Laborantët kanë dalë kundër Ministrisë së Shëndetësisë për dhënien me koncesion të shërbimit laboratorik publik.
Përmes një peticioni drejtuar Presidentit Nishani, Kryeministrit Rama, kryeparlamentarit Meta dhe ministrit të Shëndetësisë, Beqaj, Shoqata e Teknikëve të Mjekësisë Laboratorike ka ngritur shqetësimin se janë tërësisht të painformuar mbi atë që i pret, kjo për vetë faktin se nuk janë ftuar në konsultime.
“Shqetësimi ynë lidhet së pari në mungesën e transparencës për procesin, pasi në konsultime për analizën e sistemit janë thirrur ekspertë privatë të IFC (të paguar) dhe nuk janë përfshirë aktorë të sistemit, mjekë e drejtues të laboratorëve, eksperienca e të cilëve gjykojmë që është mjaft e rëndësishme në këtë proces”, thuhet në dokumentin, që mban firmat e më shumë se 90 laborantëve dhe kimistëve.
Sipas tyre, dhënia me koncesion e këtij shërbimi është një model që nuk aplikohet në asnjë prej vendeve të Bashkimit Evropian, ku ne kërkojmë të integrohemi.
DEBATET
Që në nisje të diskutimit për dhënien me koncesion të sistemit laboratorik në 44 spitale të vendit ka pasur kontestime kryesisht nga grupet e interesit, të cilët janë ndier të mënjanuar. Sipas tyre, aplikimi i një sistemi të tillë do të monopolizojë shërbimin laboratorik mjekësor në vend, i cili nga ana e tij do të priret të prodhojë çmime të pakontrolluara.
Të gjitha këto do të rëndojnë në xhepat e pacientëve dhe familjarëve të tyre. Nga ana tjetër, pikëpyetje shtrohen edhe mbi raportin që do të kenë mjekët me laborantët. Nëse këta të fundit do të varen nga privati, hendeku mes tyre do të jetë më i madh.
Kjo pasi nëse trupa e laborantëve do të varet nga kompania private, atëherë ata do të jenë të predispozuar për të mos iu bindur mjekëve nën argumentin se nuk varen prej tyre. Kjo do të shkaktonte amulli dhe njëherazi do të cenonte rëndë cilësinë e shërbimit.
FATURA
Privatizimi i sistemit laboratorik do të nisë fillimisht në spitalet bashkiake, rajonale dhe terciare për t’u shtrirë më tej në poliklinika. Në muajin janar, ky shërbim do t’i besohet një kompanie koncesionare me një kohëzgjatje deri në 2027.
Deri më tani, nuk ka asnjë qëndrim zyrtar mbi kushtet e kontratës. E vetmja gjë që faktohet përmes planifikimit buxhetor për 2017 është se në harkun e një viti, partneriteti me këtë kompani do t’u kushtojë taksapaguesve shqiptarë jo pak, por plot 886 milionë lekë, thënë ndryshe rreth 8 milionë dollarë. Kështu, në 10 vite, në arkën e koncesionarit do të shkojnë 80 milionë dollarë.
Por kjo mbetet vetëm maja e ajsbergut. Ministria e Shëndetësisë krahas këtij shërbimi i ka besuar privatit edhe 3 shërbime të tjera, konkretisht kontrollin shëndetësor bazë për grupmoshën nga 35 deri në 70 vjeç, sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale dhe shërbimin e hemodializës.
Të gjitha këto kanë një kosto vjetore në buxhetin e shtetit, që shkon rreth 3.8 milionë lekë të rinj, ose 32 milionë dollarë. Ndërkohë, për 10 vite kostoja përllogaritet të jetë 320 milionë dollarë.
Shqetësimi ynë lidhet së pari në mungesën e transparencës për procesin, pasi në konsultime për analizën e sistemit janë thirrur ekspertë privatë të IFC (të paguar) dhe nuk janë përfshirë aktorë të sistemit, mjekë e drejtues të laboratorëve, eksperienca e të cilëve gjykojmë që është mjaft e rëndësishme në këtë proces.
Së dyti, ka një tendencë për të krijuar konfuzion në terminologji, tendencë të cilën e vumë re edhe në takimin e vetëm të zhvilluar deri më tani me ministrin e Shëndetësisë. Sipas përkufizimit të vetë Bankës Botërore, PPP dhe koncesion nuk janë e njëjta gjë. Koncesioni është vetëm një nga variantet e aplikimit të PPP, shumë pak i aplikuar në botë, në dijeninë tonë vetëm në projekte pilote.
Së treti, na shqetëson fakti që thërrasim ekspertë për të prodhuar modele, të cilat janë shumë larg modeleve të Evropës, ku ne po kërkojmë të integrohemi, ndërkohë që kurrikulat tona të shkollimit janë përafruar me kurrikulat evropiane.
Së katërti, pavarësisht se jemi larg konsultimeve dhe vendimmarrjes, ndiejmë tendencën e stimulimit të aplikimit të një sistemi monopol koncesionimi të plotë të sistemit laboratorik publik spitalor, që përbën 80% të punës së sistemit laboratorik shqiptar.
Duke qenë të painformuar ose/dhe të keqinformuar, por edhe shumë të interesuar për fatin e sistemit laboratorik dhe të ardhmen tonë profesionale, parashtrojmë para jush pyetjet e mëposhtme:
A do ta ruajë Shqipëria sistemin publik laboratorik, sistem i cili dominon në të gjithë sistemin publik spitalor në Europë?
A është marrë parasysh veçoria e Qendrave Universitare si qendra terciare, ku ne shkollohemi? A do të ruajnë fizionominë evropiane laboratorët publikë të qendrave universitare?
A do të lejohet, edhe nëse sugjerohet nga punonjësit privatë të IFC, monopolizimi i sistemit publik laboratorik, një model që nuk është aplikuar asnjëherë në asnjë vend të botës, përfshi edhe vendet e origjinës së ekspertëve të IFC?
Nëse do të aplikohet sistemi monopol i koncesionimit të plotë, çdo të bëhet me dhjetëra mjekë e qindra teknikë laboratori, që aktualisht janë të punësuar në laboratorët publikë?
Në kushte të aplikimit të koncesionimit monopol, çfarë do të bëhet me operatorët privatë aktualë, të cilët kanë investuar prej vitesh, janë taksapagues të rregullt dhe kanë punësuar dhjetëra teknikë laboratori?
Në kushtet e aplikimit të koncesionimit të plotë, a është parashikuar perspektiva e punësimit për qindra teknikë të lartë laboratori, që aktualisht janë në sistem shkollimi bachelor ose në master në sistemin publik e privat?
A do të hapet shkolla e teknikëve të lartë të laboratorit për maturantët që po përgatiten
të hyjnë në studimet universitare?
Burimi: Panorama / https://shendeti.com.al/


