondon me 3 g bar pelini të tharë.
Mentha x piperita L. (Menta), bimë barishtore shumëvjeçare e familjes Lamiaceae, është një specie hibride midis Mentha aquatica dhe Mentha spicata. Gjethet, si dhe vaji eteror i përftuar nëpërmjet distilimit me avuj uji, përdoren gjerësisht në trajtimin e çrregullimeve digjestive. Duke iu referuar librave të historisë mjekësore, menta përmendet për qëllime mjekimi që në kohët e lashta. Të dhëna të shumta për përdorimin e bimës jepen veçanërisht nga Plini, natyralist dhe shkencëtar i shquar i shekullit të parë. Ndonëse gjinia e mentës përfshin 25 specie të ndryshme, Mentha x piperita është më e zakonshme dhe po ashtu kultivohet gjerësisht. Në zona me klimë të përshtatshme kultivohen varietete të ndryshme të mentës. Bima kositet në fillim ose në mes të lulëzimit, në mëngjeset e ditëve me diell, kur vesa është larguar. Materiali bimor thahet në hije, në shtresa të holla, në mjedise të ajrosura, duke e kthyer herë pas here. Gjethet e thara veçohen, ndërsa kërcejtë, lulesat dhe pjesët e tjera të bimës përdoren për prodhimin e vajit eteror. Përbërja fitokimike e gjetheve të mentës ndryshon në varësi të varietetit dhe kushteve të zonës gjeografike ku rritet bima. Përbërësi kryesor i vajit eteror është mentoli. Të tjerë përbërës të rëndësishëm janë flavonoidet, acidet yndyrore, acidet fenolike, taninet. Sipas Ph.Eur, gjethet e thara të mentës duhet të përmbajnë të paktën 12 ml/kg vaj eteror. Monografia e ekstraktit të thatë të mentës është përfshirë gjithashtu në farmakopetë zyrtare.

Përdorimi, përgatesat
Duke qenë një nga bimët aromatike më të njohura në shkallë globale, përdorimet e mentës janë të shumta, po ashtu të shumta janë studimet që lidhen me veprimin farmakologjik.
Gjethet e mentës përdoren në saje të vetive spazmolitike (qetëson kontraksionet e muskujve të traktit gastrointestinal), karminative (eliminon gazrat nga zorrët), koleretike (stimulon mëlçinë për të rritur prodhimin e bilës). Përgatesat nga gjethet e bimës rekomandohen në trajtimin e spazmave të traktit gastrointestinal, për largimin e gazrave të tepërt nga zorrët, si dhe për të ndihmuar tretjen. Ato nuk duhet të përdoren në rastet e refluksit gastroezofageal, nga personat që kanë gurë në tëmth, as nga fëmijët nën 4 vjeç.
Vaji eteror ka veti të theksuara antimikrobike, shpesh merret në formë inhalacioni për lehtësimin e simptomave të shkaktuara nga ftohja. Po ashtu, në saje të vetive anti-inflamatore dhe analgjezike përdoret lokalisht në dermatologji, si dhe për lehtësimin e dhimbjeve të kokës e të muskujve. Vaji eteror i mentës i futur në kapsula enterike rekomandohet veçanërisht për lehtësimin e simptomave që lidhen me sindromën e zorrës së irrituar. Në këtë rast duhet patur kujdes që kapsula të gëlltitet e plotë, sepse çlirimi para kohe i vajit eteror shkakton irritim të gojës e të ezofagut. Vaji eteror nuk duhet të përdoret nga persona që kanë sëmundje të mëlçisë apo gurë në tëmth dhe as nga fëmijët e vegjël, sepse mund të shkaktojë spazma të laringut. Në mungesë të dhënash të mjaftueshme përdorimi gjatë barës nuk rekomandohet. Gjethet dhe vaji eteror i mentës përdoren gjithashtu gjerësisht nga industria ushqimore dhe ajo kozmetike.
- Çaji: 2 deri në 3 g gjethe të thara e të grimcuara mbulohen me 250 ml ujë të valuar në një enë me kapak, lihen të qëndrojnë për 10 minuta, pastaj kullohen. Doza maksimale ditore për të rriturit është 12 g, për adoleshentët 6 g, për fëmijët 3 g. Çaji rekomandohet të merret para ushqimit.
- Tinktura: përgatitet me etanol 45% (v/v), në raportin material bimor: ekstraktues (1:5). Kur përdoret për qetësimin e gjendjeve spastike merren 2-3 ml tinkturë, 3 herë ditën.
- Vaji eteror: 3 deri 4 pika vaj eteror hidhen në 300 ml ujë të nxehtë, përdoret me inhalacion për trajtimin e simptomave të ftohjes. Trajtimi mund të përsëritet gjatë ditës deri në 3 herë.
- Kapsulat: përmbajnë 0.2 ml vaj eteror në një kapsul, merret nga një kapsul, 3 herë ditën. Kohëzgjatja e trajtimit: derisa simptomat të ndërpriten.
- Pomada: përmban 1 deri në 5% vaj eteror. Aplikohet në formën e një shtrese të hollë në zonën e dëshiruar (për shembull rreth vrimave të hundës). Përdorimi: vetëm për të rriturit.
Senna alexandrina Mill. (Sena) është emri botanik korrekt i kësaj specie, e cila dikur klasifikohej si dy specie të ndryshme. Bima është një shkurre e vogël e familjes Fabaceae që rritet në gjendje të egër në zonat veriore dhe veri-lindore të Afrikës. Kultivohet në shtete të ndryshme, duke përfshirë Egjyptin dhe Jemenin. Gjethet me ngjyrë të gjelbër në të verdhemë, si dhe frutat bishtaja të bimës janë përdorur historikisht në saje të veprimit laksativ. Sena është futur në praktikën mjekësore nga mjekët arabë dhe përmendet që prej shekullit të nëntë. Përbërësit kryesorë përgjegjës për veprimin laksativ të gjetheve të senës janë senozidet, përmbajtja e tyre ne gjethet e thara ndryshon. Janë gjithashtu të pranishme komponimet fenolike si flavonoidet, taninet, saponinat, sterolet, si dhe mucilagjet, lëndët e hidhua, mineralet dhe rrëshirat. Frutet e bimës përdoren për të njëjtin qëllim. Sena mund të lulëzojë dhe të frutifikojë disa herë gjatë vitit. Degët që përmbajnë gjethet dhe bishtajat thahen fillimisht në mjedise të hapura, pastaj tharja vazhdon në hangarë. Pas tharjes kërcejtë dhe frutat veçohen, kurse gjethet e plota paketohen lirshëm në dengje. Mënyra e tharjes ndikon mjaft në cilësinë e produktit përfundimtar. Sipas Farmakopesë Europiane, gjethet e thara duhet të përmbajnë 2.5% glikozide hidroksi-antracenike.

Përdorimi, përgatesat
Sena përmban glikozide të cilat kanë veti të irritojnë shtresën e brendshme të zorrëve, duke rritur aktivitetin e tyre dhe duke shkaktuar veprmimin laksativ. Kjo drogë bimore mjekësore përdoret për të trajtuar konstipacionin, si dhe për të pastruar zorrët para procedurës së kolonoskopisë. Zakonisht merret para gjumit dhe vepron pas 6 deri 12 orësh. Është e rëndësishme të përdoret sipas rekomandimeve, sepse nëse merret për kohë të gjatë ose në doza të larta mund të shkaktojë mosfunksionimin normal të zorrëve dhe dëmtimin e mëlçisë. Gjethet e senës dhe përgatesat me përmbajtje sene duhet të përdoren për një kohë sa më të shkurtër, të shumtën 1 javë. Ato nuk duhet të përdoren nga personat që kanë gjendje konstipacioni kronik, dhimbje barku të padiagnostikuar, nga fëmjët nën 12 vjeç, nga gratë shtatzëna apo me fëmijë në gji. Përdoruesit e barnave me veprim antikoagulant duhet të konsultohen me mjekun, sepse sena mund të rritë rrezikun e hemorragjive. Po ashtu, ato ndërveprojnë me diuretikët, digoksinën dhe barnat me strukturë steroide.
Përkujdesje: Trajtimi duhet të mbështetet duke marrë sasi të shtuar të lëngjeve (mbi 2 litra/ditën), nuk duhet të përdoret për kohë të gjatë ngaqë për shkak të hipokalemisë mund të shkaktojë probleme kardiake dhe neuromuskulare. Gjatë përdorimit kërkohet monitorimi i elektrolitëve, veçanërisht në moshat e vjetra.
- Çaji: 1 deri 2 g gjethe të thara sene të standardizuara (15 – 30 mg glikozide hidroksiantracenike) dhe 250 ml ujë i valuar lihen të qëndrojnë për 10 minuta në enë të mbyllur me kapak, pastaj kullohen. Çaji rekomandohet të pihet i ftohtë, mbas largimit të shtresës së poshtme, e cila përmban rëshira të dëmshme. Merret si një dozë e vetme, natën, të shumtën 2 deri në 3 herë gjatë një jave.
- Ekstrakti i thatë: përgatitet me etanol 60% (v/v), në raportin material bimor: ekstraktues (1:5). Qarkullojnë tableta të veshura që përmbajnë 12 mg ekstrakt të standardizuar.Tabletat përdoren zakonisht për pastrimin e zorrëve para ekzaminimeve.
Referenca
- Akçakaya A. Phytotherapy in gastrointestinal disorders Bezmialem Science 2024; 12 (3): 395-400.
- Kelber O. Phytotherapy in functional gastrointestinal disorders. Digestive Diseases (Basel) 2017; 35:36-42.
- Szopa A. et al. Artemisia absinthium L. Importance in history of medicine, the latest advances in phytochemistry and therapeutic uses. Plants (Basel) 2020; 9 (9): 1063.
- Di Fronco et al. The historical role of wormwood and absinthe in infectious diseases: A narrative review and future perspectives. Sci 2025; 7 (4), 186.
- European Union herbal monograph on Artemisia absinthium L., herb EMA/HMPC 2020.
- Compendium of botanicals reported to contain naturally occurring substances of possible concern for human health. EFSA Journal 2025, vol 22.
- Silva H. A descriptive overview of the medical uses to Mentha aromatic herbs throughout history. Biology 2020; 9, 484.
- Hudz M. et al. Mentha piperita: essential oils and extracts. Their biological activities and perspectives on the development of new medical products. Molecules 2023; 28(21):7444.
- Senna alexandrina Mill. Drugs and Health Products. Health Canada, 2021.
- Assessment report on Senna alexandrina Mill, folium and fructus. EMA/HMPC 2017.


